(2LONLINE) – Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka mbajtur seancë falënderimi me rastin e 15 vjetorit të bombardimit të caqeve serbe nga Aleanca veri-atlantike NATO të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kohë kur populli i Kosovës rreth një milion ishin internuar jashtë kufijve shtetëror, pësimit të shumë masakrave ndaj shqiptarëve, vrasjeve të shumta, zhdukjeve dhe përdhunimit të femrave.
Në këtë seancë mirënjohje u është shprehur nga të pranishmit ushtarëve të NATO-s, familjeve të të rënëve për liri e pavarësi dhe popullit Amerikan.
Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi ka thënë se nisja e bombardimeve mbi caqet serbe nga Aleanca e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një akt i ri shprese për popullin e Kosovës.
“Sot më 24 mars mbushen 15 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s, në mbrojtje të popullit të Kosovës. Të gjithëve na kujtohet ajo ditë. Ishte ditë shprese për popullin e Kosovës, ditë kur nisi të vinte liria e vërtetë. Sot Kosova po ec rrugës së suksesit dhe rrugës së demokracisë për në BE dhe miqësisë me SHBA-të. 24 marsi do të mbetet ditë e shënuar në historinë e Kosovës, ditë e ngadhënjimit mbi të keqes. Për ne kjo është ditë e shpresës dhe e kujtimit të atyre që me veprat e tyre bënë që ne ta kujtojmë lirinë”, ka thënë ajo duke potencuar kujtimin që ka populli i Kosovës për presidentin Rugova si njeriu më meritor për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë.
Ndërsa nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu tha se 24 marsi është vula e lirisë së vendit tonë. Kjo ditë shënon zhdukjen e gjenocidit, krimeve dhe spastrimit etnik.
“Sot jemi këtu të përkujtojmë aleatët tanë NATO-në, Amerikën dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, do ti kujtojmë sot dhe asnjëherë nuk do t’i harrojmë sfidat, sakrificat dhe ato rrugë të vështira. Falë mbështetjes së miqve ne sot jemi të lirë dhe po ecim përpara. Në këtë 15 vjetor të kujtimit e falënderimit ne duhet të fokusohemi në zhvillimin e vendit tonë dhe të këtij qyteti që njerëzve tanë t’ua bëjmë jetën sa më të mirë”, ka thënë ndër të tjerash nënkryetari Kadriu.
E në anën tjetër në emër të Pakt Atlantikut të Rinisë së Kosovës, Besim Salihu, ka bartur falënderimin dhe përshëndetjet e të rinjve të NATO-s.
“Pozicionimi i ambasadorit të OSBE-së William Walker ishte pozicionim i drejtë për të ndalur të keqen e madhe që po i kanosej popullit shqiptarë. Ai poashtu ka propozuar që në ditën e çlirimit të NATO-s ambasadorin amerikan në NATO dhe Jamie Shea, zëdhënësin e NATO-s për t’i shpallur qytetarë nderi”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Ndërsa kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Bunjaku – Rexhepi atij i ka dhënë flamurin e Kosovës në shenjë falënderimi e mirënjohje për misionin e NATO-s.
Ndryshe ne këtë seancë të pranishëm ishin edhe drejtoresha Regjionale e Policisë së Kosovës, kryetari i Gjykatës Themelore, Shoqëria Civile etj. /2lonline/