Kuvendi i Gjilanit vendosi ta reduktojë në 15 vjet dhënien e pronës publike për nevojat e Qendrës “Don Bosko”

Kuvendi i Gjilanit vendosi ta reduktojë në 15 vjet dhënien e pronës publike për nevojat e Qendrës “Don Bosko”

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka vazhduar sot punën me pikat e mbetura nga seanca e djeshme, e cila u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita e lëshoi sallën në shenjë mospajtimi me propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, për nevoja të Qendrës socio-edukative ”Don Bosko” dhe nuk u rikthye as sot.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini tha se Kuvendi do të procedojë me propozim-vendimin për rialokimin e mjeteve financiare, propozim-vendimin për caktimin e lokacioneve për shtatoret e Agim Ramadanit, Mulla Idriz GjIlanit dhe Abdullah Tahirit, propozim-vendimin për ndarjen e çmimit për zonjat Shyrete Tahiri, Sylejmani, Hyrije Elezi Baftiu, Fatime Ahmeti Gashi e Mevlide Hyseni si dhe iniciativën për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me komunën e Parteshit, për nevoja të ndërtimit të rrugës së Kumanovës.

Duke u bazuar në diskutimet për dhe kundër kërkesës së Qendrës “Don Bosko”, ku dominoi propozimi për reduktim të afatit dhe pas sqarimeve ligjore që dha drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu, Kuvendi vendosi që afatin e dhënies së pronës në shfrytëzim për këtë qendër, ta reduktojë në 15 vjet, nga 40 vjet sa ishte propozuar fillimisht.

Qendra “Don Bosko” e ka në shfrytëzim këtë pronë prej vitit 2012, për një periudhë dhjetëvjeçare, por ka kërkuar vazhdimin afatgjatë të kontratës, për shkak të një investimi prej mbi 1.5 milionësh që planifikon ta bëjë në zgjerimin e hapësirave të punës.

Sa i përket vendimit për rialokimin e mjeteve, drejtori i Buxhetit Zijadin Maliqi sqaroi se bëhet fjalë për një shumë mbi 156 mijë euro, të cilat barten nga një projekt tek një projekt tjetër brenda të njëjtit program, kurse detajet tjera i paraqiti drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korqa.

Kuvendi miratoi po ashtu edhe propozim-vendimi për caktimin e lokacioneve për shtatoret e Agim Ramadanit, Mulla Idriz GjIlanit dhe Abdullah Tahirit, propozim-vendimi për ndarjen e çmimit për zonjat Shyrete Tahiri, Sylejmani, Hyrije Elezi Baftiu, Fatime Ahmeti Gashi e Mevlide Hyseni si dhe iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me komunën e Parteshit, për nevoja të ndërtimit të rrugës së Kumanovës.

Anëtari i Kuvendit, Xhevat Demiri (AAK) i ka propozuar Kuvendit që të marrë në konsideratë ndarjen e një çmimi nderi për qytetarin Ekrem Gjinolli, tani të ndjerë, sikurse një propozim të tillë e bërë dje edhe Nehat Osmani (LVV) për qytetarin Fahredin Sherifi, duke i nënvizuar edhe meritat e tyre të veçanta.

Kryesuesja e Kuvendit, në të dyja rastet, i ka udhëzuar propozuesit që kërkesën ta parashtrojnë përmes Qendrës për Shërbime të Qytetarëve, në mënyrë që të procedohet në afatin e duhur.

Zyra për Informim

KOMENTE