DYLON

Kuvendi i Gjilanit i ka nderuar me titullin “Nderi i Qytetit”, Ekrem Gjinollin dhe Fahredin Sherifin

Kuvendi i Gjilanit i ka nderuar me titullin “Nderi i Qytetit”, Ekrem Gjinollin dhe Fahredin Sherifin
Avatar photo Redaksia

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e të enjtes, me votë unanime, i ka nderuar me  titullin “Nderi i Qytetit”, Ekrem Gjinollin (Post Mortum) dhe Fahredin Sherifin.

Para se të votohej, Shefik Surdulli dhe Imrane Thaqi, anëtarë të Kuvendit Komunal nga radhët e Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK), në fjalën e tyre i kanë vlerësuar si të qëlluara këto propozime duke potencuar se është meritore që Kuvendi të nderojë me një titull të tillë personalitete të rëndësishme, siç janë edhe dy personalitetet e propozuara, që t’i nderojmë për veprat e tyre, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në fusha përkatëse.

Përndryshe, Xhevat Demiri, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK-së, ishte ai që, në një seancë të kaluar, kishte dhënë propozimin që Ekrem Gjinolli (Post Mortum) të nderohet nga Kuvendi me  titullin “Nderi i Qytetit”, pasi , siç ishte shprehur Demiri, personaliteti dhe gjithë karriera e Ekrem Gjinollit  ishte e jashtëzakonshme. “E kush nuk fliste me shumë dashuri për të, në Gjilan dhe më gjerë. Kushdo që është pak i informuar, e sidomos studentët e tij dëshmojnë më së miri kulturën dhe traditën e familjes Gjinolli në Gjilan”, kishte thënë tutje Demiri, transmeton Portali 2LONLINE.com.

EkoHigjiena

Ai kishte shprehur besimin e tij se do të ishte hap meritor, po që se nderohet edhe figura e Ekrem Gjinollit. “Ne i kemi borxh atij dhe shoqëria, institucionet tona e qytetarët, duhet që emrin e tij ta nderojnë”, ishte shprehur Demiri.

Demiri kishte kërkuar nga kolegët kuvendarë, angazhim për ta dashur kulturën, traditën e zakonet tona qytetare, siç kishte bërë edhe Ekrem Gjinolli.

Demiri vlerësoi lartë ndarjen e një titulli të tillë (Post Mortum) për Ekrem Gjinollin, për kontributin e dhënë sistemit të edukimit në Gjilan dhe më gjerë, duke e respektuar kështu edhe kontributin e familjes së tij në përgjithësi.

Ndërsa, propozimi që Fahredin Sherifi të nderohet me titullin “Nderi i Qytetit” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Arsim, Sport dhe Kulturë, ishte bërë, në një seancë të kaluar, nga Nehat Osmani, anëtari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes.

Sherifi ishte profesor i matematikës në Gjilan që njëkohshëm ligjëronte në paralelet shqipe, turke dhe serbe, ndërsa  anëtari i Kuvendit, Osmani thotë, me këtë rast se, nëse do gjurmonim syzheun domethënës të shprehjes “Qytetari”, do duhej patjetër të hulumtonim jetën, veprën dhe personalitetin e këtij njeriu të madh të qytetit të Gjilanit, vetëm atëherë do gjejmë kuptimin e vërtetë të saj, transmeton Portali 2LONLINE.com.

“Fahredin Sherifi  ishte njëri ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave i cili me gjeneratën e vet më 1963 i solli qytetit të Gjilanit titullin e kampionit të Kosovës. Ishte trajneri më produktiv që ngriti dhe gjeneroi gjeneratën më të suksesshme në historinë e qytetit tonë. Sherifi një kohë të gjatë nga viti 1979 – 1992 ishte “Drejtor i palestrës sportive” ku organizoheshin manifestime të mëdha sportive e kulturore. Një kohë jetoi në Turqi nga ku afirmoi dhe loboi të arriturat e qytetit tonë në sport, arsim dhe kulturë”, shprehej Osmani, gjatë kërkesës për një titull të tillë për Fahredin Sherifin.

Sipas Osmanit, Sherifi gjatë tërë jetës së tij ka qenë sinonim i edukatës, kultivues i kulturës e përfaqësues i qytetërimit përgjatë gjeneratave të tëra.

Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit po vazhdon me pika të tjera të rendit të ditës.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.