DYLON

Kuvendari i PDK-së ngreh shqetësime qytetare në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit

Kuvendari i PDK-së ngreh shqetësime qytetare në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit
Redaksia

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Bujar Nevzati, Shef i Grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka ngritur një sërë çështjesh, që sipas tij, janë preokupime të qytetarëve gjilanas.

“Pse Drejtoria e Shëndetësisë e ka ndërprerë punën e ambulancës në Kishnapolë, e cila ka shërbyer për rreth 70 vjet, duke lënë pa shërbime shëndetësore rreth 500 banorë të kësaj ane? Pse nuk është siguruar me kohë kuadri i nevojshëm dhe kush mban përgjegjësi për këtë dështim institucional”, ka pyetur Nevzati në lidhje me ambulancën në Kishnapolë.

EkoHigjiena

Ai po ashtu ka ngritur çështjen e objektit në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit.

“A është e vërtetë se objekti i ndërtuar në pronën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, në bashkëpunim me organizatën “Jetimat e Ballkanit”, është dhënë me qira për ushtrimin e veprimtarisë së një poliklinike private? Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore dhe a ka pasur miratim nga Kuvendi Komunal”, ka pyetur kuvendari i PDK-së

Nevzati kishte pyetje edhe për drejtorin e Shërbimeve Publike nga i cili ka kërkuar të  tregojë një projekt të vetëm që e kanë nisur dhe përfunduar si duhet, sipas standardeve profesionale.

“E keni bllokuar qytetin me punime të vazhdueshme. Sot e shtroni asfaltin, pas dy ditësh e hapni përsëri, sepse nuk janë përfunduar ose koordinuar si duhet punët e kanalizimit, ujësjellësit, rrjetit elektrik apo vendosja e skajoreve. A ka planifikim dhe mbikëqyrje profesionale, apo po punohet pa plan dhe pa përgjegjësi”, ka shtuar tutje Nevzati.

Ai poashtu ka dashur të dijë se cilat projekte janë aktualisht të papërfunduara dhe cili është afati i saktë për përfundimin e secilit? Kush mban përgjegjësi për asfaltin e prishur, punët e përsëritura dhe dëmin e shkaktuar buxhetit komunal?  A do të ndërmerrni masa ndaj operatorëve ekonomikë dhe mbikëqyrësve që nuk i kanë kryer punët sipas kontratës dhe standardeve? Nëse po, cilat masa dhe kur? Komuna ka inxhinierë profesionistë. Pse nuk po shfrytëzohet ekspertiza e tyre për të parandaluar këto gabime?

“Nuk kërkojmë arsyetime, por emra përgjegjësish, afate konkrete dhe zotim publik për përfundimin e punimeve. Qytetarët nuk mund të paguajnë për të njëjtat punë disa herë, ndërsa qyteti të mbetet i bllokuar pa fund”, ka thënë Bujar Nevzati i PDK-së.

Ndërsa, sa i përket çështjeve në fushë ne Bujqësisë, ai ka thënë se derisa Drejtoria e Bujqësisë po shpërndan farën dhe plehun më 26 nëntor, kur gruri veç ka mbirë dhe afati optimal i mbjelljes ka kaluar, institucionet arsimore dhe shëndetësore të komunës po përballen me mungesë të lëndës djegëse për ngrohje.

“Bujqit kanë mbetur me farë në dorë, nxënësit me të ftohtë në shkolla dhe pacientët në institucione shëndetësore pa ngrohje. Kjo nuk është qeverisje, por dështim në planifikim dhe menaxhim të përgjegjësive komunale. Qytetarët e Gjilanit meritojnë shërbime, jo arsyetime”, ka thënë Bujar Nevzati, sShef i Grupit të  anëtarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.