Kuvendari Fadil Ademi: Punëtorët për mirëmbajtjen e hapësirave publike meritojnë vlerësim për kontributin e tyre
Punëtorët që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e hapësirave publike në kuadër të Ndërmarrjes Publike Lokale “tregu”, në Gjilan, janë mbështetur me uniforma pune, si shenjë falënderimi për angazhimin e tyre të përditshëm.
Nisma është ndërmarrë nga Fadil Ademi, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me Selami Nezirin dhe Dushi Bunjakun.
Ademi tha se ky aktivitet synon të shprehë mirënjohjen për punëtorët që kontribuojnë në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
“Puna e mirë dhe njerëzit e mirë që çdo ditë japin kontribut për qytetin tonë meritojnë me u vlerësua. Është një gjest i vogël prej nesh, por mbi të gjitha është një mënyrë me iu thanë faleminderit për punën që bëjnë çdo ditë”, tha Ademi.
Ai theksoi se puna e këtyre punëtorëve nis herët dhe se kontributi i tyre është i rëndësishëm për një qytet më të pastër dhe më të rregullt.
“Shpeshherë, kur ne ende jemi në gjumë, ata veç e kanë nisë punën për me i mbajt hapësirat tona të pastra e të rregulluara”, u shpreh Ademi.
Ademi falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij aktiviteti, duke veçuar edhe drejtorin e NPL “Tregu”, Bajram Isufi, për bashkëpunimin dhe mbështetjen.
“Një falënderim i madh për të gjithë shokët, miqtë dhe dashamirët që na ndihmuan me e realizua këtë aktivitet. Me përkrahjen e tyre arritëm me i sigurua uniformat për punëtorët”, tha ai.
“Bashkë mundemi me bë, shumë më shumë”, përfundoi Ademi. /2LONLINE/
