Kuvendarët miratojnë raportin e punës së kryetarit të Komunës

Kuvendarët miratojnë raportin e punës së kryetarit të Komunës

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot raportin e punës së kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, për vitin 2016, ku ai nënvizon të arriturat dhe sfidat e periudhës njëvjeçare, përkatësisht të vitit të tretë të qeverisjes së tij.

“Gjilanin, tanimë e kemi kthyer në një qytet meritor, megjithëse sukseset tona të deritanishme nuk kanë qenë pa sfida dhe pa barriera”, ka thënë Haziri.

Më tutje, Haziri ka nënvizuar pikat kyçe të punës së kaluar dymbëdhjetë mujore, në të gjithë sektorët e qeverisjes, për të konstatuar se në Gjilan janë bërë investime të vrullshme në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, trotuare dhe të tjera, si në qytet, ashtu edhe në fshatra pa dallime.

Në prokurim publik, kemi realizuar 82 aktivitete, pjesa dërmuese kanë qenë investime kapitale, si asfaltimi i rrugëve, kanalizimet, ndërtimi i çerdhes në lagjen Dardania si dhe projekte tjera, si palestra e sporteve në fshatin Zhegër dhe të ngjashme, por me rëndësi të madhe për Gjilanin dhe qytetarët, ka thënë ai.

Në fjalën e tij gjatë paraqitjes së raportit kryetari Haziri poashtu ka pikëprekur edhe Administratën e Gjilanit e ka bërë të veçantë Komunën në nivel të Republikës, për shkak të produkteve dhe projekteve të realizuara në shërbim të qytetarëve.

Fokus tjetër i veçantë ai i ka dhënë edhe arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe infrastrukturës në përgjithësi, por edhe resorët e tjerë, që në përgjithësi janë vlerësuar lartë nga ana e kryetarit, duke spikatur angazhimin konkret për një jetë më të mirë të qytetarëve, për shëndetin, për arsimim të gjeneratave të reja, për një të ardhme në agrokulturë dhe agrobiznes, për vende të reja pune, por edhe për angazhim në kuadër të përmirësimit të imazhit të Gjilani edhe në aspektin e mirëqenies dhe përkujdesjes për familjet të cilat janë pa kulm mbi kokë.

Haziri ka veçuar bashkëpunimin e mirë me organizata ndërkombëtare dhe investitorë të huaj, në shumë projekte, si me USAID-in, BE-në, KFW-në, UNDP-në, me ambasadat dhe qeveritë e vendeve mike, si SHBA, Austria, Gjermania, Turqia, Zvicra, etj.

“Në përgjithësi, 2016-ta është vit i sukseseve që kanë tejkaluar sfidat dhe vështirësitë, veçanërisht në fushën e personelit, ku jemi detyruar, në harmoni me ligjin, të suspendojmë përkohësisht 24 punonjës, që janë të ndërlidhur më aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj ish-qeverisjes dhe mungesa e tyre ka qenë një hendikep i madh dhe është edhe më tutje për funksionimin edhe më efikas të administratës sonë”, ka thënë Haziri.

Kurse nga ana e tij Avdyl Aliu (LDK) dhe Selami Xhemajli (AAK), I kanë dhënë mbështetje kryetarit Haziri, duke potencuar punë të shumta dhe ndryshime positive në Gjilan, kurse Sahit Abazi (PDK0 dhe Nevzad Isufi (VV), kanë dhënë vërejtjet e tyre për cilësi të punimeve dhe për zhvillimet në përgjithësi që kanë ndodhur në Gjilan.

Po ashtu kuvendarët e Gjilanit, në këtë seancë kanë miratuar edhe rregulloren për punën e arkivit dhe dokumentacionit arkivor të administratës së Komunës, rregulloren për fondin e ekselencës, vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim të personave fizikë ose juridikë, vendimin për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal si dhe vendimin për hartimin e planit rregullues të hollësishëm “Qendra 1”, që janë kthyer në rishikim me kërkesë të MMPH, siç ka thënë Bunjaku-Rexhepi, për disa përmirësime teknike.

KOMENTE