/2L ONLINE/ – Tri subjektet më të mëdha politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Gjilanit (LDK, PDK e AAK), me përjashtim të LVV, që e kishte braktisur sallën e mbledhjeve gjatë kohës së pauzës, janë pajtuar që seancën e sotme ta vazhdojnë një ditë tjetër, për t`i miratuar ndryshimet dhe plotësimet në statutin e Komunës, meqë të martën nuk arritën konsensus për ta bërë këtë.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se mungoi vullneti politik për t`i miratuar ndryshimet, të cilat bëhen për të rikthyer dy drejtori komunale – Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport si dhe Drejtorinë e Inspekcionit.
Sahit Abazi (PDK) tha se grupi i këshilltarëve të këtij subjekti është pajtuar në parim për ndryshimin e statutit, por për t`i votuar këto ndryshime, ka kërkuar që të sillet një organogram, për të parë se si do të duket ekzekutivi pas kthimit të këtyre dy drejtorive.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se të gjitha sqarimet e nevojshme janë dhënë deri tani, organogrami është gati, ndërkaq anëtarëve të Kuvendit u është dorëzuar edhe një arsyetim me shkrim. Ajo e ka rikujtuar opozitën se asokohe ka qenë kundër shuarjes së këtyre dy drejtorive, ndërkaq tani refuzon miratimin e statutit, për t`i hapur rrugë rikthimit të atyre dy drejtorive.
Përndryshe, Kuvendi Komunal, ka miratuar të martën edhe vendimin për këmbimin e pronës komunale me pronën private për nevoja të rrugës “Jugu I”, vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm në disa prona shoqërore, të cilat administrohen nga AKP, të cilat i ka arsyetuar Refik Shala, kryesues i Komitetit të Pronës, duke thënë se të dyja këto pika janë shqyrtuar dhe rekomanduar nga kjo trupë komunale.
Vendimi për miratimin e planit rregullues “Qendra 4” ka zgjuar më shumë interesim dhe debat te anëtarët e Kuvendit Komunal, madje opozita (PDK) ka kërkuar edhe shtyrjen e kësaj pike. Sahit Abazi (PDK) ka thënë se bë këtë zonë po legalizohet një gjendje ekzistuese. Sipas Riad Rashitit (PDK) “Qendra 4” dëmton planin rregullues. Edhe Nevzad Isufi(VV), ka thënë se dyshon që plani është dashur t`i përshtatet gjendjes ekzistuese.
Isa Agushi (LDK) ka thënë se duhet t`iu besohet ekspertëve, të cilët e kanë bërë këtë plan dhe jo të ngritën dyshime pa arsye. Nevzad Rushiti (LDK) tha se ekspertët e drejtorisë kanë bërë një zgjidhje shumë të mirë brenda gjendjes ekzistuese në këtë zonë, e cila kryesisht është private.
Sqarime ka dhënë drejtori i Urbanizimit, Valon Shefkiu. Ai ka thënë se tërë këtë punë e ka bërë Drejtoria dhe Komuna nuk ka pasur nevojë të paguajë asnjë cent, siç është dashur të bëjë për planet tjera rregulluese. Ai e ka rikujtuar opozitën se vendimi është marrë në mandatin e kaluar, ku është vendosur që kompensimi i pronës, e cila merret nga pronarët privatë për infrastrukturë publike, të kompensohet përmes etazhitetit.
Detajet e planit i ka prezantuar Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit, i cili ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar nga plani zhvillimor urban.
Po ashtu u miratua edhe vendimi për komisionin vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim të pronave të Komunës, ku Naser Sylejmani u zëvendësua me Sali Fazliun, kurse Enver Biçku me Samid Robellin.
Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për emërimin e këshillit komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, i cili plotësua me dy propozimet e Lidhjes së Historianëve, Blerim Haziri e Ilir Vokshi, ndërkohë që AAK-ja do ta bëjë më vonë propozimin e saj, për të zëvendësuar Shaban Rexhepin, i cili është tërhequr nga ky këshill, për arsye të disa mospajtimeve, shkaku i refuzimit të dy propozimeve që ka bërë ai për Llashticë.
Kuvendi miratoi edhe planin e veprimit për përmirësimin e shërbimeve dhe punës në edukimin parashkollor.
Ndërkaq, grupi punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit Komunal për vitin 2017, ku përfaqësohen të gjitha subjektet politike, do të përbëhet nga: Nevzad Rushiti e Fatmir Hoxha (LDK), Riad Rashiti (PDK), Ibish Ibishi (AAK), Selvete Shurdhani (AKR), Bajram Hasani (i pa varur). LVV ka refuzuar ta dërgojë anëtarin e saj në këtë grup punues, me arsyetim se propozimet e tyre nuk janë përfillur vitin e kaluar.
Kuvendarët e kanë miratuar edhe projektin e manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, pas një arsyetimi të shkurtër që ka dhënë Shpresa Kurteshi, kryesuese e Komitetit të linjës, e cila ka propozuar që shuma e mjeteve të kërkuara prej 53 mijë euro, të zbritet në 40 mijë euro. Propozimi i saj është përkrahur nga vendimmarrësit komunalë, të cilët janë pajtuar që kjo shumë të mos jetë më e lartë se 40 mijë euro.
Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se manifestimi duhet të pasurohet me lojëra popullore tradicionale, ndërkaq Leonora Bunjaku ka pasur vërejtje te përbërja e grupeve punuese, ku përfaqësimi gjinor është simbolik.
Kuvendi është plotësuar me anëtarin e ri, Fatmir Hoxha (LDK) i cili ka zëvendësuar Arben Mehmetin, që është zgjedhur përfaqësues ligjor i Komunës dhe si pjesë e shërbimit civil, nuk ka të drejtë të mbajë post politik.
Kuvendi është detyruar sërish të vendos për përjashtimin nga seanca të këshilltarët Srgjan Mitroviq, i cili nga qeveria e Serbisë është emëruar kryetar i Komunës paralele dhe deri tani ka refuzuar të sjellë dëshmi me shkrim se është tërhequr nga këto struktura, të cilat në Kosovë janë ilegale.
Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se ky është qëndrim i të gjitha subjekteve politike që përfaqësohen në Kuvend Komunal, të cilat nuk pajtohen të bashkëpunojnë me Mitroviqin, derisa ai nuk deklarohet që këtu nuk përfaqëson interesa tjera, pos atyre të komunitetit që i përket. /2L ONLINE/