DYLON

Kute ekstremisht të ndryshme për krimet e luftës?!

Avatar photo Redaksia

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi, ka folur rreth deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë O’Connell.

Ja postimi i tij i plotë në profilin e tij në FB

EkoHigjiena

Kute ekstremisht të ndryshme për krimet e luftës?!

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell paska thënë: “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”.
Nuk kam si mos të pajtohem me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar – Ruairi O’Connell-i, “kriminelët nuk e kanë vendin në liri”. Por, a e kanë vendin në krye të shtetit ata që ishin kupola e krimit (pas shefave të tyre), ishin pjesë e pandashme e krimit dhe e gjenocidit në tri luftëra shkatërruese në ish Jugosllavi (në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë) dhe po ata sot të jenë shpresë e integrimeve evropiane e euro-atlantike? Pse dy kute të ndryshme edhe për çështje (krime) që nuk mund të krahasohen bash me asgjë? Mos të harrojmë, për një shekull, shqiptarët e Kosovës qenë të rrezikuar nga dëbimi e shfarosja.

Sipas kësaj logjike, ku duhet të jetë Nikoliq-i, Presidenti i Serbisë, Vuçiq-i, Kryeministri i saj dhe Daçiq-i, Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish zëdhënësi i Millosheviq-it? Apo atyre u lejohet çdo gjë, pse janë bijë të “popullit hyjnor” se kështu dëshirojnë ta quajnë veten politikanët dhe akademikët serb në Beograd.

Madje, ku duhet të jenë, kryepersonazhet e Raportit të Dick Martit të kthyer në Rezolutë të KE-së, mbi një bazë kryekreje të shpifur – të trafikimit të organeve (vërtetë një krim i tmerrshëm po të jetë bërë), mbi kryegënjeshtrën e shekullit të ri?! Nëse një ditë do të “guxoj” të dali e vërteta mbi këto gënjeshtra të shpifura te miqve te Millosheviq-it e të politikës së tij, Këshilli i Evropës dhe ata që e votuan dhe e besuan atë gënjeshtër të shpifur do të turpërohen, siç po turpërohet Kisha Katolike (Vatikani) pas pesë – gjashtë shekujve, për turren e druve ku u dogjën mendjet e lira të kohës vetëm pse e thanë një të vërtetë shkencore për boten që i rrethonte.

Pse Bota demokratike, bota që i di dhe i njeh mirë mundësit e veprimit e të operimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e heshtë të vërteten e luftës së Kosovës? Për ne shqiptarët është e qartë, atë/ato krim/e të tmerrshëm që e/i kryen serbet (se vetëm ata i kishin mundësit), po ua veshin shqiptarëve. Po, për krimet, gjenocidin dhe dhunimet e qindra mijëra shqiptarëve e shqiptareve (në shtëpitë e tyre) kush duhet të përgjigjet?

Vërtetë, ka ende njerëz në politikë, në medie e në diplomacinë evropiane, që nuk e dinë të vërtetën e luftës se Kosovës?

Unë thjeshtë nuk besoj! Le të thuhet e vërteta e ndjekjeve politike të njerëzve patriotë në Kosovë, sado e hidhur që të jetë! A nuk po behet kjo për të njollosur krye vlerën e lirisë se shqiptarëve – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?

Sivjet bëhen 103 vjet nga sakatimi (më shumë se përgjysmimi) i pamëshirshëm i Shqipërisë se katër Vilajeteve dhe i shqiptarëve nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.

Mos diçka ogurzezë po u përgatitet përsëri shqiptarëve (tani në Bruksel) edhe me miratimin e Isës dhe të Hashimit dhe e përkrahësve të tyre të verbër? Të cilët, interesin e brezave të se ardhmes e kanë qitur në anekënd publik, për interesat personale të tyre? Ku e kanë vendin këta njerëz? Mos të tillët, vendin e kanë në krye të shtetit? Pse po u duhet rikthimi i Serbisë në Kosovë? Dhe shih për ketë duhet t’ i mbajmë, Isën dhe Hashimin në pushtet.

Pse po i mbështesni veprimet e tyre të çoroditura, për të lënë zjarrin e ndezur në Ballkanin e trazuar? Të njëjtën gjë e patën thënë të urtit në vitin 1912/13. “Mos i copëtoni shqiptarët se do ta leni një vatër zjarri të hapur”! Koha tregoi se ata patën të drejtë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.