/2L ONLINE/ – Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar (KBN), të enjten, e ka zgjedhur kryesues të ri të kësaj trupe komunale në Gjilan, Kushtrim Kadriun, përfaqësues i Lëvizjes “Vatra”. Kryesuesi i deritashëm i KBN, Ismet Tafili ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja “Vatra” dhe rrjedhimisht ai është tërhequr edhe nga Komiteti. Kryesuesja e takimit, Miranda Bllaca, ka thënë se sipas marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit, kryesuesi i takon Lëvizjes “Vatra”.
Propozimi i bërë nga Artan Cani, që kryesues i KBN të zgjidhet Kushtrim Kadriu (Vatra), u përkrah edhe nga anëtarët tjerë, meqë Kadriu vjen nga Lugina e Preshevës dhe i njeh mirë problemet e shqiptarëve, këtu dhe atje.
Kadriu ka premtuar se do të punojë brenda kësaj trupe komunale në Gjilan, për t`ua lehtësuar problemet shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke nënvizuar se një hap i madh është bërë me miratimin e Rezolutës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe hapjen e Zyrës në Gjilan.
Në këtë drejtim, duhet bërë edhe hapa tjerë, ka thënë ai. “Shtetësia në Kosovë dhe Serbia në Luginë, janë dy problemet kryesore të shqiptarëve të Luginës së Preshvës”, ka thënë Kadriu.
Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar është themeluar sivjet dhe deri tani, atë e ka udhëhequr Ismet Tafili. /2L ONLINE/