Kushtrim Kadriu deklarohet edhe për projektin e Bulevardit
“Shumë qytetarë më kanë kërkuar mendimin tim për parkun, si në komente ashtu edhe në biseda private. Ky është qëndrimi im: Mos reagoni kot. Qytetarët kanë votuar për Bulevardin dhe Parkun”, thotë Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga Lëvizja “Vatra”.
Ai tha se qytetarët e kanë votuar Alban Hysenin me mijëra vota, ndërsa ai ka prezantuar vazhdimisht sheshin dhe parkun si pjesë të programit të tij qeverisës. Prandaj, reagimet për prerjen e lisave duken disi të çuditshme.
“Nuk ka kaluar shumë kohë që qytetarët e rizgjodhën Hysenin me një numër rekord votash. Gjatë gjithë fushatës ai ka prezantuar projektin e Bulevardit, një projekt i madh që në mënyrë të pashmangshme e shndërron qendrën e qytetit në kantier ndërtimi për një periudhë të caktuar”, shprehet Kadriu, transmeton 2LONLINE.
Sipas tij, është krejt normale që gjatë realizimit të projekteve të tilla të ketë prerje të disa drunjve, prishje të rrugëve dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore.
“Ndërsa ju që sot po reagoni, kur të nxirrni kundërkandidatë për kryetar komune, fillimisht sigurohuni që të dinë të lexojnë e të shkruajnë shqip, të jenë në gjendje të flasin para qytetarëve dhe të prezantojnë projekte konkrete për zhvillimin e qytetit”, ka thënë Kushtrim Kadriu, asamblist i “Vatrës”, në Kuvendin Komunal të Gjilanit. /2LONLINE/
