Gjilan – (2LONLINE) – Të enjten para Teatrit të Qytetit të Gjilanit nën organizimin e OJQ “All Forces Together”, nga Gjilani, është mbajtur një performancë e të rinjve me qëllim të sensibilizimit dhe pengimit të trafikimit me qenie njerëzore në Rajon, me theks të veçantë për lypsarët që vijnë në komunat e Rajonit (Gjilan,Viti e Kamenicë), bile edhe nga jashtë Kosovës e që dyshohet që përmes tyre përfitojnë persona me veprimtari kriminale.
Mirjeta Ramadani udhëheqëse e kësaj OJQ-je ka bërë të ditur se në bazë të një hulumtimi të tyre del se në bazë të rezultateve lypësit janë persona që po vijnë nga qytetet dhe viset tjera si dhe nga shtetet fqinje. Ata po ashtu po i japin imazh te keq regjionit në përgjithësi si dhe po paraqesin pasiguri në mesin e qytetareve të këtyre komunave.
“Ne kemi kërkesa te institucionet relevante që të bëjnë pengimin dhe mënjanimin e këtij fenomeni në shoqërinë tonë si dhe të marrin të gjitha masat për kapjen dhe marrjen në përgjegjësi te të gjithë atyre qe po merren me krim të organizuar si dhe me trafikim me qeniet njerëzore”, ka thënë Ramadani, sipas të cilës në bazë të hulumtimit të bërë me qytetarë lypësit në rajonin e Anamoravës vijnë në mënyrë të organizuar nga Komuna e Ferizajt ku ata edhe banojnë.
Mirjeta Ramadani tha tutje se grupet kriminale po i sjellin lypësit në mënyrë të organizuar me Kombibusë, kurse shpërndahen dhe barten nëpër qytet po e bëjnë edhe me Kultivator e sidomos fëmijët e vegjël nën moshën 11 vjeçare që është tejet rrëqethëse dhe trishtuese dhe tejet e dënueshme edhe me konventa ndërkombëtare mbi mbrojtjen e te drejtave të fëmijëve.
“Ne po ashtu ju bëjmë thirrje dhe apel edhe qytetareve të këtyre tri Komunave përmes kësaj Kampanje, që mos të bien pre e mashtrimeve dhe keqpërdorimeve nga këto grupeve kriminale të cilat përmes lypësve po arrin që bëjnë kontrabandim me njerëz dhe fëmijë, e sidomos me ata me kushte të rënda ekonomiko sociale. Po ashtu ju bëjmë thirrje Policisë, Prokurorisë si dhe organeve gjyqësore që të merren me luftimin dhe largimin e këtyre grupeve Kriminale si dhe largimin e lypësve me prejardhje nga viset tjera te cilët janë jashtë regjionit të Gjilanit, me qëllim të krijimit të Sigurisë dhe jetës normale për të gjithë qytetarët e Anamoravës”, thotë Ramadani.
Ajo shton tutje se gjendja e tanishme është tejet alarmuese dhe shqetësuese nga lypësit e viseve të tjera si dhe e përballueshme për qytetarët dhe bizneset e këtyre tri Komunave të cilat janë tejet të ngarkuar dhe të pasigurt, sidomos gjatë ditëve të tregut.
“Kampanja ka për qëllim sensibilizimin dhe mobilizimin e Komunitetit dhe institucioneve relevante që të sjellin rendë, qetësi dhe siguri për të gjithë qytetarët si dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore nga grupe të ndryshme kriminale që po operojnë në Kosove në përgjithësi dhe në Anamoravë në veçanti”, thotë Mirjeta Ramadani udhëheqëse e OJQ “All Forces Together”.
Ky Projekt është i financuar nga Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport nga Departamenti i Rinisë. /2lonline/