DYLON

Kush po e definon patriotizmin dhe vlerat njerëzore?!

Kush po e definon patriotizmin dhe vlerat njerëzore?!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Trimrron Rexhepi

Kush është Dejona Mihajli?!

EkoHigjiena

Pushteti që nuk kandidon!

Kush po e definon patriotizmin dhe vlerat njerëzore?!

Në politikën kosovare ekzistojnë figura që kanë poste, kompetenca dhe përgjegjësi. Pastaj ekzistojnë figura që nuk kanë nevojë për asnjërën prej tyre.

Këtu fillon historia e Dejona Mihajlit.

Një emër që nuk gjendet në fletëvotime, por që shfaqet pothuajse në çdo bisedë për pushtetin. Një person që nuk drejton asnjë ministri, por që përmendet sa herë flitet për ministrat. Një person që nuk kryeson borde, por që përmendet sa herë flitet për bordet.

Dhe pyetja lind natyrshëm:

Çfarë e bën kaq të rëndësishme?

Mos vallë ka ndonjë biografi shtetformuese që publiku nuk e njeh? Mos vallë ka ndonjë kontribut historik që nuk është treguar? Mos vallë ka fituar ndonjë mandat rekord nga qytetarët?

Asnjëra prej këtyre nuk duket të jetë arsyeja.

Prandaj fenomeni bëhet edhe më interesant.

Në një vend ku profesorë, akademikë, ekspertë dhe aktivistë kalojnë dekada të tëra duke ndërtuar kredibilitet publik për të fituar ndikim, perceptimi i krijuar është se dikush tjetër ka arritur të bëhet pikë referimi për emërime, avancime dhe vendimmarrje pa kaluar nëpër filtrat që demokracia zakonisht i kërkon.

Por ndikimi nuk ndalet vetëm te institucionet.

Në vitet e fundit është krijuar përshtypja se krahas bordeve dhe posteve, ekziston edhe një treg i padukshëm certifikatash morale. Dikush duhet të vendosë kush është patriot i mjaftueshëm, kush është intelektual i pranueshëm, kush është i denjë për respekt publik dhe kush meriton të përjashtohet nga rrethi i të virtytshmëve.

Dhe çuditërisht, emri i Dejona Mihajlit shfaqet shpesh edhe në këtë rol.

Jo si studiuese e historisë kombëtare. Jo si autore e ndonjë doktrine akademike. Por si pjesë e një mekanizmi politik që duket se e konsideron veten kompetent për të matur ndërgjegjen e njerëzve.

Kështu, patriotizmi nuk gjykohet më nga kontributi, por nga afërsia me vijën zyrtare. Dija nuk matet nga veprat, por nga bindja. Integriteti nuk buron nga karakteri, por nga pozicionimi politik.

Një profesor mund të humbasë vlerën e tij me një kritikë. Një intelektual mund të shpallet i pavlefshëm me një status në rrjetet sociale. Një veprimtar mund të degradohet nga patriot në armik brenda një dite të vetme.

Dhe e kundërta është po aq e vërtetë.

Mjafton një konvertim politik dhe papritmas njeriu rizbulohet si ekspert, vizionar dhe atdhetar.

Kjo është ironia e madhe e kohës sonë: njerëzit që dikur premtonin çlirimin e institucioneve nga arbitrariteti, sot perceptohen si ndërtues të një arbitrariteti të ri; jo gjithmonë me ligj, por me etiketime.

Prandaj pyetja nuk është më vetëm kush është Dejona Mihajli.

Pyetja është se si një person pa mandat publik arriti të lidhet në vetëdijen e qytetarëve me kaq shumë procese vendimmarrëse, me kaq shumë emërime dhe me kaq shumë gjykime morale.

Në fund të fundit, pushteti nuk është vetëm aftësia për të caktuar drejtorë.

Pushteti më i madh është aftësia për të përcaktuar se kush konsiderohet i denjë, kush konsiderohet i padëshirueshëm dhe kush ka të drejtë të flasë në emër të së mirës publike.

Dhe nëse një republikë fillon të besojë se këto kompetenca janë përqendruar te njerëz që nuk i janë nënshtruar kurrë gjykimit të qytetarëve, atëherë problemi nuk është më një individ.

Problemi është kultura politike që e ka bërë të mundur një gjë të tillë. /2LONLINE/