Isak BILALLI
(2L ONLINE) – Sot rajoni e ka kthyer vëmendjen nga Kosova për të parë sesi do të përballen kosovarët me sfidën më serioze që pas shpalljes së Pavarësisë. Nisur nga kjo, çdonjërin nga ne e pushton ndjesia e zhgënjimit për ç’ka aktualisht po ndodh në Prishtinë. Komentet e shumta dhe postimet e kosovarëve me vështrime e analiza nga më të ndryshmet, më ngacmuan edhe mua për të përcjellë reagimin tim nëpërmjet këtij shkrimi, jo për t’u dakorduar apo për të kundërshtuar , por për të reaguar si qytetar dhe për të nënvijëzuar kufirin e përgjegjësisë publike që i takon gjithsecilit nga ne.
Kjo zallamahi me bën të mendoj për njollosjen e imazhit të vendit nga këto protesta, dhe nuk mund te mos e filloj pa gërmuar fajtorin apo te provoj te gjej shkakun e kësaj katrahure.
Ndërsa shoh imazhet e rrëmujshme të Prishtinës se sotme, nuk mund të mos e fsheh mllefin ndaj klasës politike që drejton vendin, përkundrejt faktit që nga prononcimet zyrtare lexojmë një “pafajësi” dhe një zë të ngjirur që ne jemi shtet dhe protestat nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të marrë pushtetin. Një gjë është e sigurt që nga këto pozicione lexojmë shqeto që kjo është çështje pushtetesh por për cilin pushtet dhe të kujt, ngelet akoma e pashpjegueshme.
Kjo situatë sa absurde aq edhe banale vjen pikërisht nga këmbëngulja për të menaxhuar pushtetin apo për t’u orientuar drejt një zgjidhjeje që mesa duket ndodhet në qorrsokak. Mediokriteti duket sheshit dhe nuk ka nevojë për koment sepse kemi të bëjmë me një situatë ku njeri tabor edhe pse i aftë të kontribuojë në një zgjidhje emergjente preferon t’i hedhë më shumë shkarpa zjarrit madje të fërkojë duart e të ngrohet në zjarrin e madh. Ndërsa, në krahun tjetër kemi taborin i cili totalisht ka humbur busullën dhe sillet në menyrë të ngjashme me proverbin “për inat të nuses më vdektë djali”
Kjo pikë a arritur nuk është për t’u nënvleftësuar dhe realisht është alarmante dhe dramatike me pasoja potencialisht të pariparueshme, faturë që në fund nuk ka se kush ta marrë përsipër përveç pushtetarëve. Në këto rrethana, roli i Presidentes se vendit edhe pse i fjetur deri me tani, duhet të jetë me kumbues dhe konkret drejt zgjidhjeve të imponuara për të gjitha palët e përfshira në këtë situatë të stisur dhe krejtësisht artificiale. Rreziku është i dukshëm dhe trendi në rritje i tensioneve mes protestuesve dhe policëve pashmangshmërisht mund të na çojë në përshkallëzim të situatës, rrethanë në të cilën liderët e subjekteve politike duhet të veprojnë e jo t’i fryjnë syve.
Nga një vrojtim i shpejtë i miqve te mi në rrjetet sociale vura re që shprehet pakënaqësi për situatën e krijuar dhe vërtetojnë që vetëm Serbia fërkon barkun, e i bëhet zemra mal për këtë të vërtetë të madhe, por meqë jemi te fajtori dhe shkaktari nuk mund të lë pa përmendur turpin qe na ka shkaktuar klasa politike Kosovare, mediokre dhe diletante .
Në këtë absurditet është e papranueshme për mua, që Hickushi Jabllanoviç të shkaktojë një tërmet të këtyre përmasave katastrofale, për të cilën institucionet kosovare po tregohen totalisht të paafta. Thënë haptazi, ky është një bizaritet dhe është për të ardhur keq për politikbërësit kosovarë se si Hickushi me një deklaratë të (pa)menduar mirë lëndon me (pa)dashje popullin kosovar dhe krejt papritur bëhet i famshëm për 5 minuta , duke dale sunduesi i vetëm i kësaj odiseje. Paramendoni, se çfarë reputacioni në rritje deri në mitizim po arrin sot Hickushi, kur në protesta kemi pafund xhama të thyer, demolime, gurë nëpër rrugë, protestues të përgjakur, policë të lënduar për vdekje, fraktura të shumta, dhe përmes kësaj tablloje reale ky njeri është më i fituari, më i fuqishmi dhe mbi të gjithë ne.
Kjo është çmenduri e llojit të vet, për të cilën ndjehem vërtet i turpëruar se si një njeri i vetëm duke përdorur një teknikë fare të thjeshtë arriti të shkaktojë tërmet kaq të madh në popullin e Kosovës, që gjithashtu arriti te manipulojë tërë klasën politike të një vendi duke lozur si macja me miun.
Kjo se çfarë u tha ishte vetëm dufi që duhej të nxirrja, për të ndarë këtë brengë me të gjithë ju por arsyeja e këtij shkrimi përtej analizës së përshkruar, është të paraqes dhe të mbështes opinionin tim lidhur me trazirat. Protestuesit janë shtresa që në vetvete kanë të gjitha ngjyrat e nuancat dhe perfshijnë të gjitha shtresat dhe nivelet e mundshme. Ndaj, aty gjen fajtorë e të pafajshem, parimorë, konservatorë, tradicionalë, liberalë, ekstremistë, fondamentalistë, pse jo edhe prej atyre specieve që kokën e mbajnë të kthyer nga Hickushat dhe natën vrapojnë të fitojnë ndonjë kockë për të lëpirë gjatë ditës. Duke patur këtë kolorit kaq të gjerë populli ngelet ai që nëse vishet me faj, e sigurtë që ka për të mbetur jetim, andaj nuk ngelet fajtor tjetër përveç se ata që kanë mandat të udhëheqin vendin.
Në të gjithë këtë histori të trishtë populli nuk duhet fajësuar, kuptohet me përjashtim të individëve që dhunojnë qëllimshëm kufijtë e integritetit personal dhe publik, të cilët duhen penalizuar. Por ama ka një element që duhet spikatur dhe janë ata që po mbrojnë me çdo kusht brishtësinë e këtij vendi, Policët e Kosovës. Janë pikërisht këta gardianë të sigurisë dhe rendit që meritojnë dhjetën me flamur për punën që po bëjnë duke mbrojtur denjësisht themelet e këtij shteti të brishtë. Policia e Kosovës është ajo e vetmja që po dëshmon maturi, profesionalizëm dhe insistim në shtetbërjen.
Policët e Kosovës janë heronjtë e vërtetë dhe këtë duhet ta kuptojë çdo qytetar i Kosovës, pavarësisht bindjeve politike apo preferencave individuale, dhe jo të bien pre e artificeve banale. Përgjigjen çdo kosovar duhet ta kërkojë te lidershipi në forma dhe metoda civile, qoftë për Trepçën apo për Jabllanoviçin, duke e reflektuar situatën me objektivitet, për të shkuar sa më shpejt drejt një zgjidhjeje në të mirë të tyre.
Personalisht, lutem për jetët e policëve që janë në gjendje kritike dhe të gjithë atyre që qëndrojnë përballë stuhive, në ndërtimin e shtetit sepse vetëm këta janë heronjtë e vërtetë për mua.
Zoti e bekoftë policinë, dhe gjithë popullin e Kosovës këto ditë tejet të vështira.
Biseda ka përfunduar /2L ONLINE/