DYLON

Kush ishte kryetari i parë i Komunës së Gjilanit nga radhët e fëmijëve?

Kush ishte kryetari i parë i Komunës së Gjilanit nga radhët e fëmijëve?
Avatar photo Redaksia

Nisma kishte ardhur nga KFOR-i amerikan, në tetor të vitit 2001, përkatësisht koloneli Jack Kamerer, i cili, i impresionuar nga vizita e një grupi të nxënësve në kampin “Monteith”, kishte propozuar që posti i kryetarit të Komunës, t`i lihej për një ditë Egzon Bajrami. Sot, 17 vjet më vonë, “pushteti” i kryetarit iu besua nxënëses Rega Aliu.

Shkruan: Ilmi Musliu

Duke e vazhduar një nismë të pasluftës, Gjilani ia ka besuar sot pozitën e kreut të Komunës, nxënëses Rega Aliu. Ajo, së bashku me stafin e saj, të zgjedhur, Olti Suliqi, kryesues i Kuvendit të Komunës, Ledi Sylejmani, nënkryetar, Kanina Mehmeti, zëvendëskryesuese dhe Rona Aliu, shefe e kabinetit, si simbolikë e respektimit të të drejtave të fëmijëve, do ta drejtojnë Komunën e Gjilanit për 24 orë.

EkoHigjiena

Një ditë, ndonjëri nga këta fëmijë, mbase mund të jetë kryetar i Gjilanit.

Por, kur ka filluar kjo praktikë e “dorëzimit” të pushtetit tek fëmijët në Gjilan, me të drejta që të nënshkruajnë edhe ndonjë vendim gjatë ditës kur qeverisin dhe kush ishte kryetari i parë i Gjilanit ?

Nisma kishte ardhur nga KFOR-i amerikan, në tetor të vitit 2001, përkatësisht koloneli Jack Kamerer, i cili, i impresionuar nga vizita e një grupi të nxënësve në kampin “Monteith”, kishte propozuar që posti i kryetarit të Komunës, që edhe asokohe e mbante Lutfi Haziri, t`i lihej për një ditë Egzon Bajrami.

Nga kjo pozitë, më 15 tetor 2001, dhjetëvjeçari Egzon Bajrami u kishte bërë thirrje qytetarëve të Gjilanit, që t`i bashkëngjiten një aksioni për pastrimin e ambientit dhe të gjithë së bashku të krijojnë një mjedis më të mirë për jetesë.

Ndërkaq, koloneli Kamerer, asokohe tha se “unë do të isha shumë i lumtur po të kisha një fëmijë si Egzoni, i cili është shpresë për të ardhmen e këtij vendi”.

Nxënësi i klasës së katërt të shkollës fillore “Selami Hallaqi” të qytetit, tha se ndjehet i emocionuar nga përzgjedhja për ta imituar rolin e kryetarit të Komunës, që realizohej për herë të parë në Gjilan.

Premtimi i tij asokohe ishte se do të angazhohet që një ditë të bëhet kryetar i vërtetë i Komunës, por nuk kemi njohuri se ku ndodhet tani Egzon Bajrami, 17 vite pas.

Këtë të premte, pozitën e kryetarit të Komunës, e ka marrë për një ditë, nxënësja Rega Aliu, duke përvijuar kështu një traditë 17-vjeçare që është instaluar në qytetin e Gjilanit.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.