Kush do të jetë Kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit – A (s)’ka marrëveshje?!
Sot mbahet mbledhja e dytë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ku në rend dite është zgjedhja e kryesuesit të këtij organi. Deri më tani nuk ka asgjë publike për ndonjë marrëveshje të fituesit të këtyre zgjedhjeve Vetëvendosjes, me ndonjë subjekt që ka më shumë se 1 anëtarë në Kuvend.
Kuvendi i ka 35 anëtarë, ku 13 i ka Vetëvendosje, LDK-ja tani i ka 9 anëtarë, pasi Afërdita Balaj Ajdini ka bërë tashmë publike se nuk do të jetë pjesë e LDK-së, por do të jetë e pavarur, PDK-ja ka 5 anëtarë, AAK-ja 2 anëtarë dhe nga një anëtar i kanë: Vatra, Guxo, BNA, KDTP dhe LS.
Është përfolur se Nazim Gagica (AAK), mund të jetë ai që mund ta ketë besimin për t’i marrë votat e mjaftueshme për Kryesues, por duket se nuk është arritur akoma dakordimi mes Vetëvendosjes e AAK-së, për rrjedhojë, kjo alternativë pa marrëveshje të precizuar mund të bije nga kombinimi.
Aq më tepër, kur lëvizja e një këshilltareje nga LDK, në të pavarur, ka sjellë një situatë të re, ku Vetëvendosje tashmë mund të pretendojë se mund të krijojë shumicën vetëm me ata që kanë nga një anëtarë, pra pa iu dashtë AAK-ja dhe mund ta propozojë një anëtar të saj për kryesues, ku njëra ndër emrat e përfolur është edhe Krenare Latifi Kqiku.
Vetëvendosje me anëtarët nga BNA, Guxo, KDTP, Vatra dhe nëse llogaritë edhe në anëtaren e pavarur, mund t’i bëjë 18, që është shumica në një kuvend me 35 ulëse, pra pa pasur nevojë për subjektet me më shumë se 1 anëtarë si shembull me AAK-në, apo edhe me PDK-në.
Sidoqoftë ka akoma kohë për dakordim, nëse ka vullnet dhe luhet vetëm lojë “pazaresh”, njëra palë për ta ulë atë, e tjetra për ta rritur, dhe se mund të kemi edhe kombinime tjera.
E, duket se përpjekjet e fundit për marrëveshje janë duke u bërë edhe në këto momente për faktin, që seanca e Kuvendit Komunal e paraparë për sot në ora 10:00, është shtyrë për në ora 12:00, dhe këtë shtyrje, e ka konfirmuar për Portalin 2LONLINE, edhe Isa Agushi, që do të drejtojë seancat, si anëtari më i vjetër i Kuvendit, deri në zgjedhje të Kryesuesit.
Gjithsesi seanca do të mbahet, pra sot, më 6 janar 2026, me fillim në orën 12:00, në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu” dhe aty është vendi ku do të qartësohet kjo gjë. /2LONLINE/
