Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj. Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësishtë djegien e gomave – me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë.
Dënimi për të gjithë personat që djegin goma në hapësira publike, private dhe në natyrë është i përcaktuar edhe me anë të Udhëzimit Administrativ të MMPH-së NR. 14/2015 për Gjoba Mandatore, konkretisht përmes nenit 16, në të cilin thuhet:
“Me 100 euro gjobë dënohet personi që djegë goma të automjeteve, ose mbeturina tjera prej gome, në hapësirat private, publike, në rrugë, ose natyrë. Djegë mbeturina të ndryshme prej letre në hapësirat publike, në rrugë, ose natyrë”.
Kjo pasi që, siç vlerësohet, ndezja e gomave në mjedis të hapur, liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.
MMPH tërheq vërejtjen se dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.
Ndezja e zjarreve të tilla, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj.
Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.
Ministria e Mjedisit bënë me dije se janë angazhuar inspektorët, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet.