Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, AKR-ja nuk do të shuhet. Përkundrazi, ajo ka thënë se kjo parti do të vazhdojë të kontribuojë në shtetndërtimin e Kosovës dhe në forcimin e radhëve të saj.
“Në asnjë mënyrë Aleanca Kosova e Re nuk do të shuhet për shkak se ne besojmë që në skenën politike ka hapësirë dhe nevojë për AKR-në, sepse ajo çfarë ka ardhur deri më tani nga AKR-ja ka qenë vetëm pozitive për vendin tonë. Prandaj, besojmë se ende ka nevojë që AKR-ja të jetë faktor stabilizues e shtetformues me një ide e program të qartë ekonomik si dhe me vlera të mirëfillta liberal demokrate”, ka thënë Kusari-Lila në një intervistë për “Epokën e re”.
Ajo ka thënë se është absurde që një parti e cila ka kontribuar maksimalisht për shtetndërtimin e vendit të mos e kalojë pragun zgjedhor.
Ajo ka bërë me dije se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të mblidhen strukturat e partisë për ta analizuar humbjen e AKR-së në zgjedhjet e 8 qershorit.