Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i Fadil Vokrrit në dyvjetorin e vdekjes të kësaj legjende të futbollit. Përmes një postimi në profilin e tij, Kurti ka thënë se Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën.
“Bashkë me deputetët z. Shpejtim Bulliqi, znj. Saranda Bogujevci, z. Fitim Haziri dhe z. Yll Rugova nderuam veprën dhe jetën e Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit e të sportit, në dy vjetorin e vdekjes së tij”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Fitoret e Prishtinës ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën.
“Tregojnë bashkëlojtarët e tij me gjysëm shaka: ‘kur ndeshja ishte sfilitëse dhe donim të pushonim ia kalonim topin Fadilit’. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e vajzave e djemve tanë”, ka thënë Kurti.