Katastrofa natyrore e ka goditur Shqipërinë, dhe këto ditë nuk kemi mundur të festojmë përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, as 75-vjetorin e çlirimit të Republikës nga nazi-fashizmi. Tërmetet e forta dinë të gjunjëzojnë çdo shoqëri, janë të paparashikueshëm prej shkencës, e janë veçanërisht vdekjeprurës në vendet e varfra, me infrastrukturë të pazhvilluar, apo në vendet ku ligji e standardet ndërtimore nuk zbatohen siç duhet.
E megjithatë, Shqipëria që vizituam në mëngjesin e sotmë, edhe pse nuk e fshihte trishtimin e lotët, nuk ishte e gjunjëzuar. Populli i Shqipërisë e ai i Kosovës, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës e diasporës të gjithë janë bërë bashkë për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të atyre që fatkeqësisht kanë humbur jetën prej tërmetit, por edhe atyre qindra personave të lënduar e të traumatizuar, e shumë të tjerëve që janë dëmtuar ekonomikisht, një pjesë e mirë duke mbetur edhe të pastrehë.
Ndër zonat më të goditura ishin Durrësi e Thumana, vendet ku janë humbur më shumë jetë e rrënuar më shumë banesa. Andaj sot, së bashku me Enver Dugollin, Salih Zybën e Arbër Zaimin, i vizituam këto dy vende.
Në shkollën “Leonik Tomeu” në Durrës vizituam njërin nga vendet ku magazinohen ndihmat e dhuruara nga qytetarë të Shqipërisë e të Kosovës, e në stadiumin “Niko Dovana” u takuam me pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndër ta edhe kolonelin nga Shqipëria Arben Toska dhe koordinatorin e FSK për veprimet në Shqipëri, Nysret Buzhala e komandantin e njësitit të kërkim/shpëtimit, Kreshnik Limoni. Është për t’u përgëzuar angazhimi i tyre i përbashkët, dhe harmonia organizative e disiplina me të cilën ushtria i qaset këtyre rasteve emergjente. Forcimi i ushtrive të Shqipërisë e Kosovës do të duhet të ishte prioritet për qeveritë tona, sepse kjo do të ndihmonte përballimin e situatave të tilla, të cilat fatkeqësisht vijnë edhe papritur.
Më pas vizituam edhe Thumanën, ku biseduam me familjarë të viktimave, me banorë të qytezës, me vullnetarë të cilët punonin në kampin e tendave, por edhe me politikanë që kishin shkuar për vizitë aty. I ngushëlluam banorët, dhe u përpoqëm të mësojmë se si mund t’i ndihmojmë sa më mirë e t’u gjendemi pranë në këtë kohë të vështirë. Aktivistë të Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri e kishin vizituar Thumanën këto ditë, dhe kishin bërë një vlerësim të nevojave e të gjendjes, gjë që do të na ndihmojë në përgatitjen e ndihmave tona. Në Thumanë takuam edhe zv.kryeministrin e Shqipërisë, Erion Braçen, dhe ministrin e rendit, Sandër Lleshajn, bashkë me deputetet Lindita Nikolla dhe Eglantina Gjermeni. U shprehëm atyre ngushëllimet tona, dhe gatishmërinë e madhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të ndihmuar me çdo mundësi që kemi, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.