/2L ONLINE/ – Në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, kanë aderuar anëtarë të rinj të cilëve mirëseardhje u kanë dëshiruar deputeti i kësaj Lëvizjeje Albin Kurt, aktivisti i ri Dukagjin Gorani, deputeti dhe koordinatori aktual i Qendrës së LVV në Gjilan, Ismajl Kurteshi e të tjerë.
Albin Kurti, para të rinjve foli për situatën politike në vend dhe rolin e Lëvizjes dhe nevojën e forcimit të Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e realitetit në Kosovë. Ai tha se sondazhet e fundit nga organizata serioze po e nxjerrin Lëvizjen në vendin e parë.
“Ne si të parët do ta ç’kapim shtetin nga krimi i organizuar, ne nuk do ta burgosim askënd, por do ta pavarësojmë gjyqësorin i cili do të vendos për secilin rast veç e veç në mënyrë të pavarur. Ne do të angazhohemi që gjyqësori ta kryej punën e vetë në mënyrë profesionale. Ai foli edhe për rolin e aktivistit brenda Lëvizjes dhe në shoqëri në përgjithësi”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, koordinatori i Vetëvendosjes në Gjilan, Ismajl Kurteshi, tha se vendi ka nevojë për kontributin e të rinjve dhe se ata mund të kontribuojnë vetëm të organizuar në një organizim i cili është i gatshëm të punoj për interesat e vendit si që është Vetëvendosja.
Dukagjin Gorani, ju tha anëtarëve të ri se edhe ai është formalisht vetëm një javë në Lëvizjen Vetëvendosje, por ideja e Vetëvendosjes për te është e vjetër. Ai tha se nuk mjafton vetëm ta kesh librezën e Vetëvendosjes, aktivist i Lëvizjes duhet të jetë përherë aktiv.
Aktivistja e Vetëvendosjes në Gjilan, Adriana Halimi tha se numri i të rinjve që po aderojnë në Vetëvendosje kohëve të fundit është shumë i madh, sepse pakënaqësia e qytetarëve po rritet shpejt e Vetëvendosja po shihet si forca e vetme politike që mund ta nxjerr vendin nga kjo situatë. /2L ONLINE/