DYLON

Kurti: Kujtesa jeton, liria fiton!

Kurti: Kujtesa jeton, liria fiton!
Avatar photo Redaksia

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri homazhe pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, në përkujtim dhe nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti tha se jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25-të të atyre sulmeve.

EkoHigjiena

“Sot para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme: 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë, por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti ka shtuar se 441 prej viktimave, gati 15% të tyre, ishin reagues të parë, të cilët sakrifikuan jetën e vet për të shpëtuar qindra, ndoshta edhe mijëra, jetë të tjera.

“Vepra e këtyre heronjve, policëve e zjarrfikësve dhe jo vetëm, në atë ditë të errët, do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe të brezave të ardhshëm. Le të shërbejnë ata si shembuj të përhershëm për të gjithë ne, e në dalje të Muzeut Ground Zero, lash një shënim të thjeshtë para një viti: Memory lives, freedom wins, pra, Kujtesa jeton, liria fiton”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti shtoi po ashtu se Kosova qëndron përkrah ShBA-ve sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është e palëkundur. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.