/2L ONLINE/ – Lidhur me protestat e djeshme deklarohen edhe Republikanët e Kosovës (REK) dhe se sipas për herë të parë qytetarët e Kosovës në mënyrë masive shprehën pakënaqësinë ndaj kësaj qeverie, e cila me keq qeverisjen e saj, shtimin e papunësisë, rritjen e pasigurisë në vend dhe thellimin e krizës ekonomike po varfërojnë çdo ditë dhe më shumë këtë vend.
Faton Kurti, kryetari i Partisë Republikane të Kosovës, REK, ka thënë se qytetarët e Kosovës u ngritën të gjithë në këmbë për ti thënë ndal, njëherë e mirë kësaj qeverie dhe gjithë politikanëve të korruptuar dhe të pasuruar në kurriz të këtij populli. Mijëra e mijëra qytetarë kosovarë nuk protestuan sot vetëm për demarkacionin dhe asociacionin, ata në të vërtet protestuan kundër varfërisë së tej skajshme, papunësisë dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen e tyre.
Sipas tij, me këtë qeveri dhe me këta politikanë që sot kanë në dorë fatin e popullit, Kosova çdo ditë dhe më shumë po bie në duart e analfabetizmit qeverisë dhe politikanëve të korruptuar, të cilët drejtojnë vendin. E drejta e protestës është thelbësore në demokraci, por dhuna është e patolerueshme, ndaj ne si Partia, Republikanët e Kosovës dënojmë çdo lloj dhune nga cilido qoftë ai. Rruga drejt Europës ku ne aspirojmë nuk vjen me dhunë por me protesta demokratike dhe përmes votës së lirë.
“Ka ardhur koha që të gjithë sëbashku të themi, Enough is Enough – Mjaft është Mjaft – Shporruni. Ikni. Ktheni Shtetin Popullit. E vetmja alternativë dinjitoze , e cila vlerëson dhe ka ne qendër të programit të saj qytetarin, është Partia, Republikanët e Kosovës, e cila po punon çdo ditë dhe më shumë për një politikë dinjitoze si brenda Kosovës, por edhe me fqinjët tanë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, si Parti, Republikanët e Kosovës nuk ishin pjesë në këtë maskaradë 16 vjeçare të politikës në Kosovë, ju bënë thirrje të gjithë intelektualëve dhe popullit të Kosovës të bashkohen me ne, të bashkohen me Partinë, Republikanët e Kosovës , e cila do të sjellë ndryshimin që kërkuan sot në protestë qytetarët e zhgënjyer të Kosovës.
‘Ne si republikanë, po punojmë çdo ditë dhe më shumë për të dhënë një alternative më të mirë, një alternativë për qytetarët e Kosovës, të cilët meritojnë më shumë. Meritojnë, më shumë siguri, meritojnë një ekonomi të qëndrueshme, meritojnë më shumë zhvillim. Për ne si republikanë në thelb të gjithçkaje është shteti i fortë, i cili ndërtohet me zotërimin dhe zbatimin e Kushtetutës , përmbajtjen dhe sundimin e ligjit, edukim cilësor, ekonomi të zhvilluar, strategji punësimi, besim tek Zoti dhe Populli” ka thënë tutje Faton Kurti i republikanëve.
Sipas tij, si republikanë kanë një vizion të qartë për zhvillimin e Kosovës, ndaj kërkojnë nga të gjithë bashkëkombasit të i mbështesin dhe të bashkohen me ta për të realizuar ndryshimin e madh për vendin. /2L ONLINE/