Kurti i Vetëvendosjes pret në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić

Kurti i Vetëvendosjes pret në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić

Sot, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, pritën në takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës së Kroacisë, Zlatko Vnučec.

Barišić uroi Kurtin për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit. Ajo përmendi faktin që nga janari deri në qershor të vitit 2020, Kroacia do të jetë në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE), me ç‘rast do të angazhohet për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në këtë institucion. Më tutje, ajo u interesua për procesin e formimit të Qeverisë dhe prioritetet mbi të cilat do të ndërtohet programi i Qeverisë Kurti.

Kurti njoftoi Ambasadoren Barišić për procesin e negociatave me partnerin e ardhshëm të koalicionit qeverisës. Ai tregoi se programi i Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës tanimë është në fazën e përmbylljes, me ç‘rast po përfundon suksesshëm edhe procesi negociator, nga i cili do të rezultojë një Qeveri e ndryshimeve progresive. Qeveria e re për prioritet do të ketë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit brenda dhe jashtë institucioneve.

Të dyja palët u pajtuan që emigrimi i qytetarëve të shteteve të Ballkanit, veçanërisht i të rinjve, drejt vendeve të zhvilluara të Evropës, paraqet një problem të madh për rajonin. Fenomeni i ikjes së trurit po ulë kapacitetet për zhvillimin ekonomik në vend, pa marrë parasysh a ndodhë kjo në Kroaci, e cila tashmë është anëtare e BE-së, apo në vendet sikurse Kosova, të cilat kanë pasur pak përparim drejt integrimeve Evropiane. Në takim pati pajtueshmëri se zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij problemi kronik është ngritja e mirëqenies nëpërmjet zhvillimit ekonomik, dhe barazia para ligjit nëpërmjet luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Në fund të takimit, palët u pajtuan që t’i vazhdojnë raportet e mira dhe t’i zhvillojnë ato edhe më tutje, thuhet në komunikatë.

KOMENTE