Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kritikuar projekt-ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së kosovarëve në luftërat terroriste. Kurti ka thënë se Ligji nuk është në përputhje me vlerat e shqiptarëve.
Ja fjalimi i plotë i Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me projekt-ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Meqenëse po na vjen një projektligj i cili është përsëritje prej mandatit të kaluar, nuk kam se si të mos i përsëris disa gjëra që tashmë i kemi thënë në mars të vitit 2014. Një ligj nuk bëhet për një situatë të veçuar diku në botë pa e shkruar këtë gjë në mënyrë të qartë dhe të saktë. E, të gjithë e kemi parë që Siria dhe ISIS-i askund nuk përmenden në këtë projekt-ligj prandaj edhe pasojat e këtij projekt-ligji kanë karakter të përgjithshëm e jo të veçantë. Nuk mund të thuash që këtë projekt-ligj e kam për Sirinë dhe ISIS-in dhe konfliktin e armatosur atje, por nuk po e përmendi atë!
Në të njëjtën kohë, ne të gjithë e dimë që UÇK-në e kanë ndihmuar edhe luftëtarët që ishin shtetas të tjerë. Ata që erdhën nga Shqipëria e Maqedonia, si: Astrit Suli, Endrit Cara e Tahir Sinani, por edhe francezë e finlandezë që sot janë dëshmorë të UÇK-së.
Në projekt-ligjin për veteranët e UÇK-së që e miratuam më 13 mars të vitit të kaluar, neni 3, pika 1.3, te përkufizimet thuhet që veteran i UÇK-së është “qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së…”. Pra, Kosova është çliruar edhe duke ardhur njerëz nga shtetet e vendet e tjera për të na ndihmuar. Nuk është aspak e drejtë dhe e ndershme që të na pëlqejë që të tjerët të na ndihmojnë neve kur jemi të rrezikuar dhe ta ndalojmë në mënyrë absolute dhe kategorike ndihmën tonë ndaj dikujt tjetër, në çdo vend e në çdo kohë. Pra, s’bëhet fjalë për Sirinë këtu, meqenëse, po e përsëris e po e theksoj, fjala ‘Siri’ nuk figuron në projekt-ligj.
Edhe në të ardhmen neve mund të na shfaqet nevoja që të na ndihmojnë të tjerët, të na mbështesin e përkrahin, të solidarizohen me neve. Ky ligj do të funksionojë si pengesë dhe ky ligj na shpërfaq neve si njerëz egoistë e të njëanshëm çfarë shqiptarët tradicionalisht nuk kanë qenë. Ky ligj është kundër reciprocitetit si vlerë dhe gjithsesi është asimetrik.
Në të njëjtin kontekst, ne jemi dëshmitarë që shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrat e heronjëve shqiptarë si Asim Vokshi e Xhemajl Kada që shkuan vullnetarisht në luftën anti-fashiste në Spanjë. Me këtë projekt-ligj ne sulmojmë edhe historinë tonë, ata që i konsiderojmë vlerë dhe trashëgimi e kombit dhe shoqërisë sonë dhe krijojmë konfuzione te edukimi i brezave të rinj.
Ekstremizmat që shfaqen në shoqëri, jo vetëm tonën, nuk luftohen me ligje të panikut që marrin formë totalitare dhe mundësojnë persekutimin e qytetarëve. Këto ligje janë vetë ekstremiste dhe ato sulmojnë Republikën si rregullim shtetëror e shoqëror dhe janë në kundërshtim me idenë e Republikës.
Për të qenë më keq se kaq, ky projekt-ligj, po u votua sot dhe u bë ligj, do të shndërrohet në argument për azilantët e ardhshëm të Kosovës për në shtetet demokratike të Evropës e botës. Ministri i brendshëm dhe kjo qeveri po e nxisin dyndjen e shqiptarëve jashtë Kosovës edhe me këtë argument shtesë e të fuqishëm për të fituar azilin politik qytetarët që emigrojnë 16 vjet pas çlirimit të Kosovës. Nëpunësit shtetërorë në shtetet demokratike do të kenë para vetes një arsyetim të fuqishëm pse qytetari që duhet t’i nënshtrohet këtij ligji duhet dhënë azili politik.
Kushdo që i trajton ekstremizmat pa analizë e studim socio-ekonomik i cili i mundëson ekstermizmat është vetë qëndrim ekstrem. Pra, çështja është pse Kosova qenka bërë tokë pjellore për ekstremizma e jo thjesht ato ekzistojnë? Mendja jonë nuk bën të udhëhiqet nga fakticiteti i zhveshur dhe banal pa shkakësitë shoqërore e historike. Të merresh me pasojat pa analizuar dhe trajtuar shkaqet do të thotë ta mirëmbash problemin dhe të bëhesh pjesë e tij.
Nëse dikush do të shkonte të luftonte në anën e kurdëve në Kobane, kundër ISIS-it, ky ligj e dënon. Neutraliteti dhe përgjithësimi i këtij ligji janë papërgjegjësi. Pra, në fakt, ky ligj e mbron ISIS-in sepse i barazon ISIS-in dhe kurdët. Kjo është arsyeja pse ai ligji në Zvicër e përmend me emër ISIS-in, e nuk i barazon me kurdët. Nëse thua, në cilëndo luftë, në çdo kohë, për të gjithë, ISIS-i dhe kurdët që po i rezistojnë ISIS-it në Kobane janë të barabartë. Kjo është e padrejtë!
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Neve na nevojitet një ligj anti-terrorizëm i fuqishëm dhe një vendim i qeverisë për listën e organizatave të ndaluara ku pjesëmarrja është e dënueshme. Mirëpo, a e dini pse kjo qeveri nuk e bën ligjin anti-terrorizëm të fuqishëm dhe listën e organizatave të ndaluara? Për shkak se duhet të merremi me veriun pastaj. Ju po e shihni se si kjo qeveri është e gatshme ta luftojë terrorizmin anembanë botës veç te shtëpia jo. Pra, brenda Kosovës mos të luftohet, a sa më larg që të jetë, më shumë të luftohet terrorizmi! Ju e dini që qeveria në mandatin e kaluar as vrasjen e Enver Zymberit e as vrasjen e Selver Haradinajt nuk i ka cilësuar si akte terroriste. Dhe, sërish, a e dini pse? Se duhet të bëhen pazare me ata që iu kanë dhënë urdhra këtyre terroristëve me vra Enver Zymberin e Selver Haradinaj. Merreni me mend, ia kanë montuar eksplozivin në banesë ku fëmijët dhe gruaja janë plagosur kurse Selver Haradinaj ka mbetur i vdekur dhe ky nuk është quajtur akt terrorist!
Prandaj, këta nuk duan ligj anti-terrorizëm. Sepse këta duan të bëjnë pazare me ata. Dhe, pse nuk i bëjnë organizatat e ndaluara në një listë me vendim të qeverisë? Po i miratojmë edhe ne këtu. A e dini pse nuk e bëjnë? Se duhet të futet edhe “mbrojta civile” e veriut aty. Këta nuk duan ta fusin aty. Sepse prapë, duan të bëjnë pazare edhe me ata. Kjo është arsyeja pse ne nuk kemi ligj të fuqishëm anti-terrorizëm dhe nuk kemi listë të organizatave të ndaluara.
Edhe ky ligj, unë jam i bindur, është i shkruara me idenë që t’iu pëlqejë ambasadave. Por, unë besoj që kjo është shumë e dëmshme për ne. Ne duhet t’i luftojmë ekstremizmin në emër të Republikës dhe demokracisë në njërën anë, dhe në emër të vlerave të kombit shqiptar e të shoqërisë tonë në anën tjetër. Ne kemi mjaftueshëm vlera, traditë e dije për t’i luftuar ekstremizmat. Jo t’i luftojmë në emër të Amerikës apo në emër të civilizimit perëndimor. Sepse nëse e bëjmë këtë gjë e shndërrojmë Kosovën në fushëbetejë të përplasjes së civilizimeve. Kjo është tepër e dëmshme përveçse e padrejtë. Nëse dikush e lufton ekstremizmin islam në emër të perëndimit, ose të cilësdo fuqie perëndimore, kjo bën legjitime që edhe dikush tjetër, në emër të një fuqie tjetër mandej, t’i kundërvihet këtij civilizimi. Kombi shqiptar është mjaftueshëm i fuqishëm. Republika dhe demokracia janë parime dhe ide mjaftueshëm të fuqishme që ta luftojmë çfarëdo ekstremizmi. Nëse ti thua që po e luftojë në emër të perëndimit ekstremizmin islam ti po shpreh mosbesim në kombin shqiptar. Thua se kombi shqiptar nuk paska mundësi, vlera dhe aftësi që t’i luftojë ekstremizmat. Ky mosbesim në vetën tonë na delegjitimon neve. Prandaj, unë jam i bindur që mund ta shkruajmë një ligj tjetër shumë më të drejtë e shumë më të mirë se ky i cili është edhe i dëmshëm e jo veçse i gabueshëm e i padrejtë.
U dëgjua këtu që thanë se edhe serbët ose ortodoksët po shkojnë në Ukrainë për të luftuar kundër pushtetit demokratik atje e në anën e Rusisë. A po ua merr mendja që ky ligj do t’i ndal ata? Kë po provoni ta gënjeni? Këta ia falën sulmin terrorist atyre që e vranë Enver Zymberin e Selver Haradinaj tash po duan ta zënë atë që shkon në Ukrainë (sic.). Dhe, mos harroni që ky ligj nuk i kapë ata fare sepse ata e kanë dyshtetësinë. Prandaj, mendoj që duhet një ligj krejtësisht tjetër e jo ky që na kanë sjellë sot.
Ju faleminderit!