Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti dhe Sekretarja për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, po qëndrojnë për një vizitë treditore në Bruksel.
Delegacioni i VV-së, në kuadër të planit të takimeve, të hënën ka takuar Karl Vanlouwe, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, në Senatin e Parlamentit Federal të Belgjikës. Me këtë rast ata këmbyen pikëpamjet mbi marrëdhëniet Kosovë – Belgjikë si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
Pas këtij takimi, delegacionin e VV-së e priti edhe Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Multilaterale, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Jean Arthur Regibeau. Gjatë këtij takimi, Kurti potencoi rëndësinë e bashkëpunimit bilateral, duke vënë në pah vështirësitë e shumta në zhvillim të demokracisë, sundimit të ligjit dhe shtetit zhvillimor.
Regibeau potencoi se perspektiva evropiane për Kosovën lidhet kryekëput me përmbushjen e kritereve dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ai u pajtua në konstatimin se korrupsioni dhe lufta kundër këtij fenomeni janë esenciale për të arritur një zhvillim të kënaqshëm.
Në këtë takim u bisedua edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare me ç”rast palët u dakorduan se një proces i lirë dhe demokratik elektoral është i domosdoshëm për një shtet në zhvillim siç është Kosova. Me këtë rast u vlerësua edhe roli i mbikëqyrësve të BE-së në zgjedhjet lokale dhe avancimi i këtij misioni më shumë në mbikëqyrës statik.