Kurti bashkëbisedoi me studentë: Pesë pikat e rëndësishme për shkollimin e punësimin e të rinjve.

Kurti bashkëbisedoi me studentë: Pesë pikat e rëndësishme për shkollimin e punësimin e të rinjve.

Gjatë ‘Javës së Lëvizjes’, Lëvizja Studentore për Barazi (Studim-Kritikë-Veprim) organizoi në mjediset e Bibliotekës Kombëtare një bashkëbisedim të hapur me studentë rreth arsimit dhe zhvillimit ekonomik ku ftoi për të folur studenten Tropikë Agaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Në këtë bashkëbisedim me studentë u fol për Universitetin, ekonominë, dhe sfidat drejt një shoqërie që prodhon si dije, ashtu edhe vende të reja pune.

Tropikë Agaj në fjalën e saj tha se procesi agresiv i privatizimeve në Kosovën e pasluftës është shoqëruar jo vetëm me një rënie në ekonomi të konsumit por edhe me një pasivizim dhe bjerrje të vazhdueshme të rolit të universitetit në ekonomi dhe shoqëri. “Tashmë ekonomia është kapur, ngulfatur dhe monopolizuar nga oligarkë të mëdhenj, ndërsa universitetet janë mjaftuar vetëm si vende për rehatimin e anëtarëve dhe të klientelave të partive në pushtet.” – tha ajo, duke përmendur faktin se në buxhetin për vitin 2019 nuk është ndarë asnjë cent për kërkimet shkencore në Universitet. Universitetet pa kërkim shkencor nuk janë plotësisht universitete. Ne kështu i kemi të gjitha universitetet publike – tha ajo, duke shpjeguar se si mungesa e një strategjie për zhvillimin e vendit dhe klientelizmi i qeverive të pas luftës kanë sjellë në një çarje dhe hendek të madh mes arsimit dhe ekonomisë.

Kryetari Kurti në fjalën e tij tha se pas luftës kur ideja e neoliberalizmit dhe e tregut të lirë ishin aq dominuese, UNMIK-u por edhe qeveritë e mëpasme erdhën me tezën se në Kosovë ka papunësi për shkak se ka fuqi punëtore të pakualifikuar dhe se rrjedhimisht askush nuk vjen të investojë. Shumë shpejtë kjo gjë ndryshoi dhe të shumtë ishin ata që u shkolluan dhe u diplomuan por investimet nuk erdhën tek ne, ato shkuan vendeve përreth dhe ata më të kualifikuarit e lëshuan vendin.

Tutje, ai foli për pesë elementet kryesore që Lëvizja Vetëvendosje propozon për çështjen e arsimit. “Së pari, Lëvizja propozon një sistem të integruar dhe organik midis ekonomisë dhe arsimit, midis edukimit dhe arsimit, këto duhet të shkojnë dora-dorës dhe jo njëra pas tjetrës. Nuk mund të mendosh për shkollimin pa e menduar punësimin dhe nuk mund të mendosh për punësimin pa e menduar çfarë shkollimi ka ai që do të punësohet. Ky është ndryshimi kryesor që Lëvizja e ka në Alternativën e saj Qeverisëse karshi qeverive të mbrapshta të pasluftës.” – tha ai.

“Së dyti, Universiteti duhet të jetë jo vetëm vend për konsumimin e dijes, por edhe për prodhimin e saj dhe këtë e mundësojnë institucionet, një buxhet që tek ne është inekzistent, për kërkime shkencore.” – tha ai, duke shtuar se pa kërkime shkencore Universiteti do të filloj t’i ngjajë shkollës së mesme, e kur kjo të ndodhë atëherë do të duhet edhe një fakultet tjetër më pas. “Së treti, në Kosovë ka keqinvestime dhe paratë dërgohen në shtigje të gabuara. Ta zëmë 10-fish më shumë shteti i Kosovës i jep për asfalt sesa për Universitet. Këto keqinvestime për nga karakteri kanë dy elemente motivuese: elementi i parë ka investime aty ku mund të vidhet më shumë dhe elementi i dytë investimet nuk fokusohen në punësim por në kapital. Bechtel-it, diku 1 milion ia kemi dhënë në ditë, e diku 24 mijë ia kemi marrë si paga për punëtorët. Neve na duhen investime që sjellin punësim. Investime në ekonomi, jo në infrastrukturë të një ekonomie që nuk ekziston. Ky është elementi i tretë që Lëvizja Vetëvendosje do ta bënte ndryshe.” – tha Kurti.

“Së katërti, studentët më të mirë të nivelit master duhet të inkurajohen për të qëndruar brenda sistemit edukativ të nivelit të mesëm. Kemi nevojë për një freski në shkollat e mesme. Kjo do të bëhej kur studentët më të mirë të masterit nuk i lëmë të ikin por i mbajmë përbrenda sistemit arsimor.”

Dhe si pikë të pestë, kryetari Kurti përmendi rëndësinë e urëzimit të arsimit dhe ekonomisë, të bizneseve me Universitetin. Sipas tij, edhe në Zvicër edhe në Gjermani bizneset shkojnë te Universitetet por edhe Universitetet shkojnë te bizneset dhe Qeveria do të duhej ta mundësonte një urëzim të tillë në mënyrë që edhe hendeku i shkathtësive të urëzohet.

“Këto janë elementet kryesore që i parashohim se si të dalim nga kriza aktuale dhe të ecim përpara. Vullnetin e kemi, përvojat e të tjerëve janë duhet vetëm një qeveri tjetër e cila do t’i zbatojë ato.”- tha ai për fund.

KOMENTE