DYLON

Kurteshi: Qeverisja jonë garanton ujë të pastër, shkolla me dije dhe transport publik

Kurteshi: Qeverisja jonë garanton ujë të pastër, shkolla me dije dhe transport publik
Avatar photo Redaksia

Kandidati për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, e ka hapur tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet duke theksuar nevojën për ndryshim. Ai ka potencuar se ky ndryshim mundësohet nga një program i mirëfilltë, për të cilin tha se VV e ka prezantuar nëpër takimet e tubimet e shumta në gjitha lagjet e fshatrat e Gjilanit.

“Prioriteti numër një është se do t’ia heqim kundërmimin Gjilanit me sistem kanalizimesh dhe impiantesh moderne. Ky është prioriteti ynë kryesor, pasi ky është shqetësim i të gjithëve banorëve të komunës tonë, është shqetësim i imi dhe i juaji, në lagjet e qytetit dhe në fshatrat e Komunës së Gjilanit”, tha që në fillim të fjalës së tij Kurteshi, duke premtuar tutje investim prej 10 milionësh për zgjidhjen e kësaj çështjeje, konkretisht ndërtimin e 5 impianteve nëntokësore për përpunimin e ujërave të zeza në fshatra dhe 5 të tjerave në lagjet e qytetit të Gjilanit, mbi të cilat do të ndërtohen parqe me gjelbrim, e do të mbillen drunj e lule”, tha Kurteshi.

Si prioritet i dytë, Kurteshi tha se është që Gjilani të bëhet komunë për të ardhmen, pra fëmijë e të rinjët, me ç’rast shprehu zotimin për nëdertimin e dy shkollave të reja, katër çerdheve, pesë parqeve dhe 10 terreneve sportive në lagjet e fshatrat e Gjilanit.

EkoHigjiena

“Prioriteti ynë i tretë është transporti publik i standardizuar. Ne do të investojmë 4.8 milion euro që ta modernizojmë transportin publik në Gjilan, dhe që t’i lidhim fshatrat me qytetin me autobusë modernë me standarde të larta evropiane. Plani im qeverisës dhe i Lëvizjes Vetëvendosje për rregullimin dhe standardizimin e transportit publik do t’i lidhë 95% të fshatrave të Gjilanit me qytetin, si dhe do të shërbejë edhe për transport mes lagjeve. Mobiliteti urban është hap i madh drejt zhvillimit. Autobusët do të kenë orare fikse, të parashikueshme dhe do të jenë të rinj. Një linjë do t’i ketë 3 autobusë, e në Komunën e Gjilanit do të jenë 7 linja” është zotuar Kurteshi më tutje.

Ai ka shpjeguar secilën nga këto linja. Në prezantimin e tyre, ai tha se linja e parë do të jetë nga Karadaku, prej Stançiçit nëpër Shurdhan, Haxhaj, Zhegër, Lladovë, Llashticë e në Gjilan. E dyta nga Petroci (Petriti), Mireshi (Dobërçani), dhe Verbicë, Kmetoc, Përlepnicë e në Gjilan. E treta nga Bilinica, Pograxha, Uglari, Malisheva e në Gjilan. E katërta nga Gumnishta, Kravarica, Vrapçiqi, nëpër Cërnicë, Livoç i Poshtëm, e në Gjlan. Linja e pestë nga Zhegovci (Verbica e Zhegovcit), Bresalci, nëpër Livoç të Epërm, Pasjak, e në Gjilan, kurse e gjashta nga Kishnapola, Gadish, Ponesh, nëpër Livoç i Poshtëm, e në Gjilan. Si dhe, linja nr. 7 nga Muçibaba nëpër Pasjan, Velekincë, Gjilan.

“Këto janë tre prioritetet tona kryesor: uji i pastër, shkolla me dije dhe transporti publik, të cilat së bashku janë investime prej 20 milionë eurosh. Ne e kemi mundësinë, i kemi mjetet, dhe unë e kam përvojën dhe kontaktet e duhura për t’i siguruar këto investime, që do ta zhvillojnë të gjithë Gjilanin, dhe asnjë banor i Komunës së Gjilanit nuk do të mbetet pa u prekur nga ky zhvillim”, tha po ashtu Sami Kurteshi.

Kurteshi theksoi po ashtu se vendimi i tij i parë si kryetar do të jetë ndarja nga 100 euro për secilën nënë që lind fëmijë në Komunën e Gjilanit, si ndihmë për të përballuar shpenzimet e një lindjeje dhe dhuratë që Komuna ia bën një qytetari të ri të sapolindur në këtë komunë. E, më tej, u zotua për bashkëpunim të ngushtë me mërgatën, duke u zotuar se gjatë mandatit e tij do të krijohet një Zyra Komunale për bashkëpunimin me mërgatën.

“Po ashtu, plani jonë zhvillimor mendon edhe për fermerët, blegtorët, bujqit, pemëtarët, bletarët gjilanas. Ne do ta rindërtojmë tregun e gjelbër, të modernizuar. Prodhuesit tanë gjilanas, nga fshatrat e Gjilanit, do të kenë mundësi të vijnë çdo ditë që të shesin prodhimet e tyre. Tregu i ri i gjelbër, do të jetë me kushte higjienike e me standarde teknik e estetike të pakrahasueshme, që edhe të huajt do të vijnë të bëjnë foto aty, aq bukur do të duket, e jo si tani të turpërohen me gjendjen e mjerueshme”, ishte zotimi tjetër i Sami Kurteshit për Gjilanin.

Në fund, ai ka ftuar gjithë qytetarët pa dallim që në ditët e mbetura të angazhohen për ndryshim me 19 nëntor.

Sponsorizuar nga Vetëvendosje

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.