DYLON

Kurteshi: Nuk ka dhunë policore që mund ta thyej kundërshtimin tonë kundër të keqes

Avatar photo Redaksia

“Manifestimi dinjitoz i dhjetëra mijëra qytetarëve më 28 Nëntor në mbrojtje të Republikës kaloi pa asnjë incident falë kujdestarëve të organizuar nga Opozita e Bashkuar. Ndërhyrja pas përfundimit të Manifestimit me polici speciale dhe me njësitin policor anti-terrorist ishte e paramenduar. Të gjitha deklaratat e Qeverisë dhe Policisë së Kosovës para Manifestimit në lidhje me rrezikun nga sulmet terroriste, kishin për qëllim të përhapnin frikë, në mënyrë që të ulnin pjesëmarrjen në Manifestim – por ata nuk ia arritën qëllimit” – deklaroi Sami Kurteshi në konferencën e sotme për shtyp.

“Edhe deklaratat e Ministrit Abrashi ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! pas Manifestimit, vërtetojnë se Qeveria në datën 28 Nëntor ka vepruar me paramendim për ta shtypur dhe terrorizuar Opozitën.” Në vijim Z. Kurteshi prezantoi një përmbledhje të dëshmime të dhëna nga aktivistët që kanë qenë brenda Selisë së Lëvizjes gjatë ndërhyrjes policore”, tha Kurteshi.

EkoHigjiena

“Brenda zyrave të Lëvizjes më 28 Nëntor, Policia e Kosovës ka hyrë duke thyer xhamat dhe duke drejtuar armë zjarri automatike drejt aktivistëve që ishin në holl. Disa aktivistë i kanë shtrirë në tokë, disa i kanë tërhequr zvarrë nga duart ose nga flokët, rreth 40 djem e vajza të cilët nuk po bënin asnjë rezistencë. Aktivistët janë fyer me fjalët më të rënda. Disa aktivistë policia i ka futur në banjën e hollit, dhe i ka nxjerr me fytyra të nxira pasi i kanë rrahur. Një prej policëve ka dalë nga banja pasi kishte rrahur një aktivist duke bërtitur ‘Ku është Albin Kurti, ku është ai qen. Kam me e vra atë qen’. Një prej aktivistëve e kanë shtrirë të prangosur në tokë dhe policë të ndryshëm me radhë i kanë hipur sipër me çizme. Me dhjetëra aktivistë janë goditur me grushte para, gjatë dhe pas arrestimit. Një polic ka goditur me radhë të gjithë aktivistët e shtrirë ne holl. Kur një aktiviste është përpjekur të ndihmojë, ajo është kapur nga shalli që e kishte ne qafë, duke ia tërhequr deri sa ia kanë marrë frymën. Një tjetër aktivist është goditur me shufër në fytyrë nga policia duke ia thyer dhëmbët. Ndërkohë dy policë te tjerë kanë marrë një aktivist për ta dërguar jashtë objektit, aty kanë formuar një kordon policor për të mbuluar faktin që po e rrihnin deri në pikën që ia kanë marrë frymën.

Me maska në fytyrë, Policia ka hyrë në zyrën e mediave brenda Selisë së Lëvizjes me armë automatike duke thyer derën dhe duke drejtuar tytat e armëve të zjarrit në trup të aktivistëve. 6 personat që kanë qenë në zyrën e mediave janë arrestuar dhunshëm në vendin e punës. Ndaj tyre është hedhur sprej piperi, dhe janë goditur edhe me grushte në fytyrë. Policia ka shtënë me plumba gome në distance 3-4 metra larg nga aktivistët në këtë kat. Pasi janë prangosur aktivistët në këtë kat, edhe ata janë ofenduar me fjalët më të ndyra, dhe janë goditur me grushte, me shkelma, dhe me të pasmen e armëve të zjarrit. Ata janë tërhequr zvarrë nëpër shkallët e objektit. Ka patur aktivistë që janë rrahur deri në 10 minuta rresht pas prangosjes.

Ndërkohë, në një prej deklaratave të një aktivisteje që gjendej ne Bufenë e katit të gjashtë shkruhet si në vijim: ‘Ishin rreth 10 aktivistë që gjendeshim në mes të lokalit. Mbi 10 policë me maska dhe armë zjarri kanë thyer derën dhe me agresivitet dhe britma janë futur në bufe duke na detyruar të shtrihemi. E kanë kapur Albin Kurtin dhe duke e goditur me kondak të armëve e kanë hedhur te policët e tjerë. Një polic e kapi Albinin duke thënë ‘Ama mu qenin’. Më pas filluan të na arrestojnë ne të tjerëve. Fitore Pacollin e shkelmuan në bark dhe kokë. Arianit Beqirin e shtrinë në tokë dhe filluan ta rrahin. Ylli Hoxhën e shtrinë në tokë dhe një polic i hipi përmbi përderisa qeshej me kolegët për aktin e tij. Një polic, mua ma drejtoi tytën e armës në kokë dhe me këmbë më godiste në mënyrë që të shtrihesha. Një lëvizje e vogël e kokës mjaftonte që aktivistët të goditeshin edhe më rëndë.’”

Sami Kurteshi shpjegoi se dhuna ka vazhduar edhe brenda Stacionit të Policisë – Qendra në Prishtinë: “Një numër policësh i kanë pritur aktivistët në korridorin e Stacionit, të cilët futeshin të prangosur në stacion. Policët janë ndarë në dy rreshta, dhe ndërkohë që aktivistët në pranga kalonin në mes, policët i godisnin me shkelma e me grushte, duke i rrezuar edhe në tokë. Në stacionin e policisë, disa aktivistët janë rrahur për t’i detyruar të nënshkruajnë dokumente të cilat policia as nuk i ka lejuar që t’i lexojnë.”

E gjithë kjo ndërhyrje e policisë ka qenë e kundërligjshme dhe pa vendim gjykate. Arrestimi dhe bastisja e zyrave të Lëvizjes ka qenë e kundërligjshme dhe pa vendim gjykate. Asnjë dokument nuk është paraqitur nga Policia e cila i ka larguar të gjithë personat nga Selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e ka mbajtur Selinë në kontroll për rreth 5 orë rresht pa lejuar askënd që t’i afrohej. Gjatë kësaj kohë policia ka patur mundësi të fabrikojë prova për t’u përpjekur të legjitimoi ndërhyrjen e saj. Në këtë përpjekje policia ka konfiskuar të gjitha videoinçizimet e kamerave të sigurisë së Selisë së Lëvizjes, dhe ka konfiskuar edhe serverët për t’u përpjekur që të zhduki të gjitha gjurmët e krimit të saj.

Në fund Sami Kurteshi kujtoi edhe një herë deklaratat e dhëna nga organizatat vendore dhe ndërkombëtarë, si Amnesty International, QKMRT, KMDLNJ si dhe Shoqëria Civile, të cilat kanë bërë thirrje për hetime lidhur me aksionin e policisë. Ai kërkoi që për këtë çështje të angazhohet edhe Avokati i Popullit për të grumbulluar dëshmitë ndaj shkeljeve që kanë ndodhur atë ditë. Z. Kurteshi deklaroi se Lëvizja VETËVENDOSJE! është dukë përgatitur një kallëzim penal për ngjarjet e datës 28 Nëntor i cili do të dorëzohet në Prokurorinë e Shtetit dhe tek të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare që punojnë për të drejtat e njeriut. Ai e mbylli deklaratën e tij duke thënë: “Nuk ka dhunë policore që mund ta thyej kundërshtimin tonë kundër të keqes”.