/2L ONLINE/ – Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, Ismajl Kurteshi ka akuzuar qeverisjen komunale të Gjilanit se po e harxhon buxhetin në mënyrë të paligjshme, duke bërë shumë shkelje ligjore, e shkelje të tilla të rënda, sipas tij, janë bërë edhe në Zyrën e Prokurimit në këtë Komunë, ku ka keqpërdorime të shumta e që shihen edhe nga konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm lidhur me keqmenaxhimin e kontratave.
“Bazuar në rezultatet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Gjilanit nga Transparency International Kosova (TIK), Komuna e Gjilanit në vitin 2014 për projekte kapitale dhe mallra e shërbime i ka shpenzuar 7.3 milion euro, përmes prokurimit publik. Komuna e Gjilanit, sipas TIK-ut, gjatë vitit 2014 pati bërë 49 njoftime për kontrata kurse i ka bërë 79 njoftime për dhënie të kontratave, nga kjo del se për 30 projekte nuk ka pas fare njoftim për kontratë”, tha Kurtehsi.
Ai shtoi se auditori i përgjithshëm ka konstatuar se Komuna e Gjilanit i ka menaxhuar dobët kontratat dhe kjo ka ndikuar që punët të kryhen me vonesë dhe të rriten obligimet.
Kurteshi që njëherësh është edhe deputet i Parlamentit të Kosovës tha se ka shkelje të shumta ligjore nëpër sektorë të ndryshëm dhe përmendi këtu se Komuna e Gjilanit i ka kompensuar punëtorët e saj të brendshëm në cilësinë e organeve mbikëqyrëse dhe për pranim teknik me 1% të vlerës së projektit. Po ashtu Auditori nuk është marr me kualitetin e punimeve por ato janë nën çdo nivel, e as me zvarritjen e procedurave të prokurimit që po ashtu jan ëevidente.
Sipas Kurteshit, këto gjetje paraqesin shkeljet rënda ligjore, për të cilat prokuroria duhet t’i fillon menjëherë hetimet.
“Ndaj vendimeve të pa ligjshme të zyrtarëve të Gjilanit, reaguan edhe Ministria e Financave dhe ajo Administrimit të Pushtetit Lokal. Një komision i përbashkët i këtyre dy ministrive në janar të këtij viti ka konstatuar se neni 3, pika 1 e rregullores për taksa, ngarkesa e gjoba është në kundërshtim me Ligjin për Financa Lokale. Komisioni ka kërkuar nga Kuvendi Komunal dhe Kryetarit të Komunës që rregulloren e lartpërmendur ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi”, tha ndër të tjera Kurteshi, përderisa fliste edhe për 71 paditë e ngritura ndaj Komunës së Gjilanin. /2L ONLINE/