/2L ONLINE/ – Ismajl Kurteshi, kreu i Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, ka ftuar gjilanasit që t’i bashkohen opozitës në protestën e 18 prillit në Prishtinë, kundër kapjes së shtetit. Kurteshi ka bërë me dije se opozita do të jetë e organizuar për protestën e të shtunës edhe nga Gjilani, dhe tha se do të protestohet për ndryshime të gjendjes së përgjithshme në vend dhe për të ndalur degradimin e mëtutjeshëm në të gjitha fushat e jetës.
Sipas Kurteshit, protesta do të jetë paqësore duke i ftuar të gjithë protestuesit të protestojnë qetë, ndërsa, për ata që mund të mos protestojnë në këtë mënyrë ai tha se do të konsiderohen si të huaj dhe se do të distancohen nga ta, ndërkohë që ka porositur edhe Policinë e Kosovës që të jetë e matur, të mos provokojë masën por të jetë tejet profesionale.
Kurteshi ka thënë se edhe kjo qeverisje e tanishme po keqqeverisë me vendin sikurse të gjitha qeveritë e deritanishme. Sipas tij, si rrjedhojë e kësaj keq qeverisje ekonomia e vendit aktualisht është keq, e në disa fusha siç është privatizimi, nga i cili kanë përfituar vetëm pushtetarët dhe partnerët e tyre afaristë, është edhe me keq.
Kurteshi tha se edhe në aspektin politik, zgjidhjet që kanë rezultuar nga bisedimet pa kushte me Serbinë e kanë dëmtuar pa masë sovranitetin e vendit dhe funksionalizimin e tij.
“Kjo situatë tani më është bërë e padurueshme dhe po vazhdon të keqësohet. Me ndërprerjen e këtij procesi degradues nuk po mjaftojnë debatet dhe vërejtjet e qytetarëve, opozitës dhe shoqërisë civile. Këtë gjendje mund ta ndryshojnë vetëm qytetarët aktiv, përmes të gjitha metodave të lejuara demokratike”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi ka përmendur edhe njëherë qëllimet e protestës si zbritja e energjisë elektrike, të shpëtimit të Trepçës nga privatizimi, të kthimit të RTK-së në shërbim të qytetarëve, të vënies para përgjegjësisë të kryetarit të gjykatës kushtetuese si dhe pengim të shumë projekteve të dëmshme që po i përgatiten Kosovës.
Për këtë, sipas tij opozita, shoqëria civile sindikatat e qytetarëve do të protestojnë me 18 prill në Prishtinë në ora 14:00, e ku edhe nga Gjilani do të ketë nisje të organizuar nga kompleksi i shkollave të mesme. /2L ONLINE/