Kurteshi-Emini: Rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste duhet të harmonizohet me sugjerimet e dëgjimit publik

Kurteshi-Emini: Rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste duhet të harmonizohet me sugjerimet e dëgjimit publik

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të martën, nën kryesimin e Shpresa Kurteshi-Eminit, ka shqyrtuar projekt-buxhetin për vitin 2020 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2021-2022, rregulloren për taksat, ngarkesat dhe gjobat komunale, propozim-vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit të Komunës për vitin 2019, kërkesën për renovimin e shtëpisë së familjes Shabani në Përlpenicë si dhe një informatë të Drejtorisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor dhe të gjitha këto pika i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Në të vërtetë, kërkesa e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për ndarjen e një shume prej 10 mijë euro, për nevoja të renovimit të shtëpisë së familjes Shabani në Përlepnicë të Gjilanit, si dhe rregullorja për orarin e punës së subjekteve afariste, e cila nuk ishte paraparë për këtë seancë, kanë nxitur një mjaft polarizues në këtë takim ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Sa i përket ndihmës për familjen Shabani, sipas opozitës nuk është zgjedhur koha e duhur për të ndihmuar, megjithëse propozimi u miratua në mënyrë unanime.

Ndërkaq, opozita këmbënguli për të përfshirë në rend të ditës së kësaj seance edhe rregulloren për orarin e punës së subjekteve afariste, sipas marrëveshjes së mëhershme, e cila gjatë kësaj jave duhet të kalojë në dëgjim publik.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se rregullores për orarin e punës së subjekteve afariste i duhet edhe pak kohë, për t`u formësuar dhe harmonizuar me propozimet dhe vërejtjet nga dëgjimi publik, që është paraparë të mbahet më 20 shtator. Ajo u shprej e bindur se rregullorja do të jetë gati për seancën e tetorit, pasi t`i kalojë edhe procedurat tjera paraprake.

Ndërkaq drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemajli ka sqaruar se familja Shabani ka persona të sëmurë dhe nevoja për rinovimin e shtëpisë, është urgjente, duke mohuar kategorikisht çdo mundësi që ky rast të ketë ndërlidhje me fushatën zgjedhore.

Përndryshe buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2020, sipas qarkores buxhetore për Komuna, do të jetë mbi 27.5 euro, për vitin 2021 – rreth 28.5 milionë, derisa për vitin 2022 – mbi 29.5 milionë euro.

Me rekomandim të MAPL-së, është bërë rishikimi i rregullores për taksa komunale, te pjesa që ka të bëjë me ndërtimet, ku Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vlerësuar se nuk është në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi.

Sa i përket vitit të ri shkollor, sipas informatës së Drejtorisë së Arsimit, procesi ka filluar mirë e mbarë në të gjitha shkollat, ku sivjet mësimet i vijojnë 17.233 nxënës.

KOMENTE