/2L ONLINE/ – Kreu i Lëvizjes vetëvendosje, Qendra në Gjilan, Ismajl Kurteshi ka kritikuar qeverisjen aktuale në Gjilan edhe sa i përket çështjes së emërtimeve të rrugëve , shesheve dhe institucioneve, të cilat sipas tij nuk po bëhen si duhet.
“ Është hera e katërt, në 16 vitet e pas luftës, që institucionet komunale në Gjilan merren me emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve arsimore dhe atyre shëndetësore. Po merremi aq shpesh me emërtime sepse këtë punë si shumë punë të tjera nuk po i bëjmë mirë, shpesh po mundohemi ta shkruajmë historinë bazuar në dëshira a interesa e jo në fakte”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, iniciatorët, kësaj pune i kanë hy pa përgatitjet e duhura, pa kritere të mirëfillta, pa arsyetim të mirëfilltë të propozimit nga propozuesi, pa procedura të përcaktuara çart ose duke mos i respektuar ato, pa angazhim të duhur për identifikimin e vlerave të mirëfillta, me numër të konsiderueshëm të anëtarëve të komisioneve që ju mungojnë njohurit e nevojshme për ta krye këtë punë me kompetencë, ose anëtar të komisionit që shpesh punojnë nën presion politik.
“Në situata të këtilla ndodh jo vetëm të propozohen ata që nuk i plotësojnë kriteret që emrat e tyre t’i vihen një rruge, sheshe a institucioni, por ka raste kur propozohen edhe të atillë që i kanë sjell dëm vendit. E në anën tjetër “harrohen” atdhetar të shquar që nuk ju kanë takuar tarafeve politike që aktualisht vendimet po i marrin me mbivotim ose me fushata nënshkrimesh”, ka thënë Kurteshi.
Ai tha se një formë e re e emërtimeve të fundit është grumbullimi i nënshkrimeve si argument për të emërtuar ose ndërruar emërtimet aktual gjë që paraqet një dukuri të dëmshme që mund të qon drejt padrejtësive dhe pakënaqësive të panevojshme. Kjo dukuri po ashtu do të qon drejt vrapit për nënshkrime për të emërtuar e riemërtuar, pa qar kokën për vlerat dhe kontributin që do të duhej ta kishte dhënë për vendin i propozuari.
Kurteshi, që është edhe deputet i kuvendit të Kosovës, ka thënë tutje se loja e ndërrimit të emrave, pa arsye të dokumentuara me shkrim, që do të futeshin në procesverbal dëshmon për mungesë të seriozitetit për një çështje kaq të ndjeshme.
“Për të mos ndodhur kontestime, që do ta prodhonin raundin e pestë të emërtimeve komisioni i emërtimeve do të duhe, të respektohen procedurat dhe kriteret për të propozuar dhe emëruar, të caktohet dhe respektohet përqindja e veprimtarëve sipas fushave, përfaqësimit të minoriteteve dhe emrave të personaliteteve botërore e kështu me radhë, secilit propozim duhet t’i parapri arsyetimi me shkrim nga propozuesi, kurse komisioni duhet ta vlerësoj se a i plotëson kriteret e përcaktuara i propozuari, komisioni duhet maksimalisht t’i ik ndërrimit madje edhe lëvizjes së emetimeve, e në rastet e arsyetuara mirë e me fakte, të mbështetet në argumente shumë të forta, sepse nëse bie në lojën e nënshkrimeve kjo do të jetë shumë e dëmshme dhe aspak serioze, komisioni vendimet duhet t’i merr me konsensus e jo me shumicën e votave”, ka thënë Kurteshi i Vetëvendosjes
Sipas tij, nëse vazhdon kështu si ka filluar me imponime, pa kritere, e me procedura të shpejtuara, pa arsyetime dhe me procesverbal të pjesshëm, ky komision i dominuar nga LDK-ja dhe satelitët e saj, raundi i ri i emërtimeve do të ndodh shpejt, e një gjë e tillë nuk i duhet askujt. /2L ONLINE/