Kurteshi: Besimin që morëm do e kthejmë me besim e angazhim për qytetarin

(2L ONLINE) – Ismajl Kurteshi nga Vetëvendosje është njëri nga ata që kanë fituar besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe se në këtë drejtim ai tha se zotohet para të gjithë qytetarëve e sidomos atyre që me votën e tyre ia besuan përfaqësimin e tij dhe të tjerëve nga Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, se besimin e tyre do t’ua shpërblejnë me angazhim në zgjidhjen e drejt të problemeve me të cilat po ballafaqohet Vendi, Anamorava dhe Gjilani.

“Ne i njoftojmë qytetarët se nga muaji gusht këshilltarët komunal dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjilani do të qëndrojnë nga e hëna deri të shtunën nga dy orë në zyrat e Lëvizjes me qëllim të takimit të qytetarëve që kanë nevojë me i takuar përfaqësuesit e tyre qoftë të nivelit komunal apo të nivelit republikan”, ka thënë Kurteshi.

Përndryshe, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan i falënderon të gjithë qytetarët për kontributin që e kanë dhënë për organizimin e zgjedhjeve të qeta dhe për përkrahjen që ja kanë dhënë programit dhe kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurteshi ka thënë se në këto zgjedhje që u cilësuan si të mira u ballafaquam me blerje industriale të votave, premtime të pa lejueshme dhe të parealizueshme nga oponentët politik dhe ishte evident presioni mbi votuesit.

“Ka pas raste kur punëdhënësit kanë bërë presion mbi punëtorët e tyre që jo vetëm ata por edhe anëtarët e familjeve të tyre të votojnë për punëdhënësin kandidat për deputet, nuk kanë munguar as presionet e zyrtarëve në institucione. Përkundër faktit se në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje edhe në nivel të vendit edhe në Komunën e Gjilanit ka shënuar rritje ne nuk jemi të kënaqur me suksesin e arritur”, ka thënë Kurteshi. /2L ONLINE/

KOMENTE