(2L ONLINE) – Festa e Kurban Bajramit po afrohet, ndërsa të gjithë ata që dëshirojnë të blejnë e më pastaj të therin Kurban, për këtë mund të blejnë delet, të cilat kësaj here do të jenë me certifikatë mjekësore, të lëshuar nga veterinarët.
Për shkak që sëmundja “gjuha e kaltër’, ka prekur delet edhe të fermerëve të kësaj ane, ka pas një hezitim tek qytetarët gjilanas për blerjen e kurbaneve, por drejtuesit e Drejtorisë Komunale të Bujqësisë kanë bërë të ditur se delet të cilat kontrollohen nga mjeku veterinar dhe për të cilën lëshohet certifikata mjekësore, mund të blihen lirisht, të theren për kurban dhe mishi i tyre të përdoret.
Ramiz Ramadani, drejtori i Drejtorisë Komunale të Bujqësisë në Gjilan, ka bërë me dije për Portalin 2L ONLINE se është gjetur një zgjidhje edhe për këtë dhe se ato dele që nxirren për shitje duhet së pari t’u nënshtrohen kontrollit të mjekut veterinar i cili për këtë do të lëshojë edhe një certifikatë mjekësore.
Ai tha se këtë certifikatë e lëshon mjeku veterinar i Kompanisë që është e kontraktuar për komunat përkatëse e në këtë rast tek ne është kompania “Fauna’. Sipas Ramadanit, për shkak të situatës së ndjeshme certifikata mjekësore mbi delen e shëndosh do të vlejë 24 orë.
Driton Zeqirin, shef i Stacionit Veterinar në “Fauna”, ka konfirmuar për Portalin 2L ONLINE, se tani më janë duke punuar në terren, duke i kontrolluar tufat me dele tek fermerët e ndryshëm dhe për delet e shëndosha lëshohen certifikata shëndetësore, derisa ato të dyshimta se mund të jenë të prekur nga “gjuha e kaltër’ largohen nga tufa.
Zeqiri ka thënë se ato dele që kanë certifikatë mjekësore lirisht mund të blihen dhe të përdoret mishi i tyre. Ai ka bërë me dije se certifikata në fjalë, e lëshuar nga ta, vlen vetëm për territorin e komunës së Gjilanit dhe për periudhën 24 orëshe.
“Pas kësaj kohe, sërish dalin veterinarët dhe e bëjnë kontrollin e tufave, për të mos lejuar kështu asnjë dele të dyshuar se mund të jetë prekur nga sëmundja, të tregtohet”, ka thënë Zeqiri.
Përndryshe, edhe në Komunën e Gjilanit ka pas fermerë që “gjuha e kaltër”, u ka ra ndër dele, dhe disave edhe iu kanë ngordhur ato, ndërkohë që po vazhdon përpjekja e institucioneve përkatëse për t’u ndërmarrë të gjitha masat që kjo sëmundje, që po shkaktohet nga mushkonjat, të trajtohet-mjekohet e të mos përhapet tutje. /2L ONLINE/