Kur uniforma abuzohet, besimi në institucione thyhet!
Shkruan: Arlind Vokshi – /autori është biri i një ish-polici i gjeneratës së parë në Kosovë, shkrimi vije pas rastit në Lipjan (Vdekja e një qytetari dhe reagimi i zyrtarëve policorë në këtë incident)/
Dhuna, në çfarëdo formë dhe rrethane, është e papranueshme. Ajo nuk sjell rend, por përshkallëzim. Kur përdoret gjatë një arrestimi apo ndërhyrjeje policore, sidomos ndaj qytetarëve të paarmatosur, ajo nuk është më mjet ligjor –por dështim institucional. Sepse gjithçka që fillon me dhunë, mund të përfundojë në tragjedi.
Si qytetar dhe bir i një polici nga gjenerata e parë e Policisë së Kosovës pas luftës, më takon ta them me zë të plotë: Policia e Kosovës ka shumë gra e burra që e mbajnë uniformën me nder, përgjegjësi dhe përkushtim. Kam pasur fatin t’i njoh nga afër. Janë profesionistë, të heshtur, të përkushtuar dhe shpeshherë të nënvlerësuar.
Por, nuk mund të mbyllim sytë para realitetit se brenda këtij institucioni ka edhe individë që e keqpërdorin uniformën. Disa nga gjeneratat e reja e kuptojnë forcën si mjet për të ndërtuar imazh në publik, jo për të zbatuar drejtësinë. Krijojnë frikë, jo siguri. Autoritet, jo respekt.
Policia është për të shërbyer, jo për t’u shfaqur. Kur dikush ngatërron detyrën me arrogancën, e dëmton jo vetëm qytetarin, por edhe dinjitetin e institucionit që përfaqëson.
Heshtja ndaj këtyre rasteve nuk është neutralitet është bashkëfajësi.
Prokuroria duhet të ndërhyjë menjëherë dhe të marrë masa konkrete ndaj këtij rasti (Vdekja e një qytetari në Lipjan dhe reagimi i zyrtarëve policorë në këtë incident).
Polici që abuzon me forcën nuk përfaqëson rendin, por rrezikun. Duhet të kuptohet njëherë e mirë: me i shërby vendit është krenari jo mënyrë për të krijuar fatkeqësi. /2LONLINE/
