(2LONLINE) – Mësimdhënësit e shkollës “Abaz Ajeti” në vazhdën e aktiviteteve jashtë shkollore para disa ditësh , gjatë pushimit pranverorë, realizuan një ekskursion mësimor në Shqipëri shumë të suksesshëm.
Pushimi pranveror i cili zgjati dhjetë ditë duke llogaritur edhe dy vikende, për mësimdhënësit ishte shumë i mirëseardhur. Përveç që ishte rasti për të pushuar, mësimdhënësit shfrytëzuan për ta realizuar edhe një ekskursion që zakonisht për çdo vit organizojnë vizita mësimore Shqipëri.
Në bashkëpunim me kompaninë “Egnatia”, me të cilën shkolla ka pothuajse marrëveshje afatgjate, sa i përket organizimin e ekskursioneve mësimore edhe në këtë vit dha rezultat të shkëlqyera. Kësaj radhe për tre ditë me radhë sa zgjati ekskursioni, u vizituan një sërë objekte kulturore-historike.
Ditën e parë u vizitua Shkodra dhe kështjella e Rozafës, mandej edhe Shëngjini. Edhe pse për shumicën nuk ishte hera e parë që vizitohet Rozafa, megjithatë kjo vizitë ishte e një rëndësie e veçantë.
Dita e dytë ishte një ndër ditët më të rëndësishme të qëndrimit në Shqipëri. U vizitua shtëpia muze e Kongresit të Lushnjës. Nga përgjegjësit e kësaj shtëpie muze u mbajt një ligjëratë shumë e rëndësishme kushtuar Kongresit të Lushnjës.
Rëndësi e veçantë iu kushtua qytetit të lashtë antik Apolonisë, objektit shumë të rëndësishëm kulturor dhe Historik të Shqiptarëve në tërësi.
Dita fundit e tërë iu kushtua kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
Ekskursioni në fjalë ishte një ndër ekskursionet më të suksesshëm të organizuar, nga i cili u fituan përvoja dhe njohuri të rëndësishme në vazhdën e avancimit të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve.
/Ismet Azizi/