DYLON

Kur shkelet betimi!

Avatar photo Redaksia

/E keqja më e tmerrshme është ajo që shtiret si e mirë.
Publil Sir/

(2LONLINE) – Betimi solemn i paraprin marrjes së detyrës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarëve të lartë, ku përfshihen edhe anëtarë të Qeverisë. Në betimin e deputetëve përveç tjerash thuhet:

EkoHigjiena

” Unë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj...”

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur me 23 prill 2014, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve eventuale të UÇK – së deklaroi:”…kërkesa e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale … për të hetuar pretendimet e dala nga raporti i Dick Martit është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet Shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare...”

“...Kjo është një gjë shumë e rënd që do të rëndojë në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë”

Përkundër këtyre konstatimeve Kryeministri e përfundoi fjalimin e tij kështu: “Por unë ju ftoj të nderuar deputetë që të votoni pro kësaj marrëveshje dhe themelimit të Gjykatës Speciale … .” .” A mund të merret me mend që Kryeministër të angazhohet për aprovimin e një kërkese të padrejtë dhe fyese për vendin e tij dhe të vazhdon punën si kryeministër.

Vulini, ministri i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, me këtë rast deklaroi:” Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale për krime të supozuara të UÇK –së asnjëherë nuk do të miratohej, po të mos ishte nënshkruar marrëveshja e Brukselit.” Deklarata e Vulinit, por jo vetëm deklarata e tij dëshmojnë për dëmet që ua kanë sjell bisedimet e Brukselit, të udhëhequr nga ky Kryeministër, vendit ton.

Deputetja Rada Trajkoviq, e njohur si kundërshtare e përbetuar e shtetit të Kosovës, e entuziazmuar me rezultatet e votimit, në fjalën e saj të shkurt pas aprovimit të këtij Ligji i falënderoi, madje dy herë deputetët që votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale.

Se kërkesa është e paarsyeshme dhe se themelimi i Gjykatës Speciale është i dëmshëm për Kosovën e thanë të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Por të njëjtit, përveç grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetëve nga radhët e PDK –së, AAK –së dhe LB –së, që votuan kundër, dhe disa të tjerëve që abstenuan, e votuan vet dhe kërkuan edhe nga deputetët e tjerë ta votojnë themelimin e kësaj gjykate, me arsyetimin se kështu po e zgjidhnin të keqen më të vogël, në të kundërtën gjykatën do ta themelonte Këshilli i Sigurimit i OKB –së. Se kanë presion nga ndërkombëtarët e kështu me radhë.

Me arsyetime të ngjashme, ky soj i udhëheqësve, që nuk janë të dej t’i udhëheqin as shtëpitë e tyre e pranuan decentralizimin në baza etnike, gjashtë pikat e Ban Ki Munit, bisedimet pa kushte të Brukselit, fusnotën, amnistinë e udbashëve që bënë krime në Kosovë dhe integrimin e një pjese të tyre në strukturat e shtetit të Kosovës, buxhetin e veçantë për veriun dhe po vazhdon të ofroj benifite të tjera, që po e rrënojnë këtë vend të zënë peng nga kjo kastë e padinjitetshme që po e udhëheq vendin, me vota të vjedhura.

Cila në të vërtet është e keqja më e madhe?!

Cila në të vërtet është e keqja më e madhe? Shkelja e betimit, miratimi i kërkesës së padrejtë dhe fyese të Serbisë të adresuar përmes bashkësisë ndërkombëtare, veprim ky që rëndon madje edhe mbi ndërgjegjen e atyre që kanë problem me ndërgjegjen, apo refuzimi i kërkesës së padrejtë dhe fyese që e dëmton Kosovën?

Pse mund të jetë më i dëmshëm refuzimi i kësaj kërkese të dëmshme, të padrejtë dhe fyese. Pse do të ishte më e dëmshme madje edhe themelimi i të njëjtës gjykatë nga Këshilli i Sigurimit, e cila nëse nuk është politike, do ta kryente të njëjtën punë sikur kjo gjykatë që do të themelohet me aprovimin e Kuvendit të Kosovës?

Se po shkelet betimi i dhënë po dihet. Po ashtu dihet se kjo udhëheqje nuk po i përfaqëson dinjitetshëm qytetarët, se veprimet e tyre po e dëmtojnë rënd këtë vend.

Dihet po ashtu se në shtetet ku sundon ligji: Ata që e shkelin betimin e dhënë, ata që votojnë kundër interesave të vendit. Ata që i aprovojnë ose kërkojnë aprovimin e padrejtësisë dhe fyerjen e vendit të tyre, jo vetëm se nuk mund të jenë përfaqësues të popullit por edhe do të përgjigjen para gjyqit të tij ( të popullit). Po ashtu dihet se përkundër vështirësive që i ka, Kosova shpejt do të bëhet shtet ligjor.

/Ismajl KURTESHI/
autori është, ish deputet, aktualisht në krye të Lëvizjes Vetëvendosje ,Qendra në Gjilan.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.