(2LONLINE) – Kur bëhet punë duhet të vlerësohet gjithherë. Prona duhet të ruhet, sidomos ajo e përbashkëta (që shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët), si institucionet (shkolla, biblioteka, kopshte të fëmijëve, muze etj.) Nuk do të thotë se, unë e kryej punën time sot këtu-aty dhe nuk bëj dert më se, a mund ta përdorë tjetri atë institucion, libër, vegël etj. Është e çuditshme, pse pasuritë tona, shpesh i hasim të shkatërruara pa dashje apo qëllimisht nga njerëzit tanë. Veç papastërtisë e me hedhje mbeturinash kudo, të demoluara nganjëherë i hasim objektet e gjësendet përreth. Shpeshherë duke mos ditur vlerën historike, kulturore për vetë vendin dhe këtë qytetërim. Herë-herë sikur fare nuk jemi të edukuar për këtë çështje. Sikur nuk jemi në botën e civilizuar…Dëmtimi i tokës, i ujit, i ushqimit, i pyllit, i monumenteve historike e kulturore, dëmtimi i asaj që janë gjurmët e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë s’ka arsyetim. Ajo që identifikon kulturë kombëtare duhet përvetësuar. Por, një mënyrë e sjelljes të papërgjegjësi pak është trashëguar nga një kohë jo shumë e largët, në atë kohën e monizmit. E kemi parasysh sundimin e të huajit deri në këto kohë, me tendenca të caktuara politike, jo që ka dashur të mirëmbaj, por të shkatërroj e zhduk çdo gjë shqiptare, apo që ka të bëj diç me të. Tash ne duhet të nisemi prej zeo-s. Në Kosovë ka nevojë që të ndërtohet, të restaurohet, tërregullohet çdo gjë, por edhe të ruhet, sepse të gjitha janë tonat, i përdorim dhe vetë i qeverisim!
Nuk e pata ndërmend të shtrihem kaq shumë për një çështje ndoshta shumë më të vogël. Po e shosh dhe e përcjell se, shumë pak ka nga qytetarët që po reagojnë kur duhet për diçka të tillë edhe në kohën e sotme. Dhe kur kaloj çdo ditë disa herë atij vendi dhe shoh se nuk është diçka në rregull, atëherë më duhet edhe unë të reagoj, qoftë edhe pa dobi. Vandalizmi jo veç që është turp si veprim, por edhe duhet të sanksionohet me ligj si diçka shumë e dëmshme në shoqëri.
Për Lagjjën Arbëria në Gjilan
Gazetarët e angazhuar për punën e tyre do të më përqeshin, sikur po ua marrë profesionin kur shkruaj për këto farë anomalish nëpër qytetin tonë.
Ka më tepër se dyzet vite që jetoj në këtë lagje, ku nuk kishte kurrfarë infrastrukture as për ujëra të zeza, s’kishte rrugë të asfaltuar, ujë të pijshëm, etj. Disa aktivistë një kohë jemi përpjek e kemi bërë ambulancën, ujin dhe disi një farë kanalizimi. Më vonë, u hoq edhe Pazari i Kafshëve, që na rrinte sipër dhe pas çdo të reshure atmosferike, të gjitha ato plehra na futeshin në oborre dhe puset për ujë të pijshëm. Pra, një Lagje krejtësisht jo urbane e këtij qyteti.
Tash fjala është për Parkun e Lagjës Arbëria në Gjilan. Dy-tri ditë para zgjedhjeve, më saktësisht, në muajn nëntor, u përfunduan punët në këtë vend, po në atë Pazarin e Kafshëve. Në atë vendin ku vështirë dilej dikur nga balta e plehërat. Më në fund, edhe pse kjo punë kishte filluar në fund të vitit 2012, u zvarrit deri në fundin e 2013, megjithatë, kjo ishte një punë e madhe për banorët e kësaj lagjeje. U shtrua i tërë terreni, u shtrua rruga dhe u elektrifikua përreth me drita neoni, u mbollën drunj rreth e për qark dhe u inauguruan edhe lojëra fëmijësh, në mënyrë shumë të planifikuar.
Kjo punë u bë për krejt qytetarët e sidomos për këtë lagje, megjithatë mbeti sikur të ishin shumë të vetëdijshëm qytetarët– pasuri e të gjithëve dhe e askujt. Sikur është e destinuar që për pak ditë ta çojnë qejfin disa të rinj e fëmijë të këtij terreni dhe të mos kihet parasysh se, ky ndërtim (park) do të mund të vlej me decnie deri te ndonjë avari e rastit dhe amortizimit kohor. Po të isha përgjegjës (zoti mos e bëftë) për këtë farë objekti hapësinor, do të duhej që fqinji im i parë të ma zë rrugën dhe të më vras për djalin e tij 15-16 vjet, ngase ai ka (i riu) “të drejtë” të rrënoj dhe të shkatërroj çdo gjë për qejfin e tij. Ai i ri edhe shkollën e edhe institucionet tjera shoqërore i shkatërron. Them 15-16 vjeçar, sepse kështu i kam parë në ato luhaqet (kolovajza- nuk e di mirë si u thonë), të montuara për fëmijë deri në shtatë-tetë vjet. Nga pesha e këtyre të mëdhenjve, pa tjetër që janë këputur zigjirët. Pastaj, e kanë marrë dhe i kanë nxjerrë (demoluar) dërrasat nga ulësja e parkut dhe e kanë lënë tërësisht të papërdorshme atë ulëse…etj. Kjo ndodh brenda dy muajve, përafërsisht, pas lëshuarjes në përdorim të këtyre veglave. Nuk e kam kontrolluar edhe më (s’jam përgjegjës) se çka është shkatërruar, por druaj se me këtë papërgjegjësi e sjellje të këtillë, një ditë nuk do të mbetet asgjë në vend të vetin. Shumë keq! Sikur të rinjtë tanë të hanin dru e hekur…!
Mbrojtja e pasurisë bëhet nga organet komunale
Është mëkat i madh. Këto farë anomalish nuk ndodhin vetëm në Gjilan. Më duket se qeveria lokale duhet t’i ketë në mbrojtje me ligj objektet e tilla. Do të thotë, duhet t’i del zot terrenit, parceleve dhe objektve, si pasuri e qeverisur nga komuna. Në këtë lagje (sigurisht, më shumë në mos interesimin tim) nuk e di kush është këshilltar fare as kush mund të flasë në emër të këtyre banorëve. Po kjo s’është aq e rëndësishme. Le të vij kushdo prej zyrtarëve të komunës (s’është larg) e ta shoh vetë gjendjen. Do të ishte mirë që qytetarët të jenë të vetëdijshëm. Por kur nuk ka vetëdije të mjaftueshme, duhet të përdorët ligji. Masa e fundit për t’u mbrojtur nga vandalistët, që numri i tyre është i paktë, por “zullumin” e bëjnë të madh. Kështu, paraqitet domosdoja, që të dihet se kjo është pronë shoqërore (e të gjithëve) dhe këtë pasuri duhet ta mbikëqyrë komuna gjithsesi. Në cilin sektor bie nuk mund ta di, por gjithqysh duhet të kujdeset, sepse, te ne sot ka qytetarë të ndershëm, por ka edhe shumë të retarduar dhe jo aq mirë mentalisht. Prandaj, kërkohet që të mësohen e të këshillohen, se si duhet të sillen të gjithë qytetarët ndaj pasurisë shoqërore.
Ndoshta do të ishte mirë që një njeri të përkujdeset gjithnjë edhe për pastërtinë. Hedhja e mbeturinave nuk është gjithherë në vendin e duhur. Pastaj, ndonjëherë, dritat e këtij parku rrinë të ndezura gjatë gjithë ditës, në mbrëmje fiken. Një përgjegjës i këtij parku do të mirëmbante dhe do të kujdesej, se, aty kemi edhe një pishinë, të cilën nuk është mirë ta shkatërrojmë para se të filloj funksionimin. Jo, pasi të ndërtohet e rregullohet diçka të mbetet në mëshirën e askujt! /2lonline/
/SHEFIK SHKODRA/