DYLON

Kur rebelohen muzat

Kur rebelohen muzat
Avatar photo Redaksia

Kur rebelohen muzat

Mehmetali REXHEPI – Meti

EkoHigjiena

Agim DESKU: KUR TË PRANGOS MUZA (poezi); Shtëpia botuese LIBRI IM, Pejë, 2025

Poeti Agim DESKU tashmë emër i njohur në letrat shqipe, vëllimin e tij poetik KUR TË PRANGOS MUZA e ka shtrirë gjerë e gjatë në njëqind poezi. E nis me poezinë “Puthja e Evës.” Puthja është akti më domethënës i shpërfaqjes së njerëzores dhe të së bukurës, si kategori jetësore dhe estetike. “Puthja e Evës” është një hyrje e ëmbël në jetën njerëzore që nga mitologjia. Autori nis udhë-rrëfimin e gjatë poetik me shijen fillestare të njerëzimit, por në kërkimin e vetvetes i dalin shije pelini: fshehja e së vërtetës! Poetin e presin kërkime jetike, për gjetjen e së vërtetës së rrënjëve të pararendësve, të cilat, nuk e panë dritën e sipër shtrirjes mbi dhè:

      “Varret e luftëtarëve më ftojnë në ëndrra

      Dhe më tregojnë të vërtetën e rrënjëve të mia”[1]

Por, ku gjendet e vërteta e rrënjëve të lashta të poetit? Nuk ka masë që e ndalon kërkimin për rrënjët, nuk ka largësi, as lartësi qoftë e thikë së përpjetmes që do ta stepte gjakimin e zjarrtë të poetit… Si arrihet ai gjakim në poezinë e Agim DESKUT? Gjakimi poetik për rrënjët për të vërtetën e qenësisë së etnisë arrihet në parimin e çiltërsisë: “nëse e kërkon me zemër.” Mandej:

“Janë nën gurët e këmbëve tua ma thonë.”[2]

 Asnjë poet i mirëfilltë nuk mund të jetë i shkëputur nga përvoja e traditës dhe e sprovave të parakëve për brezat. Filozofia e etnisë mbijetoi pikërisht duke përfillë urtinë e ngërthyer në sprova me ngjashmëri të ndryshueshme, por të vazhdueshme dhe asnjëherë të njëtrajtshme.

Frymëzimeve dhe vetëdijes krijuese të Agim DESKUT nuk mund t`i shmangej drama e fatit etnik. Në këtë vëllim poetik ajo shfaqet në trajta të ndryshme, por e pleksur me fatin dhe kundërthëniet e njerëzimit në periudha të shënuara e të papara ose qëllimshëm të lëna në errësirë nga kronologjia e historisë evropiane, si Kongresi i Berlinit e gjëma të tjera. Pra, fare qartë sedra e kësaj fryme poetike nuk mbyllet në idenë narcisoide. Këtu është shpirti dhe karakteri shqiptar dhe njeriu universal, anipse diplomacia poetit ia lë etninë cak për gjah shtrigash!

Poeti është i vetëdijshëm se diskursi poetik për të vërtetën, në poezinë e një titullimi prozaik “Nëse e them të vërtetën”, ka koston e vet të shtrenjtë, prishjen me të gjithë ata, që do të dëshironin të mos iu rrekeshin betejave trazuese duke ruajtur qetësinë e status quos:

“Nëse flas të vërtetën

Ti e di se do të mbetemi pa miq të fjalës

Ndoshta edhe pa njeriun e zemrës sime

Kur as Ferri i Dantes s`kishte fuqi të na ndante”[3]

MUZA HYJNESHË E REBELUAR

Kësisoj muza e Agim DESKUT nuk e josh poetin vetëm në kërkime për magjinë e së bukurës, në kureshtjet ku mund të fshihet e bukura që ngashënjen me hiret e saj të praruara, e prirë për t`i sjell poetit përfytyrime dehjesh e përjetësi në akte galdimesh. Muza e kësaj tipologjie artistike dhe estetike shfaqet pa ngurrueshëm, për ta vënë në pah mistifikimin e së vërtetës për “Hyjnitë pellazgjike”, për Këngën e Moresë, që e mbajti dhe e mbanë gjallë në shekuj dhimbjen e tkurrjes së etnisë. Kjo muzë e përqafimit të anasjellash, së toku e kanë shtyrë njëri-tjetrin të përngjasohen në thellësitë mitike të rrënjëve duke iu bashkuar rebelimit “për të vërtetën e zemrës” dhe, poeti pa as më të voglin hezitim e shfaq gatishmërinë identifikuese me karakterin e këtillë të muzës, duke iu bindur asaj si një Hyjneshe të patjetërsueshme.

Përngjasimi i poetit me muzën rebele dhe bashkë kërkimtarë gjurmësh e hapësirash arkeologjikë, onomastikë e lashtësi qytetëruese, kërkim-gjetja e një përngjasimi të tillë bio-etnik, u përshkua nga etje ndjesish, kureshtjesh të pleksura gjithandej  “për të bukurën e mbetur peng shpirti!”Mësymjes për dëshmi të lashta kundruall të pabindurve, madje çuditërisht pandalshëm iu zgjerua gama e përkatësive perëndive mitike të poetit që, i dëshpëruar ende nuk i përgjigjen identifikimit të etnisë së tij? Poeti dëshpërohet, por nuk nënshtrohet ndaj u rri përballë shtrëngatave. Ku e merr forcën përballuese ky poet? Ndoshta pse kishte pirë qumësht të tillë muzash rebele dhe, ato ia shtonin e zmadhonin gjenet e shijeve, mundësinë për gjetje të vetvetes së humbur në kohëra barbare. Ndaj, kërkimet poetike për bëmat e lashta dhe të reja, pagane dhe moderne, për rikthimin e ëndrrave në zhgjëndrra  nuk mund t`i ndalte. Madje, përse t`i ndalonte kur poeti nuk kishte “liri të tokës e të shpirtit?”

Kërkimeve të pandalshme për ta forcuar besimin, varg thurësi e flaku dyshimin për lirinë në gjendjen e saj të “mosqenë.” Dilema e poezisë së poetit në pikë-caqet kahes së lirisë, po përtrollitej në vazhdimësinë e muzës dhe pa të, mbase edhe pa subjektin shpirt dhënës, ngaqë muza do të jetojë “në zemrën e luftëtarit të lirisë.” Pengu i shpirtit të poetit për lirinë përmbushet te muza që e gjen strehën e vet të duhur. Muza poetike, kësisoj nga mendësia e mjedisit të autorit dhe relievi i ndodhive epike, plekset në prehjen e herë pas të hershme të përmbushjes lirike. Lirika shndërrohet në bashkë-shkrirëse të rebelimeve e të kryengritjeve epike. Hapësirën e shtrirjes së pamjeve dhe të përfytyrimeve imagjinare në tërë vargimin e vëllimit KUR TË PRANGOS MUZA, e përmbushin qarkullimet e rrjedhave të lëngshme të ujit kristal të krojeve të lirikës së Agim DESKUT.

GJITHËKOHËSIA E FENIKSËVE

Gama e motivimeve në librin KUR TË PRANGOS MUZA është e gjerë dhe e natyrave të ndryshme, qoftë të sferës etike, mitologjike, e tragjedive të tmerrshme në kapërcej shekujsh, e ndëshkimeve të natyrës, si Vezufi përkatësisht Pompe, e politikës së qarqeve të sferave grabitqare të interesit: luftërat botërore, paragjykimet raciste e plojat çnjerëzore si: holokausti mbi hebrenjtë, Srebrenica e boshnjakëve, Masakra e Tivarit, Meja e Gjakovës… E hasim përfytjen e paradokseve dhe absurdeve historike, ringjalljet e feniksëve nga gjenet dhe gjaku i patretur, i përmasave të urtisë e flijimit si Shën Tereza, frymëmarrje e dashuri ngadhënjyese mbi ndasitë klasore, si Romeo e Zhuljeta, shenjtorë pararendës të krishterimit si Shën Albani, poetë prijatarë si Homeri… Trinia e guximit dhe bëmave të krenarisë: Gjergj Kastrioti, Hasan Prishtina, Plaku i Pavarësisë, pastaj Oso Kuka që shëmbëllyen për brumosjen e një përmase unike të guximit e të sakrificës antologjike, e sublimuar në legjendarin Adem Jashari. Poeti prek dhe, përmbushet nga forca e gjenit epik, që edhe në zgripe disfatash i jep shtytje epopeja heroike e Gjergj Fishtës.

     Të gjitha këto figura etike dhe etnike, legjendare dhe të përbotshme, poetit nuk i shërbejnë si ilustrime kthesash e periudhash, mendjesh përcaktuese epokash, para të gjithash janë ngjizje gjenetike e frymëmarrje e përmasës sipërore të njerëzores; janë etika, epika, lirika dhe estetika e përsosmërisë që e shquan sojin njerëzor. Këso shëmbëlltyra dhe të tjera të kategorisë sublime estetike, varg thurësi Agim DESKU i përdorë ndërfutshim në kontekste trajtash të shprehjes së ideve poetike apo si reflektime shumëzore, të një trajte ose të morisë së trajtave për ngrehinën e mëvetësishme artistike.

DASHURIA DO TË MBIJETOJË

Ku e ku i shqetësuar për zhvlerësimin e vlerave etike e të fateve njerëzore, pena i këtij poeti pikturon shëmtinë e njeriut në përballjet e përditshme me pafytyrësi e ligësi të shtuara:

“Dikur jetohej vetëm për dy gisht fytyrë.”

Gjerësia e kapjeve motivuese e varg-qëmtuesit DESKU, është ai reliev pamor ndjenjash e shpërfaqjesh enigmash, bukurish vrastare e mahnitëse të Alpeve Shqiptare, luginash e fushëgropash, ku shpirtëzohen legjendat përmes cikleve të ripërtëritshme të bartjes mbi krahët e dallëndysheve të lirikës pranverore të Mjedës.

Duke ndjekur sintaksën e lidhjeve, me ngjyrime figurative, lidhjet e fjalëve nëpërmjet togfjalëshave hasën dendësi kumtesh e kuptimesh brenda tyre, si: dashuritë e marra, dashnor i Venedikut, Kohë e gjarprit, syri i keq, prè lirie të pritjes, murtajë e zezë, botë mëkatare, shtet në shtet e të tjera.

Në raste jo të rralla frymëzimet e poetit ndodhen mes antitezave të frikës dhe shqetësimit. Përse i ndodh kjo natyrë kaq shqetësuese poetit tonë? Pa dyshim tablotë e përfytyrimeve ciklike të plojave çnjerëzore janë të thadruara në shpirtin e poetit, ngaqë dashuria e pakufishme e tij për njeriun, sikur ia shtojnë zhytjen e përhershme në shkak pasojat e tërbimit çnjerëzor mbi sojin e njeriut të urtë. Një shqetësim të natyrshëm e sheh në qëllimet grabitqare dhe djallëzore të njeriut mbi njeriun dhe, poetit frika i bëhet dukuri e pashmangshme:

“Kam frikë se do të flasim me gjuhën e gjarprit!”

E keqja është përcjell te njeriu që me futjen e hershme në gjenetikën e tij. Ajo është shtrirë në çdo kënd ku frymon njerëzorja. Por, vargu i kontrastit antonimik di të bëjë dallimin:

“Vetëm dashuritë do të jetojnë”[4] (Koha e gjarprit)

Një konstatim i përgjithësuar kësisoj, pason si kundërpeshë e ngërthesës së drojës në shqetësimin e ngritur të vargut sipërthënës. Poezia së cilës po i qasemi dashurinë mëton ta ngre në shkallën sipërore të njerëzores. Madje, në konceptin për poezinë, poeti DESKU vargut ia ngarkoi misionin e shenjtë:

“Krijo çdo çast të bukurën

Kohën mos e le si lis me koruben”

Poeti duke qenë sovran i vargut të tij, nuk ndalet me kaq, ngaqë vargut ia përcakton edhe çfarësinë e cilësinë e krijimit:

“Mos krijo

Për ëndrrat

Kur s`kanë liri”[5] (Poeti)

Mirëpo, shtohen dilemat: ku e merr atë lëndë elikziri poeti për t`i ringjallur dashuritë e arratisura nga shpirtrat njerëzorë? Elikzirin për shërimin e shpirtrave të plagosur nga ushtrimi i trajtave të së keqes, vargjet që po i fusim si rruaza në perin e syrit, invencioni krijues i kap veçse në thellësi të fjalëve. Në aso fjalësh të nxjerra nga fjalësi poetik i shpirtit. Vetëm ato kanë mrekullinë e shërimit të dhimbjes së shpirtrave të lënduar, të trishtuar, të frikësuar dhe të poshtëruar. Vurratat e dhunës mbeten tatua të pashlyera të barbarisë! Me gjithë qasjet e poetëve sado të ndjera, të përzgjedhura, pajtuese dhe skofiare nuk prekën pandjeshmërinë barbare! Çfarë shpirtrash bastardë?! Vijon tërbimi ndërnjerëzor?! Ku të gjendej shpëtimi i bukurisë së urtisë? Poetët kishin harruar komunikimin me Perëndinë… Shumëçka i lihej stihisë, mëshirës së flakur dhe shpresës për të dëshiruar… Atëbotë, varg-thurësi ynë përmes një apostrofe thirrmore, lutjen e tij poetike ia drejtoi të Madhërishmit të botëve:

“Ruaj o Zot poetët dhe ndritua vargun te hyjnitë!”[6]

KONOTACIONI METAFORIK

Vëllimit poetik KUR TË PRANGOS MUZA i mungojnë ndarjet në cikle. Si duket autori kishte parasysh kompozicionin e koherencës në tërësinë e shtruar të tekstit poetik. Ky libër vjen pas një përvoje të gjatë krijuese të autorit të tij, sprovave të jetës dhe të bukur shkrimit. Aty- këtu reflektimet poetike ndonjëherë e humbin shkëlqimin; atëherë kur metaforat dhe simbolika, i lëshojnë vendin e nderit ideve përkufizuese dhe, ia japin mundësinë shprehëse urtisë së bëmave ekzistenciale:

“Diçka çka është e huaja

Kurrë nuk u bë jona”[7]

Gjuha ironike godet ironikisht psikologjinë e mjedisit, i kapluar nga shpirti i korruptuar, nga mënjanimi i vlerave dhe parimeve, nga smira dhe një varg dobësish e vesesh brenda karaktereve të amullta, të pikturuara me ngjyra të natyrës gegërishte:

“Sot duhet të jesh i vdekur

Për me të dashtë si njeri të mirë

Dhe gënjeshtar për t`u besue”[8] (Epitaf)

Në tërësinë e shtrirjes së lëndës poetike, këtë libër e përshkojnë gjetje qëmtimesh stilistike, metaforike e simbolike dhe fryma thellësisht njerëzore. Pra, përkushtimi i poetit për mbizotërimin e së këndshmes te njeriu, i identifikuar me më të mirat e gjeniut njerëzor, por paradoksalisht fare pak të përtrollitura si zbatime mirësish të prekshme, të kapshme, si shije të zbërthyera, të përjetësuara, të përgjithësuara për njerëzimin?!

Le t`i piketojmë vetëm disa thurje me konotime metaforike për gjatë tekstit të shpaluar, për të vënë në pah dendësinë e metaforave në gjithë shtrirjen e librit artistik që kemi në duar:

Dje ra shi në plagën time”; “prè lirie të pritjes”; “të marr dritë nga drita e tij”; “Atdheu ia mund dashurinë e mikes”; “Botën ta shndërrojmë në aromë Trëndafili të Çamërisë”; “Për mua pranverat ishin acarët e janarëve vrastarë”; “Sonte u tha e vërteta pse ra shi/ Nesër vallë a do të ketë diell për lulet?”; “Pse s`dinë për plagët e luftëtarit as të dhimbjeve të poetit?”; “Për bukurinë tënde zotat i kanë nisur betejat”; “Nuk kam ma, çka i fali Evropës, veç eshtrat e mi”; “Kohët kurrë nuk i patëm për vete…”

POEZIA QË FRYMON NJERËZOREN

Duke lexuar, vëmendshëm nga vargu në varg, në poezinë e kësaj përmbledhjeje poetike, autorin e shohim në pozicione të ndryshme shpirtërore. Disa vargje lutjesh të poetit Zotit për uratën e bashkimit shpirtëror të popullit, lënë përshtypjen e një të shprehuri të përshpirtshëm. Mirëpo, pashmangshëm në shumësinë e vargjeve nuk shpëton të mos e takosh togfjalëshin në “vargun tim rebel.” Frymëzimi është shtysa e shfaqjes dhe e kapjes së ndjenjave. Jo çdo herë varg-thurësit ideja figurative do t`i përkojë logjikës së ftohtë të arsyes si kategori filozofike e mendjes. Por, ndjenjat e poetit nuk mund t`i gjykosh si të pa taban njerëzor; ato kanë tundimet e veta dhe mënyrën e shfryrjes së mllefit ngasë:

“Sa herë e vrasim heshtjen me gotën e rebelit

Të dehur na bëjnë mëkatet e botës së pistë”[9]

Kështu, vijmë në përfundimin se poetit i duhen pozicionime të përshpirtshme dhe rebeluese në këtë botë nëpërkëmbjesh, i lindur me të qara dhe përmbyllur me dhimbje të qarash. Poeti kishte arsye fondamentale të ishte i këtillë çfarë është, sikurse poezia e tij:

“Se isha rob i secilit perandor që vinte në këto anë

Kur secili perandor mua më quante robi im”[10]

Pozita e robit ia dëftonte poetit ëndrrat për çfarësinë e dukjes, gjakimet e prekjes dhe të shijes së lirisë, dukshëm e apostrofuar në gjithë gjatësinë, thellësinë dhe sipërfaqen e shtjellimit artistik në këtë libër. Pamundësia e robit e shpinte në shfryrje trajtash të dhimbjes, në rebelimin shpirtëror dhe, në diçka që mbetej mbi syprinë, mbi të përshpirtshmen, mbi rebelimin, mbi nënshtrimin e dhimbjen që është krenaria.

Këso shpërfaqje motivesh që emocionojnë dhe, e ngrehin në vertikale të ecjes idenë ekzistenciale të njeriut tonë, janë trajta të një poezie që lartëson denjësinë etike dhe etnike, të pleksur më të bukurën, më të madhërishmen, epikën e lirikën, tragjiken e të keqen gjithëkohore dhe, gjithsesi heroiken e njerëzores.

Thënia poetike e poetit të librit KUR TË PRANGOS MUZA është kryesisht e bindshme dhe bindëse, jo kurdoherë pa përsëritje idesh dhe pa një prani të stilit retorik, madje të përsëritur.

Lexuesi i pasionuar pas së bukurës dhe për ngadhënjimin e saj, qasjen nuk do ta mbyllte në stilin: “Në emër të vargut që fundin e ka veç dhimbje” (Hyji). Më së miri le t`ia lëmë përmbylljen e këtij diskursi poetit DESKU:

“Fryma ime është kudo

Në tokë e qiell

Dhe në varg e diell

Kudo që jam aty është fryma”[11]

Gjilan, kallnor 2025


[1] Agim DESKU: KUR TË PRANGOS MUZA, Shtëpia botuese LIBRI IM, Pejë 2025, f. 3

[2] Po aty; f. 3;

[3] Po aty; f. 4

[4] Po aty; f. 62

[5] Po aty; f. 30;

[6] Po aty; f. 62

[7] Po aty; f. 72

[8] Po aty; f. 10

[9] Po aty; f. 25;

[10] Po aty; f. 29

[11] Po aty; f. 48

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.