Kur pika, presja dhe retiçenca bëhen dritë
Nga: Timo MËRKURI
KUR PIKA, PRESJA DHE RETIÇENCA BËHEN DRITË
Poezia “Puhi drite” e Klejda Plangaricës, poezi fituese e Çmimit letrar”Muza e Agimit”, mbajtur në vendlindjen e heroit të kombit, Agim Ramadanit, në Zhegër të Grykës së Karadakut, çmim tashmë tradicional që jepet nga viti 2001 e këndej. Vargjet e saj janë ndërtuar mbi një frymëmarrje të qetë poetike, ku mendimi krahasohet me një fije drite të brishtë që duhet mbrojtur.
Poezia lëviz mes simbolesh të pikësimit dhe përvojës njerëzore, duke i kthyer presjet, pikat dhe retiçencat në shenja të vetë jetës. Në këtë mënyrë, poetja krijon një tekst që duket i thjeshtë së jashtmi, por që fsheh një filozofi të thellë mbi ecjen, hezitimin, vazhdimin dhe besimin te vetja.
Lexuesi e ndjen këtë poezi si diçka që nuk vjen menjëherë, por rri në prag, si drita e mëngjesit që s’ka ngut të hyjë drejt e në dhomë, sikur të matë hapësirën para se të prekë gjërat.
I-
Kjo poezi të fton të ndalesh jo për ta kuptuar shpejt, por për ta dëgjuar. Në këtë ngadalësi të lehtë qëndron bukuria e saj: te zëri i brendshëm që fillon të bëhet i dukshëm.
Duket sikur poetja kërkon prej nesh një gjest të thjeshtë njerëzor: të ndalemi për një çast, si dikush që ndalon në breg të detit vetëm për të dëgjuar zhaurimën e valëve dhe për të kuptuar se heshtja nuk është boshësi, por hapësirë ku mendimi merr formë. Një ndalesë e vogël, vetëm kaq, si një frymëmarrje që nuk e bën me qëllim, por të ndodh.
1.
Qysh në vargjet e para, poetja e trajton mendimin si diçka të gjallë, që vjen e ikën pa paralajmërim:
“Nëse ajo fije e hollë mendimi vetëtiu te ti –
Bëzaje fort, vishi fjalë,”
Mendimi nuk paraqitet si produkt racional, por si një vetëtimë e brendshme. Ai vjen papritur dhe zhduket po aq shpejt nëse nuk merr formë në fjalë. Lexuesi pothuaj e sheh këtë mendim si një fije drite që kalon mbi fytyrë, si një frymë e lehtë që prek lëkurën dhe zhduket pa e kuptuar nëse nuk i kushton vëmendje. Mendimi nuk merret me forcë; vetëm i hapet dera, nëse vjen, si një mysafir që nuk troket dy herë. Këtu poetja prek një të vërtetë filozofike: idetë më të rëndësishme lindin në heshtje dhe shpesh janë shumë të brishta. Nëse nuk u japim formë me fjalë, ato treten si dritë e humbur. Fjala bëhet një lloj strehe ku mendimi gjen mbrojtje nga era e harresës.
2.
Një nga gjetjet më të bukura të poezisë është përdorimi i pikësimit si një mënyrë e të menduarit:
“Nëse një pikë ta ndal rrugën, të vë gardh –
Ti shtoji dy të tjera pas…”
Pika shndërrohet në kufi fjalie, në një lloj muri të brendshëm, por poetja nuk e pranon këtë ndalim si fund. Ajo e kthen pikën në retiçencë – nga mbyllje në vazhdimësi – thjesht duke shtuar dy pika të tjera. Këtu ndjehet ideja e çasteve kur jeta duket sikur ndalet: një derë që mbyllet, një rrugë që nuk vazhdon më. Por njeriu, ashtu si në poezi, mund të bëjë gjithmonë një hap tjetër, dhe pastaj edhe një tjetër. Jo vetëm një. Sepse fundi shpesh nuk është përfundim, por një ndalim i përkohshëm, një frymë e pezullt para se të vazhdojë.
Prandaj pyetja: “Ç’do kishim bërë në jetë pa retiçencat?!” më duket si një pyetje mbi mbijetesën shpirtërore të njeriut. Retiçenca është hapësira ku shpresa ende merr frymë. Ajo është si horizonti në mbrëmje në bregdet: nuk dihet ku mbaron deti dhe ku fillon nata, por njeriu vazhdon të shohë larg, edhe kur nuk sheh qartë, vazhdon të ndjejë drejtimin.
3.
Në shumë poezi heshtja merret si mungesë, si boshllëk që ndalon kuptimin, ndërsa këtu ajo hapet si një shteg i padukshëm ku mendimi mund të vazhdojë pa u mbyllur. Retiçencat nuk janë thjesht shenja të papërfunduara; ato bëhen hapësira ku fjala nuk guxon të përmbyllet dhe pikërisht për këtë arsye merr frymë më lirshëm.
“Si do t’i kishim çarë një shteg mendimit
Për të lundruar larg?!”
Folja “lundruar” e çliron menjëherë gjithë vargun nga toka, sikur mendimi të humbë peshën dhe të mos ketë më nevojë për terren të qëndrueshëm. Ai nuk ecën, nuk përplaset, por rrëshqet mbi një hapësirë të hapur, si një lëvizje që nuk e di saktësisht ku shkon, por nuk pranon të ndalet. Ka diçka detare në këtë figurë, një lloj fryme të lagësht horizonti që nuk mbyllet kurrë. Lexuesi e ndjen mendimin si një varkë të vogël që largohet nga bregu, pa siguri, por me një besim të heshtur se diku përtej ekziston një dritë që e thërret. Dhe kjo nuk është thjesht liri poetike, por një ndjesi e brendshme që e shtyn njeriun të mos pranojë kufij të ngurtë. Mendimi, në fund, nuk duron mure; ai kërkon ajër, edhe kur nuk e thua me fjalë.
4.
Në një tjetër moment poetik, poetja ndalet te presja:
“Mos u spraps
Nga presjet tinëzake rrugës,
Ndalesë e shkurtër janë.”
Presja nuk vjen si pengesë, por si një frymë e vogël që futet në mes të ecjes, një çast i papritur qetësie ku ritmi nuk ndërpritet, por vetëm zbutet. Është si një hap që ngadalësohet pa arsye të madhe, si një trup që për një sekondë dëgjon veten para se të vazhdojë. Edhe në jetën njerëzore ka shumë “presje”: lodhje që nuk bëjnë zhurmë, pritje që nuk shpjegohen, trishtime të vogla që kalojnë pa dramë, stepje që nuk kanë emër të saktë.
5.
Mbyllja e poezisë është nga ato çaste ku teksti duket sikur e ul zërin vetë, si të mos dojë ta prishë atë që ka ndërtuar:
“Ajo fije e hollë mendimi
Puhi drite është… Jo flakë!”
Këtu përmbyllet pa zhurmë gjithë lëvizja e poezisë. Mendimi nuk shfaqet si flakë që shkatërron dhe përpin, por si një dritë e lehtë që kalon pranë njeriut pa e lënduar, si një frymë që nuk kërkon vëmendje, por prani. Është një ndriçim që nuk verbon, por të lejon të shohësh më qartë brenda vetes.
Lexuesi ndjen se poetja zgjedh butësinë jo si mungesë force, por si një mënyrë tjetër force. Në një botë ku fjala shpesh ngutet të bëhet e fortë, e ashpër, madje edhe e zhurmshme, ajo e ul tonin dhe e kthen mendimin në një dritë që shoqëron pa imponuar, si një llambë e vogël që qëndron ndezur në një dhomë nate dhe nuk kërkon të pushtojë errësirën, por thjesht ta bëjë të jetueshme. Edhe retiçenca para “Jo flakë!” krijon një çast të pezullt, sikur mendimi të marrë frymë përpara se të vendosë formën e tij të fundit. Një heshtje e vogël që e bën kuptimin të hapet më ngadalë, më natyrshëm.
“Puhi drite” mbetet një poezi që nuk mbyllet me leximin e fundit të vargut, por vazhdon si një jehonë e qetë në mendje. Ajo të kujton se mendimi është një nga ato gjëra të brishta që nuk duhet as të shtrëngohen fort, as të lihen të humbasin. Duhet mbajtur me kujdes, si diçka që dridhet lehtë në dorë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, pas leximit, njeriu nuk del më i zhurmshëm, por më i qetë, si dikush që ka hapur një dritare dhe ka lënë ajrin të hyjë pa e thirrur.
Bukuria e kësaj poezie qëndron te mënyra si gjuha vetë fillon të sillet si përvojë. Pikësimi nuk mbetet më teknikë e ftohtë shkrimi, por shndërrohet në ritëm të brendshëm të mendimit, në një lloj frymëmarrjeje që e udhëheq tekstin pa u dukur. Shenjat nuk shërbejnë vetëm për të ndarë fjalinë, por për të krijuar hapësira të vogla ndalese ku lexuesi hyn pa e kuptuar.
Dikur, në alfabetin e Kodit Morse, pikat dhe vijat ishin mënyrë për të kaluar mesazhe përtej largësisë dhe heshtjes. Këtu, në këtë poezi, ato duket sikur e kanë humbur funksionin teknik dhe janë kthyer në gjeste të brendshme të ndjesisë, si sinjale të buta që nuk transmetojnë vetëm kuptim, por gjendje shpirtërore. Pikësimi bëhet një ritëm i heshtur që e drejton lexuesin drejt një përjetimi më të ngadaltë të mendimit.
Lexuesi e ndien këtë lëvizje si një ecje të qetë mes vargjeve, ku çdo presje është një frymëmarrje e vogël dhe çdo pikë një ndalesë e shkurtër për të parë më thellë. Në këtë mënyrë, teksti nuk lexohet vetëm me sy, por edhe me një lloj ritmi të brendshëm që e ndjek pa u sforcuar.
“Mos u spraps! / Ajo fije e hollë mendimi / Puhi drite është… Jo flakë!”
Ky varg poetik nuk tingëllon si urdhër, por si një kujtesë e butë për të mos e humbur brishtësinë e mendimit. Poetja nuk zgjedh forcën që imponon, por dritën që shoqëron, një prani që qëndron pranë pa bërë zhurmë. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe qëndrueshmëria e kësaj poezie: ajo nuk mbyllet si përfundim, por mbetet si gjendje, si një dritë e ulët që vazhdon të jetë aty edhe pasi teksti ka mbaruar.
II-
Poezia e Klejda Plangarica të krijon përshtypjen se nuk është shkruar me penë, por me një lloj fryme të brendshme që e paraprin fjalën. Ka tekste poetike që duken të ndërtuara, dhe ka të tjera që duket sikur kanë ndodhur. Kjo poezi i përket më shumë kësaj të dytës: një ndodhie të qetë të mendimit, ku fjala nuk vjen si qëllim, por si pasojë e një gjendjeje të brendshme. Ajo prek një zonë të heshtur të vetëdijes njerëzore, aty ku mendimi nuk është ende i formësuar, por vetëm një dridhje e lehtë drite që kërkon guxim për të mos u shuar. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe tensioni i saj i brendshëm: mes lindjes së mendimit dhe frikës së humbjes së tij.
Një nga veçantitë më të dukshme të kësaj poezie është raporti i saj me shenjat e pikësimit. Ato nuk trajtohen si elemente teknike të gjuhës, por si shenja ekzistence, si gjurmë të një frymëmarrjeje shpirtërore. Në këtë mënyrë, poetja afrohet natyrshëm me një frymë që të kujton poezinë e Musa Ramadani, ku gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por hapësirë mbijetese ndaj heshtjes dhe zbrazëtisë. Në këtë univers të brendshëm, fjala nuk shërben vetëm për të thënë diçka; ajo shërben për të mos u zhdukur.
1.
Në leximin poetiko-filozofik, kjo poezi afrohet me frymën e modernizmit simbolist dhe introspektiv. Jo sepse kërkon të errësojë kuptimin, por sepse e zhvendos vëmendjen nga bota e jashtme drejt një terreni shumë më të paqëndrueshëm dhe më të vërtetë: lëvizjes së brendshme të mendimit. Gjithçka zhvillohet në formën e një dialogu të heshtur mes njeriut dhe mendimit të tij. Nuk ka skenë të jashtme, nuk ka ngjarje në kuptimin tradicional; ka vetëm një përpjekje për ta mbajtur mendimin gjallë.
Që në vargun e parë, përsëritja “Mos u spraps!” nuk tingëllon si thirrje e fortë, por si një zë i brendshëm që përpiqet të mos e lejojë mendimin të rrëzohet në çastin e tij të brishtë. Nuk ka patetikë, as deklarim; ka një vetëmbajtje të qetë shpirtërore, si një dorë që mban një flakë të vogël në erë.
Kur poetja shkruan:
“Nëse ajo fije e hollë mendimi vetëtiu te ti –
Bëzaje fort, vishi fjalë,”
mendimi shfaqet si një përjetim i rrallë, pothuaj i papërsëritshëm. Ai nuk vjen si rezultat logjik, por si një vetëtimë intuitive që e zbulon vetveten vetëm për një çast. Figura e “fijes së hollë” e vendos atë në kufirin mes ekzistencës dhe zhdukjes. Te vargu “vishi fjalë”, fjala nuk është thjesht zbukurim metaforik, por një akt i drejtpërdrejtë mbrojtjeje dhe formësimi, siç vishen rrobat mbi trupin e njeriut apo të fëmijës. Pra, nuk kemi vetëm personifikim, por edhe një metaforë trupëzuese:mendimi trajtohet si trup që ka nevojë për veshje për të dalë në botë pa u shuar. Në këtë mënyrë, vargu fiton një ngarkesë të ngrohtë emocionale dhe njerëzore, jo thjesht stilistike- dhe pikërisht kjo e bën të funksionojë kaq fort në poezi.
Ndaj themi se drita që përshkon poezinë nuk është dritë e jashtme, por një ndriçim i brendshëm, një hapje e papritur e vetëdijes.
2.
Në një nga shtresat më të bukura të poezisë ndodh një transformim i heshtur: shenjat e pikësimit kthehen në metafora të jetës. Pika bëhet kufi, presja bëhet frymëmarrje, retiçenca bëhet hapësirë e papërfunduar ku mendimi vazhdon të jetojë. Ky kalim nga funksioni gramatikor në funksion ekzistencial është thellësisht modernist, sepse poezia nuk ndërtohet më mbi përmbajtjen, por mbi vetë trupin e gjuhës.
“Nëse një pikë ta ndal rrugën, të vë gardh –
Ti shtoji dy të tjera pas…”
Në këtë moment, pika nuk është më shenjë përfundimi, por përvojë ndalese. Ajo ngjan me ato çaste në jetë kur gjithçka duket se mbyllet, kur mendimi përplaset me një mur të padukshëm. Por poetja nuk e pranon këtë mur si përfundim. Duke e zgjatur pikën, ajo e kthen fundin në vazhdimësi. Në këtë gjest të vogël gjuhësor fshihet një filozofi e plotë mbijetese: mendimi nuk duhet të dorëzohet në kufirin e tij të parë.
3.
Pyetja: “Ç’do kishim bërë në jetë pa retiçencat?!” hap një hapësirë që shkon përtej kuptimit të drejtpërdrejtë. Ajo nuk është vetëm figurë stilistike, por një reflektim mbi vetë natyrën e shpresës. Sepse retiçenca është pikërisht ajo zonë ku asgjë nuk mbyllet përfundimisht, ku fjala ndalon, por mendimi vazhdon të marrë frymë.
Kjo mënyrë e të nënkuptuarit e afron poezinë me një hermetizëm të butë lirik. Poetja nuk i mbyll figurat në një interpretim të vetëm; ajo i lë të hapura, në mënyrë që lexuesi t’i përjetojë sipas ritmit të tij të brendshëm. Vargje si:“Një bulëz sysh, një rigë fryme…” nuk kërkojnë shpjegim logjik. Ato funksionojnë si imazhe ndjesore, që preken më shumë me kujtesë emocionale sesa me analizë.
Edhe presjet që shfaqen si “tinëzake” nuk janë pengesa të vërteta. Ato janë ndalesa të vogla njerëzore: çaste lodhjeje, reflektimi, apo kthimi të brendshëm. Në vend që ta ashpërsojnë poezinë, ato e zbutin, duke i dhënë një ton të ngrohtë dhe të afërt.
4.
Në fund, e gjithë struktura e poezisë përmblidhet në dy vargje që mbartin thelbin e saj filozofik:
“Ajo fije e hollë mendimi
Puhi drite është… Jo flakë!”
Këtu vendoset dallimi mes dy mënyrave të ekzistencës së mendimit: si zjarr që djeg, lëndon e konsumon dhe si dritë që shoqëron. Poetja zgjedh të dytën. Mendimi nuk shfaqet si forcë shkatërruese, por si një prani e lehtë që prek pa lënduar. Kjo zgjedhje ka edhe një dimension etik: në një kohë ku fjala shpesh bëhet e ashpër, e shpejtë dhe imponuese, poezia zgjedh butësinë si formë force.
Prandaj “Puhi drite” mbetet një poezi moderne në frymë, simboliste në ndërtim dhe thellësisht njerëzore në ndjeshmëri. Ajo nuk kërkon të tronditë, por të depërtojë ngadalë, si një dritë që hyn në një dhomë pa u vënë re, por që ndryshon gjithçka pa zhurmë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, ajo nuk përfundon me leximin, por vazhdon si një prani e heshtur mendimi që mbetet gjatë brenda lexuesit.
III-
Risia më e dukshme që sjell kjo poezi e Klejda Plangarica në poezinë shqipe nuk është vetëm ajo që thotë, por mënyra si e lë gjuhën të marrë frymë vetë. Nuk ke ndjesinë e një poezie të ndërtuar mbi rregull, por të një teksti që lind nga një lëvizje e brendshme, si një mendim që ende nuk është tharë dhe ende mban lagështinë e vet të parë. Ka diçka të pazakontë këtu: gjuha nuk sillet si mjet, por si hapësirë ku mendimi endet. Dhe nganjëherë të krijohet përshtypja se vetë fjala nuk është zgjedhur plotësisht, por është kapur në çastin kur po bëhej. Kjo mënyrë ndërtimi nuk e vazhdon traditën poetike, por e zhvendos atë drejt një ligjërimi më të brendshëm dhe modern.
1.
Në poezinë shqipe jemi mësuar me dritën, me rrugën, me heshtjen si figura të mëdha simbolike. Por këtu ndodh një zhvendosje e qetë dhe e papritur: vëmendja bie mbi shenjat e vogla, mbi ato që zakonisht nuk i shohim. Pika, presja, retiçenca… nuk qëndrojnë më si rregulla shkrimi, por si gjendje që njeriu i sheh në vetvete. Ka çaste kur mendimi mbyllet si një derë që nuk bën zhurmë. Ka të tjera kur ai ndalet pak, sikur merr frymë. Dhe ka edhe ato hapësira pezulli, ku fjala nuk guxon ende të përfundojë veten.
Në këtë poezi, ato shenja nuk janë më në letër; janë në mendimin e heroit.
Në vargjet ku një pikë bëhet pengesë dhe pastaj sfidohet me vazhdim, ndodh diçka që nuk është vetëm gjuhësore. Është një mënyrë për të thënë se asgjë nuk mbyllet aq lehtë sa duket. Madje edhe fundi, nëse e prek nga afër, mund të ketë ende një hapje të vogël brenda vetes.
2.
Mendimi këtu nuk vjen (nëpërmjet vargut) me tonalitet të lartë. Nuk vjen si flakë, as si përplasje. Vjen më shumë si një dritë e butë, që nuk kërkon vëmendje, por e merr atë pa u vënë re. “Puhi drite… Jo flakë!” nuk është vetëm një zgjedhje figurative. Është një mënyrë për ta mbajtur mendimin në një temperaturë njerëzore. Sikur poezia të ketë frikë nga ashpërsia e tepërt dhe ta ruajë mendimin në një zonë ku ai nuk djeg, por ngroh. Dhe kjo e ndryshon krejt atmosferën e poezisë: ajo nuk kërkon të të tronditë, por të të afrohet.
3.
E gjithë lëvizja e tekstit ndodh brenda njeriut, jo jashtë tij. Nuk ka ngjarje që e shtyjnë poezinë përpara; ka vetëm një zë të brendshëm që nuk pushon së dialoguari me veten.
Përsëritja “Mos u spraps!” nuk tingëllon si urdhër. Më shumë duket si një kujtesë që njeriu ia bën vetes në momentet kur mendimi i tij është gati të humbasë rrugën. Është zë që nuk vjen nga jashtë, por nga një vend i brendshëm ku njeriu flet pa dëshmitarë. Dhe ndoshta aty qëndron forca e saj: nuk ka dramë të jashtme, por një tension të heshtur që mbahet gjallë nga vetë vetëdija.
4.
Ajo që mbetet pas leximit është një ndjesi e dyfishtë: thjeshtësi dhe thellësi që nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Poezia ecën e qetë, por nën këtë qetësi ndjen se ka shtresa që lëvizin. Disa vargje i kupton menjëherë, disa të tjerë të mbeten pezull si pyetje që nuk kërkojnë përgjigje, por prani. Në fund, kjo poezi nuk të jep përshtypjen e një ndërtimi të mbyllur. Të jep më shumë ndjesinë e një frymëmarrjeje që vazhdon edhe pasi teksti ka mbaruar.
IV-
Në poezinë shqipe, “Puhi drite” e Klejda Plangaricës të kujton së pari poetikën e Musa Ramadani, sidomos mënyrën e tij për ta kthyer mendimin në figurë poetike dhe figurën në lëvizje të brendshme të vetëdijes. Edhe Musa Ramadani ka përdorur pika dhe presje si element poetik, por te Klejda Plangarica këto shenja marrin frymë si metafora ekzistenciale dhe gjendje të shpirtit.
Në një horizont më të gjerë europian, afërsia e saj ndihet më shumë me Wisława Szymborska. Jo sepse kanë të njëjtën strukturë apo tonalitet, por sepse të dyja nxjerrin mendim të thellë nga gjërat e zakonshme dhe ndërtojnë filozofi me gjuhë të çliruar nga rëndesa retorike. Te Szymborska, një detaj i vogël bëhet shpesh pikënisje meditimi mbi ekzistencën; po kështu edhe te “Puhi drite”, ku pika, presja dhe retiçenca marrin frymë si metafora të jetës.
Një afërsi më e fshehtë ndihet edhe me Paul Celan, sidomos në trajtimin e mendimit si dritë të brishtë dhe jo si deklarim të fortë. Natyrisht, Klejda nuk ka densitetin metafizik të Celanit, por ka të njëjtin kujdes ndaj fjalës së kursyer dhe heshtjes që dridhet nën kuptim. Edhe këtu poezia nuk shpërthen; ajo lëviz ngadalë si një ndriçim i brendshëm që nuk kërkon të verbojë.
Kjo ndjeshmëri kulmon sidomos në fundin e poezisë:“
Ajo fije e hollë mendimi
Puhi drite është…
Jo flakë!”
që të kujton atë ndjeshmëri europiane që i druhet zhurmës dhe beson se poezia nuk ka nevojë të ulërijë për të qenë e thellë. Drita këtu nuk është triumf, por prani e lehtë që hap një shteg në errësirën e mendimit. Sepse ndoshta njeriu jeton pikërisht aty, jo te pikat që mbyllin gjithçka, por te ato tri pika që lënë ende frymë për vazhdim.
Kjo e vendos poezinë e Klejdës përtej lirizmit thjesht intim. Ajo prek një mënyrë më universale të të shkruarit, ku filozofia nuk shfaqet si ide e shpallur, por si frymë që qarkullon nën varg. Dhe aty poezia fiton atë hijeshi të qetë që mbetet gjatë pas leximit:
Dhe aty poezia fiton atë hijeshi të qetë…
“Mos u spraps
Nga presjet tinëzake rrugës,
Ndalesë e shkurtër janë.”
Klejda PLANGARICA
PUHI DRITE
(Mes barrierave të pikësimit)
Mos u spraps!
Nëse ajo fije e hollë mendimi vetëtiu te ti –
Bëzaje fort, vishi fjalë,
Hidhu asaj rruge pa fre,
Mos u spraps!
Nëse një pikë ta ndal rrugën, të vë gardh –
Ti shtoji dy të tjera pas…
Ç’do kishim bërë në jetë pa retiçencat?!
Si do t’i kishim çarë një shteg mendimit
Për të lundruar larg?!
Mos u spraps
Nga presjet tinëzake rrugës,
Ndalesë e shkurtër janë.
Një bulëz sysh, një rigë fryme…
Mos u spraps!
Ajo fije e hollë mendimi
Puhi drite është… Jo flakë!
