“Kur njeriu flet vetëmevete” – Demir BehluliSelvete Abdullahu

“Kur njeriu flet vetëmevete” – Demir Behluli

Të shkruash për njeriun si qenie e vetëdijshme bashkë me Egon e tij është çështje delikate,por në disa raste me Egon apo me Idin e vet njeriu vepron në mënyrën e vet të përshtatjes. Ai flet me të tjerët si kundër flet nganjëherë edhe me veten e tij, apo siç e quan autori Demir Behluli, vetëmevete.

Shkruan: Selvete Abdullahu

E nxitur nga ky titull interesant i librit vendosa sot ta lexoj dhe të shkruaj rreth filozofisë së shprehur të autorit si dhe mënyrës simbolike të tij me anë të prozës. Përmes këtij vëllimi kreativ të cilin mund ta lexosh gjatë një udhëtimi të shkurtër e që ai udhëtim do të na dukej edhe më i shkurtër autori ka arrit të përmbush objektivat e veta.

Objektiviteti i shprehur prozativ duke marrë parasysh gjithë eksperiencat jetësore vë në pah edhe anën psikologjike të individit me socializimin e tij të heshtur, por edhe të futur thellë në brendësin e tij gjithë ç’është shoqërore përfshirë edhe kalimtarët e rrugës.

Këto botëkuptime realiste të kohës autori i vëren shumë herët në vitin 1979 kur unë isha vetëm 7 vjeçe dhe gjendja e punëtorëve të asaj kohe ishte e rëndë. Ata ishin neglizhuar,anashkaluar dhe trajtuar si tepricë e pa vlerë siç i quan autori.

Personazhi kryesor i tregimeve të Demir Behlulit ishte një punëtor nga kombinati dhe pesimizmi e heshtja e tij prej një njeriu që vetëm dëgjon të tjerët dhe merret me botën e perceptimeve të tij të brendshme,citoj:në pamje të parë s’dukej të ishte njeri i keq,i pa aftë apo i mjerë.{autori}.

Fillet e paragjykimeve të kolegëve të personazhit në fjalë ishin në vazhdimësi, por ai përhinte ato me çdo heshtje. Etiketimet vazhdonin dhe assesi nuk arrinin të futeshin në personalitetin e tij sepse fitorja e kishte vetëm një emër”Heshtje”.

Citoj:Ishte i vetmuar dhe nuk kishte shokë,ecte vetëm,ulej vetëm dhe jetonte me heshtjen e tij të plotë.

Personazhi pinte kafe te drejtori, merrte dy pjata edhe kur gjella ishte pa mish dhe dy copa bukë, por jo dy lugë e dy pirunë.

Nga fizionomia përshkruhet si njeri normal e mesatar nga shëndeti dhe fiziku.

Demir Behluli

Ai shkonte në ambulancë gjatë pushimit çdo ditë,jo pse ishte i sëmurë,por për të parë ndoshta mjeken e bukur që punonte aty. Vonesat e tij në tualet, autori i arsyeton si liri e të menduarit apo të kritikuarit gjithkënd në heshtje. Personazhi aty gjente gabimet e mjeshtrit gjatë vendosjes së pllakave, mandej shante pastruesen që nuk e mirëmbante WC-në, por edhe e arsyetonte duke i sharë ata që e kryenin nevojën duke e bërë të pa pastër. Tani punën e kryente vet duke e pastruar dhe rregulluar tualetin.

Kritikonte gjithë udhëheqësit e fabrikës, nuk i pëlqente gjërat formale. Kishte problem me gruan sepse nuk arrinte t’ia mbuloj shpenzimet e gardërobës së modës së fundit. Punët hiq mirë nuk i kishte as me fëmijët e tij sepse edhe ata i kërkonin para për çdo ditë. Udhëtonte jashtë vendit me aeroplan. Në pasqyrë nuk i ngjante vetes, prandaj përfundonte duke i sharë pasqyrat bashkë me mjeshtrit e tyre. Por, qetësia ishte mbi të gjitha sepse gjithë sharjet qëndronin brenda zemrës së tij,prandaj të gjithë e quanin njeri pa gojë.

Njeriu pa gojë që vëzhgonte në heshtje hodhi në vepër heshtjen e tij në fundvit duke nxjerrë të gjitha të bëmat brenda fabrikës në mënyrë realiste dhe të heshtur. Të gjithë i la pa fjalë!

Ecejaket e tij ishin shumë interesante:rruga deri te lagja e re,rrugëtimin me taksistin,pritjet e mbledhjeve në sallën e arsimtarëve,mysafirët në shtëpi, perceptimet rreth sjelljes së një vajze të matur, paraqitjen telefonike{bisedën përafërsisht të njëjtë} etj.

Një ndërthurje objektive në mes reales e paraqitur strikt në veprën e Demir Behlulit ”Vetëm monologjet s’kanë dëshmitarë”{autori}.

Pozita e rëndë e lypësit dhe perceptimet e drejta të autorit janë pjesë e realizimit të prurjeve të tij plotë energji, intelekt dhe realitet. Kjo saktësi e bën autorin shumë logjik në atë që shkruan, jo në paraqitjet hipotetike, por të vlefshme për mendjen dhe zemrën tonë.Citoj:Lypësi…se Zot e dreq janë kalimtarët pranë shuplakës së shtrirë….

Historia e një lypsari është sepse ai kërkon lëmosh kundër dëshirës së tij dhe nga nevoja.

Citoj:Hajni… hajni i madh edhe vetveten duhet vjedhur…

Duke shtjelluar njeriun hajn autori mes të tjerash ndalët në një vështrim se si hajni i vogël vjedh hajnin e madh duke kaluar më lehtë dhe vjedhja del më e frytshme. Mendimet dhe hobin e hajnit e paraqet kur ai i konsideron të gjithë njerëzit e lindur njësoj,por pse dikush jeton në vuajtje e dikush si Zoti vet dhe si kanë durim lypsarët të presin ndihmë nga kalimtarët?!

Paraqitje e personazheve sipas radhitjes së autorit Demir Behluli:

Vjedhja ka mjeshtri thotë hajni dhe më vështirë është të vjedhësh se sa të punosh,kurse grabitja don fuqi dhe nuk është hallall.

Citoj:Hajni duhet të vjedhë veten e mos të dijë se e ka vjedhur veten,shpirtin e vet.

Çdo gjë e fituar me mund sipas Zotit është hallall. E më në fund, nëse s’kam vjedhur gjë të huajën,atëherë duhet vjedhur vetveten,por shumë hajnisht…

Grabitqari…..”Unë jam grabitqar e jo hajn e lypës”

Grabitja s’është krim,grabitja është e lejuar. Duhet shpejtësi si dhe fuqi. Marrja e sendeve të nevojshme haptazi është hallall thotë grabitqari,sepse vjedhësi vjedhë me tepricë,kurse lypësi kurrë nuk merr sendet e nevojshme.

Grabis aty ku ka thotë grabitësi dhe më mirë grabitës se sa hajn i fshehur e lypës i shqyer e i përbuzur. Grabitja është një aftësi që ta ka dhuruar natyra dhe se të grabitësh duhet të jesh trim i trimave.

Krimineli:…sendin e vogël e rrisin e gjërat e mëdha i vdesin në heshtje…

Personazhi që e quanin kriminel kishte thyer një arkë për pak të holla sa të shkonte në deti dhe kështu i mbeti emri kriminel. Ky tip njeriu thotë se gjyqi nuk i besoi dhe fati i sjellë gjithmonë kriminelët e rrejshëm…

“Askush s’e beson se sendet e mëdha vdesin në heshtje”…

Shërbëtori….kur më freskon ai kalaveshi i fëmijëve më jetohet edhe më shumë….

Edhe shërbëtori ka botën e vet përceptuese. Ai ndien nën lëkurën e tij se si do t’a shohin të tjerët pas vdekjes ku thotë:”Eh paska vdekur i gjori!Qenka çliruar!

Pas vdekjes rrallë kush është i sharë. Pas vdekjes bëhesh i mirë….

Pajtohem edhe unë me mendimin e shërbëtorit sepse pothuaj të gjithë njerëzit pas vdekjes janë të mirë ngase vet shuarja fizike e psikike e individit nga kjo botë tek njerëzit e gjallë ulë gjakrat duke e ditur se ai njeri nuk është më as harri e as sherri i askujt.

Nuk frymon,nuk shihet e as nuk punon e si mund të jetë keqbërësi i dikujt apo punëtor në punën e vet tani kur është pjesë e nëntokës?

Por,shërbëtori sipas autorit e donte jetën,kishte etje për të jetuar për shkak të fëmijëve të tij dhe gëzimit që u sillte çdo ditë,prandaj donte t’i ndryshonte edhe perceptimet e veta për të tjerët pas vdekjes ku thotë:”U çlirua,por shkoi i etshëm për të jetuar si çdo njeri tjetër”(Autori)

Gjykatësi:……të gjithë njerëzit i besojnë vetes dhe fjalëve të tyre….

“Gjithkush vjen te unë për drejtësi”,por gjykatësi ka një mendim ndryshe për drejtësinë .Ai e beson atë në fjalët e njerëzve që dëgjon e jo në zemrat e tyre,ku thotë: fytyrat me mijëra ngjyra.

Në mes njeriut dhe gjykatësit sundon vetëm kuptimi:Drejtësi!(Biseda e personazheve është shkëputur nga libri).

Në fund të gjithë këto personazhe të profileve të ndryshme janë të bindur se kanë folur drejtë, se kanë gjykuar drejtë,por edhe ne që nuk jemi pjesë e librit mendojmë se flasim e veprojmë drejtë në jetën tonë.

Krejtë në fund autori përmbyllë këtë libër të hollë,por të rëndësishëm e kuptimplotë po ashtu me vlerë të lartë letrare e kulturore në themele të fuqishme perceptuese dhe imagjinative rreth disa personazheve të ndryshme. Duke u futur në botën e tyre imagjinative poeti mundohet të paraqet një pasqyrë sa më të qartë rreth asaj që mendon se vërtetë njerëzit jetojnë në pozita të ndryshme.

Njeriu sado që e do vetmin tinëzisht në Unin e vet përzihet gjithë shoqëria me problemet e veta. Edhe pse njeriu ik një ditë nga kjo botë disa të vërteta ikin bashkë me te duke mbetur enigma të kohës përgjithmonë. Natyra njerëzore është e krijuar të shpalos vetëm një pjesë të gjërave gjatë ekzistencës në tokë.

Mendjemprehtësia e poetit ka arrit me mjeshtri të nxjerrë në sipërfaqe shumë gjëra të pa thëna të personazhit në vepër në formë direkte dhe bindëse. Pjekuria e paraqitur e një personazhi pa emër bënë të kujtojmë se njeriu pjesën më të madhe të jetës e kalon në komunikimin jo verbal, flet vetmevete dhe jeton ashtu!

(Pjesa e personazheve bisedë e heshtur me veten është marrë nga libri ”Kur njeriu flet vetëmevete” i autorit Demir Behluli).

KOMENTE