DYLON

Kur një shoqëri pushon së reaguari krizat bëhen normalitet      

Kur një shoqëri pushon së reaguari krizat bëhen normalitet      
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ardian Azemi

Besimi fetar është marrëdhënie e heshtur mes njeriut dhe ndërgjegjes së tij. Nuk ka nevojë për spektatorë, as për ndërmjetës që ta shndërrojnë në mjet për pushtet, frikë apo përfitim. Secili beson sipas bindjes që mban brenda vetes dhe kjo bindje nuk imponohet as nuk tregtohet.

EkoHigjiena

Shqiptarët nuk janë bashkuar nga një uniformë besimi, por nga një ndjenjë e përbashkët dinjiteti. Kur koha ka qenë e errët, nuk na kanë ndarë as faltoret, as bindjet. Na ka mbajtur bashkë vetëdija se pa njëri-tjetrin nuk mbijetojmë.

Përveç e papranueshme, është edhe e dhimbshme kur sot flitet në emër të shqiptarëve nga zëra pa peshë morale, nga shoqata të errëta që predikojnë përkatësi, ndërkohë që shërbejnë agjenda të huaja. Ai që flet në emër të të gjithëve, por nuk mban përgjegjësi para askujt, zakonisht nuk flet për të mirën e askujt.

Askush nuk merret me zor drejt besimit, as në xhami, as në kishë. Besimi është i zbrazët nëse bëhet me imponim e pa liri. Bindjet janë çështje intime dhe imponimi i tyre është shenjë pasigurie. S’ka të bëj as me forcë as me të vërtetën.

Merremi me tema koti në kohën kur mjekët largohen, uniformat mbesin pa njerëz, barnat bëhen luks, buka peshon më rëndë se paga. Vendi zbrazet ngadalë, pa zhurmë, derisa një ditë heshtja bëhet më e frikshme se çdo krizë.

Shkollat pa nxënës dhe rrugët pa njerëz janë pasqyra më e saktë e një shoqërie që është shpërqendruar nga thelbësorja. Kur grindemi për simbole, harrojmë njeriun. Kur ndjekim zhurmën, humbim jetën.

Kosova nuk ka nevojë për zëra që nxisin ndarje, por për mendje që shohin përtej momentit. Kombet nuk rrënohen gjithmonë nga armiqtë, shpesh rrënohen nga harresa e asaj që vërtet ka rëndësi.

Injoroni matrapazët!   /2LONLINE/