/Askush nuk mund të jetë gjykatës në çështjen e vet. (In propria Causa nemo iudex -Latine.
Supozimet
Me 23 dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka bërë publik konstatimin e saj në lidhje me Marrëveshja për asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe, e nënshkruar në Bruksel, me 25 gusht 2015, nga Kryeministri Mustafa. Gjykata me këtë rast konstaton se Marrëveshja e 25 gushtit nuk është në harmoni me frymën e Kushtetutës dhe se ka shkelur 23 nene të Kushtetutës.
Kryeministri Mustafa, i cili ditën e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në pyetjen e gazetarëve se a ka qen i vetëdijshëm, ditën e nënshkrimit të marrëveshjes se e ka shkelur Kushtetutën, pati deklaruar se në at moment nuk ka qen i vetëdijshëm se e ka shkel Kushtetutën. Me 10 mars 2016, në seancën e Kuvendit të Kosovës ai deklaroi:” Unë konsideroi se nuk e kam shkelur Kushtetutën…” Kryeministri, nëse nuk ka harruar se ai e ka pranuar se e ka shkel Kushtetutën, ai kështu po i refuzon konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese, ai nuk po e pranon se e ka shkel atë, sepse ai e din se shkelësit e Kushtetutës përfundojnë me dorëheqje ose shkarkim nga posti. I njëjti po premton se Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe do të themelohet në përputhje me Kushtetutën, por nuk po pranon me i riformuluar parimet, të cilat janë në shpërputhje me Kushtetutën dhe janë bazë për hartimin e statutit të Bashkësisë (“zajednicës”). Kryeministri nuk po e kupton se refuzimi i aktgjykimit të Kushtetueses është me pasoja për te.
Ndërhyrja
Në nëntor të vitit të kaluar, Kryeministri, bashkë me ish-zëvendësin e tij, pati kërkuar nga gjyqësori dhe policia t’i ashpërsojnë masat ndaj deputetëve dhe qytetarëve që protestonin kundër marrëveshjeve për “zajednicën” dhe demarkacionin. Protestuesve që ishin në mbrojtje të Republikës, kundër shkelësve të Kushtetutës. Me 10 Mars 2016 i pari i ekzekutivit, përsëri nga foltorja e Kuvendit të Kosovës i ndërhyri gjyqësorit, duke kërkuar që t’i ashpërsoj masat ndaj atyre që kanë hedhur shishe molotovi drejt shtëpisë së tij dhe deputetit që ja kishte “rrezikuar” jetën me gjysmë gote ujë të hedhur në drejtim të Kryeministrit.
Pas ndërhyrjes së nëntorit, në punët e gjyqësorit, të duetit Mustafa – Thaçi, gjysma e deputetëve u arrestuan, u sulmuan zyrat e VV-së nga njësit elite të policisë së vendit, me që rast u arrestuan rreth 100 aktivist. Kuvendi i Kosovës u shëndrrue në kazermë të policisë që po i nxjerrin deputetët zvarrë nga salla e seancave, sa herë që urdhëron politika, gjatë zbatimit të urdhrave politik pati edhe deputetë të lënduan rënd nga policia.
Se çka do të ndodhë pas ndërhyrjes së fundit të Mustafës për ashpërsim të masave do të shihet në ditët në vijim. Menjëherë pas urdhrit të tij, dy deputet u arrestuan brenda ndërtesës së Kuvendit. Ata me pranga në duar u dërguan në “Departamentin për Krime të Rënda”, në departamentin ku policia nuk po arrin ta dërgojë asnjë kriminel, por edhe nëse dërgohet ndonjëri nga ata më të vegjlit, prej andej dalin shpejt fal ndërhyrjes së shefave të tyre që veprojnë të lirë.
Bazuar në përvojat e regjimeve policore, askund policia nuk ka arritur ta mbaj gjatë situatën nën kontroll, ashpërsimi i masave zakonisht e ka përshpejtuar rënien e regjimeve diktatoriale. Situata në vendet e trazuara qetësohet vetëm pas rënies së kriminelëve të vërtet në “Departamentet e Krimeve të Rënda”, e jo ata që hedhin gjysmë gote ujë në drejtim të një politikani ose të atyre që protestojnë me qëllim të mbrojtjes së Republikës.
Spekulime
Kryeministri dhe LDK, edhe pse e udhëheqin Ministrin e Punëve të Brendshme, po merren me spekulime, në vend se të angazhohen për identifikimin dhe kapjen e autorëve të djegies së veturave dhe sulmit mbi objekte publike e private. Ata po merren me spekulime që nuk ju kanë hije askujt, e lere më një subjekti politik, të vetëquajtur institucionalist dhe Qeverisë që i posedon të gjitha mekanizmat për zhvillimin e hetimeve dhe kapjen e autorëve të krimit. Paaftësia për t’i mbrojtur institucionet, madje edhe Presidencën, nuk mund të mbulohet me drejtimin e gishtit nga kushdo qoftë pa pas asnjë fakt. Këto spekulime i rrisin ndasitë në mes të qytetarëve që bien pre e spekulantëve. Një gjë e tillë nuk do të duhej të ishte qëllim i askujt që ja do të mirën këtij vendi, madje as e shkelësve të Kushtetutës.
Epilogu
Pas ndërhyrjeve në gjyqësor, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës, supozimeve se Kushtetuta nuk është shkelur, spekulimeve, korrupsionit dhe shkeljeve galoponte në të gjitha fushat, qetësi në vend nuk do të ketë pa shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Zvarritja e kësaj situate jonormale mund të ju konvenoj keqpërdoruesve që e kanë kap shtetin, atyre ju përgjigjet mjegulla. Por mjegulla shpejt do të hiqet e fajtorët do të përgjigjen jo vetëm për shkeljen e Kushtetutës por edhe për mjegullën e krijuar për hesape të tyre, e që po i kushton shumë qytetarëve që kanë nevojë për një shtet funksional, që krijon perspektiv për jetë normale. /2L ONLINE/
/Ismajl Kurteshi – Deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/