Shkruan: Ibrahim KADRIU
KUR ISHIM BASHKË ME MUSËN
Kaluan disa vjet qysh se Musa Ramadani nuk është më në mesin tonë, nuk është fizikisht, ndërkaq vepra e tij vazhdon të jetë me të njëjtat vlera me të cilat u referohej lexuesve të atëhershëm, domethënë kur u botuan, dhe lexuesve të sotëm të cilët, nga veprat e Musës përfitojnë kënaqësinë e leximit. Si atëherë, pra, kur u botuan, si sot, veprat e Musës e ruajnë të përcaktuarën nga vlerësuesit – si të veçanta, si diçka dalluese nga krijimet e bashkëkohësve të tjerë të tij, si modele që, shpesh, tërheqin nga ajo që në fushën e letërsisë quhet eksperiment. Kjo vërehet në veprat e tij, në zhanret e veprave të tij, se Musa i është përkushtuar në disa forma të krijimtarisë artistike, të poezisë, të prozës dhe të dramës, të muzikës, mandej edhe artit figurativ, duke u shpreh përmes vinjetave, e, besa, edhe përmes vlerësimeve të realizimeve skenike, duke i përmbledhur të gjitha ato vlerësime në botime të veçanta. Më fjalë të tjera, Musa ishte i gjithanshëm, siç ishte edhe në fushën e gazetarisë ku e kaloi tërë jetën.
Veçantia e tij, pos në veprat e krijuara, ishte edhe në jetën e përditshme: pedant, me gardërobe të zgjedhur; gjithnjë me atë kapelën me strehë të zbritur pak mbi ballë, me flokë përherë me një masë të caktuar e zylyfe pak të lëshuara, me çantën krahë e qafë, në brendinë e së cilës, pos bllokut standard të shënimeve në të cilën, kur e preokuponte ideja, shënonte ndonjë varg, o ndonjë pamje figurative në formën e ndonjë portreti të imagjinuar, duke përcjellë me ndonjë mesazh të rastit, me datën e krijimit, për ta mbajtur në mend kohën e shprehjes…për të mos e lënë asnjë ditë t’i kalojë së koti.
Ditët e Musës ishin përmbajtjesore, qoftë me krijime të vazhdueshme, por edhe me sjellje unike, shpesh duke e lënë përshtypjen e një bohemi, por nuk ishte bohem i stilit të Mirko Gashit, bie fjala, apo të ndonjë tjetrit të ngjashëm. Musa ishte origjinal: shëtitte rrugëve, trotuareve dhe shesheve të Prishtinës, të shumtën vetëm; siç rrinte vetëm, zakonisht vetëm, në ëmbëltoren Elida në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me kafenë përpara, me letrat që i nxirrte nga çanta dhe i vendoste mbi tavolinë mbi të cilat lente gjurmët pa i dhënë rëndësi të pranishmëve në tavolinat të tjera. Përherë me sjellje të njëjta, i përqendruar në shënimin e ndonjë vargu mbi ato letra, ose të ndonjë vinjete. Ajo ishte një seancë e përditshme, siç ishte edhe dalja në shesh ku do të vazhdonte shëtitjen me duart e lidhura mbrapa, në shoqëri me ndonjë të rastit.
Gjithherë origjinal në sjellje, siç ishte origjinal edhe në krijimtari, që nga ditët e para të angazhimit në fushën e letërsisë, domethënë që nga vjetët e gjashtëdhjetave (që atëherë kur ndodhi njohja ime me të) e tutje, me të njëjtin stil jete, që ishte stili i Musës, stil karakteristik i krijuesit të përkushtuar. Ishte, pra, ajo kohë kur ishim “viktimë” e entuziazmit krijues bashkërisht edhe me Beqirin (Musliun), edhe me Tekiun (Dervishin) me të cilët edhe banonim bashkërisht dhe ofronim mendimet për krijimet e njëri-tjetrit, me sinqeritetin dhe kënaqësinë më të madhe, duke iu gëzuar “ecjeve” (krijuese) përpara, pa u ndikuar nga njëri-tjetri, duke ruajtur origjinalitetin e shprehjeve për të qenë çdo njëri i vetvetes. Kjo mënyrë e jetës sonë në do kohë të hershme, e shoqërimit të përbashkët, e kishte domethënien e vet pozitive dhe na jepte kurajë t’i gëzoheshim arritjeve të cilat, pikërisht në vjetët e gjashtëdhjetave, u rrumbullakuan me botimet e para të librave tona e që, për fatin e mirë, nxiten aso vlerësime që na ndihmuan të vazhdonim edhe më me seriozitet veprimet krijuese që, aso kohe, bëheshin publike në mënyrë parciale me ndonjë poezi o me ndonjë rrëfim proze në faqet e gazetave dhe të revistave. Sipas atyre shkrimeve Musa jepte mundësi të kuptohej se kishte njohuri të shkëlqyeshme nga bota antike, por edhe nga realiteti bashkëkohës, duke u mbështetur në shumë emra të krijuesve antikë, por edhe të autoriteteve bashkëkohore të cilëve u kushton vargje; shumë poezi, pra, u janë përkushtuar jo vetëm figurave eminente, të cilat i kanë dhënë sharmë njëmendësisë kombëtare, por edhe ndaj miqve me të cilët ka kontaktuar dhe, në raste, është shoqëruar…
Të them me këtë rast se Musa ka jetuar me artin, jo vetëm me atë letrar, por, siç u tha, edhe me atë figurativ dhe me muzikën, si kompozues, me çfarë qe dëshmuar mrekullisht, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në Festivalin tradicional të këngëve “Akordet e Kosovës” kur, në mesin e gjithë atyre pjesëmarrësve në festival, që ishin me profesion kompozitorësh, Musa rrëmbeu çmimin e parë me kompozim e që u nderua me “Okarinën e artë”. Natyrisht, ishte befasues, njësoj siç ishte befasues edhe me shumë krijime të tjera.
Emri i Musës, që në atë kohë ishte i popullarizuar në gazetën “Rilindja” me shkrime të ndryshe gazetarie, me fejtone e reportazhe, tashti doli në shesh me “Mëkatet e Adamit”, një libër poetik, që iu dha shkas analitikëve të vlerave letrare, ta ngritin duke e cilësuar si vepër të arrirë dhe kjo mënyrë e vlerësimit bënte me dije se, letërsisë së përgjithshme shqipe, i shtohej edhe një emër me afinitet të lakmueshëm krijues. Dhe kështu, falë atij afiniteti, Musa vazhdoi të arsyetojë arritjen e suksesshme edhe me vëllime tjera poetike, me “Thirravaje”, “Neurosis, “Muzat nuk flenë” etj. Dhe më tutje, me faqe proze, me romanet “Zezona”, “Ligatina”, “Vrapuesja e Prizrenit”…, me dramën “Mosisiu në Unazën e Inflandit”, apo me librat e kritikave teatrore “Fjala në skenë”, mandej me “Premiera shqiptare” e libra të tjerë, duke e përmbyllur krijimtarinë e tij të bujshme me romanin “Profeti nga Praga”, që u nderua me Çmimin “Kadare” për vitin 2017, roman ky që e botoi MAPO edicions nga Tirana.
Ky roman ishte një sublimim i interesimeve të Musës për vlerat gjeniale të Franc Kafkës me të cilin, mund të thuhet, jetonte me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj krijimtarisë së tij. Ai përkushtim i pa kompromis i dha vullnet ta vizitonte edhe ambientin ku, Kafka, e kishte shtjelluar idenë e tij, si modernist, kur, siç thuhet, ..,.ai shpesh përdorë një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj., pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar tokësoren në formën e saj më reale. E Musa ishte i entuziazmuar me personazhin e Kafkës që ishte njeri i rëndomtë “një hero që bën diferencën” dhe pajtohej me mendimin e tij permanent: “… vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthejë në ligj dhe të bëjë njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik…” Profetizmi i Kafkës i ishte bërë opsesion Musës, prandaj ai nuk ka përtuar të shkojë edhe në Pragë, të shëtisë rrugëve e shesheve të Pragës, andej kah kishte shëtitur profeti, mandej ka gjetur kohë ta vizitojë edhe varrin e gjeniut të letrave, por shkoi edhe në Vjenë, atje ku Kafka kishte kaluar një pjesë të jetës, duke vizituar libraritë ku i sheh librat e Kafkës, e tj. e tj. Kafkën, pra, domethënë veprën e tij, Musa e kishte një lloj modeli, prandaj edhe përkushtimet, si në poezi, po ashtu edhe në prozë, Musa i mbështeste në emrin e, siç e quan ai, profetit Kafka.
Mund të them se jo vetëm Kafka, si krijues, por edhe personazhet e tij, me karaktere të veçanta siç ishte edhe vetë shkrimtari, kanë mundur të ndikojnë në personalitetin e shkrimtarit tonë Musa Ramadani për të cilin, u tha më sipër – ishte i veçantë jo vetëm me krijimtari, por edhe me sjellje ndaj rrethit të cilit i takonte.
Qëndrimi i tij në rrethin shoqëror, mbase edhe komunikimi, dallonin nga të zakonshmet, kishin një origjinalitet që Musën e bënin karakteristik me shprehjen e mendimeve pa farë embargoje, pavarësisht nga niveli i autoriteteve me të cilët përballej. Kjo domethënë se ishte i drejtpërdrejt dhe nuk çante kokën për mendimet e të tjerëve, derisa e plasonte mendimin e vet. Kjo mënyrë e qëndrimit shpesh, te ndokush, e rreshtonte në lagjen e mendjemëdhenjve, duke ia “llogaritur” një lloj egocentrizmi me rastin e këmbëngulësisë ndaj bindjeve për një arsye apo tjetër. Sharmi i portretit të tij gjente mbështetje edhe në humor, si një shtytje për shprehjen e mendimeve që, në shikim të parë, e kishin vlerën e të pazakonshmes si, fjala vjen, nxitem të përmend raste të viteve të shtatëdhjeta, dhe më vonë…
Në gazetën “Rilindja”, ku isha redaktor i Rubrikës së kulturës, njëherë në javë mbanim mbledhje për t’i analizuar shkrimet e javës paraprake. Në krye të gazetës kishte ardhur Rxhep Zogaj i cili ma pati sjellë një shkrim të cilin e shtrira në një faqe të shtojcës së kulturës, që botohej në gjashtë faqe, ditën e shtunë. Për gazetat e asaj jave analizator ishte Musa Ramadani, i cili, me atë sjelljen prej xhentëlmeni, e duke folur ngadalë si me qëllim që t’i nevrikoste të pranishmit, i shfletoi gazetat e gjithë javës, herë-herë duke ndarë ndonjë artikull si të pavlerë, e kështu me radhë… Te gazeta e të shtunës ndau shtojcën, ku kishte shkrime nga fusha të ndryshme të kulturës, artit dhe shkencës. Nisi t’i shfletojë një nga një duke thënë që në fillim se “kjo shtojcë është e zakonshme, se nuk ka ndonjë shkrim që do të mbahej në mend”. Vazhdoi me këtë stil, e pastaj u ndal te faqja ku ishte shkrimi i kryeredaktorit, Rexhep Zogës, i cili, sigurisht për shkak të shkrimit të vet, erdhi në rubrikën e kulturës që të asistonte në mbledhje. Musa, me atë rast, m’u drejtua: “Ibro, këtë shkrim të Rexhep Zogës nuk ka qenë dashur ta botosh!…” Ky reagim i tij ishte i çuditshëm, prandaj pasoi një heshtje e plotë e të gjithëve, që në moment kërkonin (me shikim) përgjigje nga njëri-tjetri. Mbeta i befasuar, prandaj iu drejtova: “Musë, a e ke lexuar shkrimin e Rexhës?” Ma ktheu shpejt e shpejt: “Jo, jo, unë nuk e kam lexuar, por nga shkrimet e tjera të tij e di se niveli është i ultë!”
Ka shumë raste të kësaj natyre kur, Musa Ramadani, bënte reagime pa kurrfarë konsiderate ndaj të pranishmëve, pa kurrfarë oportunizmi, sado që ato reagime ishin të drejta, por momentet ishin të papërshtatshme, kurse Musa nuk lodhej shumë.
Ishte edhe rasti kur, intelektualët shqiptarë në kohën e pushtetit të Millosheviqit, patën shkruar një dokument që dënonte dhunën dhe keqtrajtimet ndaj shqiptarëve në Kosovë. Dokumenti qe bërë publik me nënshkrimin e 215 intelektualëve të cilët pajtoheshin me atë përmbajtje, por Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste nxiti fushatën kundër intelektualëve nënshkrues, prandaj organizuan mbledhjet për, siç thuhej, diferencim; për dënim të nënshkruesve. Në redaksinë e “Rilindjes” caktuan një mbledhje të tillë ku erdhën përfaqësues të Komitetit të cilët kërkonin që, nënshkruesit, të tërhiqeshin; të kërkonin falje… Kishte në mesin e nënshkruesve që do të shprehnin pendim, siç kërkohej dhe, pas pendimit, do t’i shpëtonin masave ndëshkuese që do të pasonin nga instancat partiake, mbase edhe policore… Në mbledhjen partiake të natës së parë intelektualët nënshkrues, që ishin aty të pranishëm, nuk shprehën pendim, prandaj u organizua mbledhja edhe në natën e dytë. Prapë e njëjta situatë, si në mbledhjen e parë, intelektualët e “Rilindjes” thanë se qëndrojnë prapa atyre nënshkrimeve dhe… në një moment u lajmërua Musa Ramadani. U ngrit në këmbë, derisa anëtarët e Komitetit u kthyen nga ai të bindur se, më në fund, u gjet njeriu që do të pendohej. Musa, në stilin e tij të qetë, e ngadalë, tha: “Tash sa e lexova tekstin e nënshkruar nga intelektualët. Të ju them, kur është nënshkruar ai tekst unë kam qenë jashtë kufijve, prandaj nuk jam nënshkrues. Po më vjen keq që nuk jam nënshkrues…”
Ky shpjegim i Musës mund të thuhet se ishte përfundues i mbledhjes, meqë përfaqësuesit e Komitetit që ishin të gatshëm për të marrë masa – u ngritën dhe e lëshuan mbledhjen.
Ky ishte Musa Ramadani, pra. /2LONLINE/