DYLON

Kur fëmijët ia kthejnë shkëlqimin teatrit!

Cilindri Magjik
Avatar photo Redaksia

Ka kohë, të mos themi është bërë e zakonshme, që kur përmendet Teatri i Gjilanit, nuk të shkon mendja së pari tek ajo se cila shfaqje po vihet në skenë, pasi publiku gjilanas është i etshëm për të parë shfaqje dhe është një vlerësues i mirë, por menjëherë të shkon mendja për problemet në, dhe rreth këtij institucioni, që nuk po gjen një zgjidhje të përhershme, për problemet që politika asnjëherë nuk po i kupton, apo nuk po do me i kuptua, dhe rrjedhimisht edhe nuk po ofrohet një zgjidhje afatgjate, e përhershme.

A ka grevë, a s’ka grevë, a ka paga, a s’ka paga, a u zgjodh drejtori a nuk u zgjodh, a u siguruan financat a jo, a u largua dikush nga puna, a ka ngrohje  a s’ka, a u votua në Kuvend a jo për me ju dhënë pare aktorëve.., e shumë çka tjetër, po bënë që Teatrin e Gjilanit ta kaplojë një zymtësi.

Por, ditë më parë,  asaj për pak kohë iu kthye shkëlqimi që realisht duhet ta ketë një teatër, sidomos i një qyteti si Gjilani,  që në gojën e politikanëve di të jetë shpesh fjali e shqiptuar se si na qenka një “qytet i kulturës”…!

EkoHigjiena

Publiku si shumë herë mbushi sallën, por në skenë kësaj here nuk u ngjitën ata që e kanë për profesion, që (s)paguhen për një punë të tillë, por nxënës filloristë, e të cilët u treguan po aq profesionistë, për të performuar një shfaqje, që në fakt, përveç aktrimit, i patën edhe të gjitha elementet tjera, si  regjinë, skenografinë, muzikën, kostumografin dhe ndriçimin.

Ishte shfaqja “Cilindri Magjik “, punuar nga nxënësit e klasës V-4 të  SHMU “Abaz Ajeti”, në Gjilan, e bërë në regji të mësueses Suzana Demi, e ku aktruan kompletë kjo klasë (25 nxënës). E veçanta e kësaj shfaqje përmes të cilës u vu në skenë një përrallë, ishte fakti se ajo u bë  me profesionalizëm duke përfshirë elementet si: regjia, muzika, skenografia, kostumografia dhe ndriçimi të realizuara në mënyrën më të mirë të mundshme.

E, po ashtu nxënësit ndonëse vetëm 10-11 vjeç, ata shfaqen talentin e tyre në profesionin e aktrimit duke realizuar me përkushtim rolet e tyre, pra shpërfaqur në detaje karakteret e shfaqjes-përrallës së inskenuar. Që të gjithë nxënësit e kësaj klase, secili në rolin që kishte interpretuan bukur dhe me lojën e tyre, barten emocione te publiku.

Natyrisht që meritore për këtë aktivitet teatral, që erdhi si një aktivitet përmbyllës i procesit mësimor pesëvjeçar me këtë gjeneratë, ishte mësuesja e klasës në fjalë, Suzana Demi, që në vete edhe këtu ngërthehet një e veçantë sepse ajo i iku shabllonit të cilin jemi mësuar ta shohim, me aktivitete vetëm në rrethe të shkollës, me program vetëm para prindërve të nxënësve, me recitime, këngë e imitime këngëtarësh, por ajo organizoi një aktivitet më ndryshe dhe jashtë shkollës, në një vend si teatri e ku pati të pranishëm edhe adhurues të tjerë të skenës.

Mësuesja Suzanë thotë për Portalin 2LONLINE,  përplot emocione  se është tejet e lumtur dhe e gëzuar me atë që ofruan nxënësit e saj para publikut. Sipas saj, ata ishin të shkëlqyeshëm.

Ajo tregon se leximi i kësaj përralle u nis në kushte të shkollës si aktivitet i mësimit shtues nga dy herë në javë. Pastaj, nxënësit duke parë përpjekjet, angazhimin dhe vullnetin e mirë të saj, sqarimet në detaje, për çdo karakter të personazhit,  u motivuan për një lojë të shkëlqyer.

Demi thotë se kjo shfaqje nuk do të mund të realizohej kaq bukur, pa ndihmën e të gjithëve që ishin të  përfshirë, që kjo shfaqje të bëhej gati për publikun, dhe ka falënderuar në veçanti mjeshtrin e muzikës, Florim Gagica dhe mjeshtrin e ndriçimit, Fatmir Halili.

Për këtë prurje të re me nxënës shkollash të klasave të ulëta, e me një përkushtim të jashtëzakonshëm të një mësuese, u ndanë të kënaqur edhe publiku që kishin mbushur sallën plot, me shpresë se nxitje të tilla do të ketë edhe për shkolla tjera, për t’u shndërruar në praktika të mira.

 

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.