Kur erozioni lufton me ngjyrat
Nga: Nexhat Rexha
KUR EROZIONI LUFTON ME NGJYRAT
(Sherafedin Kadriu: ” Kur vdesin ngjyrat” ,Botoi “Beqir Musliu”, 2025. Fq. 175).
Kur jeta dhe vepra komunikojnë me të përditshmen, ajo të jep përceptimet e të gjitha hapërimeve, bashkë me stinët e jetës. Njeriu poet hapërimet dhe frymëmarrjet i ndërlidhë me të gjitha veprimet e të ndodhurave jetësore dhe ato si të këtilla krijojnë ngjyrat në potretizime nga më të ndryshmet. Këto peizazhe krijojnë imazhin e dukshëm dhe të padukshëm, kështu ato flejnë bashkë me ëndrrtat e njeriut. Të gjitha këto ëndrra që njerëzit i bartin, i ruajnë si përjetime të shpirtit të tyre, ato janë përjetime, sa personale, po aq edhe faktorizuese në proceset jetësore e shoqërore te njeriu që komunikon dhe ruan diktatet e jetës. Këto artikulime që i prodhon jeta e njeriut, kërkojnë shpërfaqje dhe njohje edhe nga shtresa të tjera. Kështu, vepra e Sherafedin Kadriut në të gjitha variantet e saj të krijon mundësinë e njohjes me botën e tij krijuese dhe reflektimet tona. .Këto reflektime janë pasqyruar në të gjitha fushat ku ai ka krijuar veprën e tij artistike.
Duke kaluar në këto shtrirje kohësh dhe ngjarjesh verdikti krijues i Sherafedin Kadriut ka prodhuar mendimin origjinal në veprat e tij ,si nëꓽ-
Në kërkim të thellësive poetike -1,2021 Botim Beqir Musliu
Në kërkim të thellësive poetike -2,2024 dhe ,Botim -Rozafa
Kur ngjyrat vdesin-2025-Botim Beqir Musliu
Botim nga Trashëgimia Materialeꓽ
Kalja e Pogragjës 2008
Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë,Gjilan 2021
Si dhe duke lënë në dorëshkrim Krijime letrare, publicistike dhe shumë shkrime të tjera.
Kur ngjyrat vdesin, është vepra e parë poetike e tij , ani pse ai ka botuar edhe vepra tjera në fushën e studimeve letrare dhe arkeologjike në shtrirje të trashëgimisë kulturore.
Në këtë vepër arti, e jeta kanë shkrirë të përbotshmen ekzistuese përmes imagjinatës krijuese.
Në vëllimi poetik, ” Kur ngjyrat vdesin”, Sherafedini ka shkrirë një botë të veçantë artistike, e cila ka të ngjeshura brenda poezive përjetimin përtej të sotmes. Kurse, diskursi artistik në poezinë e Sherafedin Kadriut, është reflektim i botës së trazuar, e cila gërvishë thesarin artistik në kërkim të hapërimeve të njeriut, sa artikulues, po aq edhe kureshtar. Këto kërkesa janë vetë bota shpirtërore e njeriut kërkues, për të shpalosur botën e pathënë. Poezia është vetë shpirti i poetit, kur brenda tij nuhatja të jep dedikimin e panjohur, e që ai dedikim zhvesh, ëndrrën për të zbuluar të mahnitshmen botë imagjinative. Në këto kondita: sa reale, sa konfrontuese, sa absurde, sa sporadike, vijnë me zgjedhjen e zhveshjen e ngjyrave të stinëve tona.
Sherafedin Kadriu, brenda vargjeve poetike ka artikuluar botën reale dhe botën konformiste nëpër krajatat e kohëve. Pamjet brenda shpirtit të ofrojnë botën në reflektim të tyre, si pasqyrim i kohëve që krijon jeta e absurdit nëpër valët e ngritjeve e zbritjeve të tonit shoqëror..
Poezia e tij të ofron këndvështrimin e zgjedhjes, përjetimit artistik në bashkëveprim me peshoren e zemrës. Trajtueshmëria poetike brenda tërësisë së shtjelluar nuk imponon diktatin, ajo të krijon ndjeshmërinë e të nesërmes, sipas ngjyrave të dukshme në pikturim të jetës. Gjithnjë, duke i lidhur ngjarjet dhe përjetimet në harmonizim te strukturuar, si dhe për t`i dhënë koloritin poetik ngjyrave, të cilat të japin portretizimin e skalitur në figurat metaforike brenda tekstit në realizim të mesazhit .
Libri poetik ka ndarjet nëpër kohë dhe ato të ofrojnë identifikime të personaliteteve nga më të ndryshmet, duke krijuar mundësinë e depërtimeve më të thella të ngjarjeve, të cilat kanë ruajtur e bartur në kurrizin e tyre dhembjet e dashurinë për njeriun e tij. Në të gjitha variacionet poetike të këtij libri, ato në tërësinë e tyre komunikojnë me një zë, ato artikulojnë veçori të dalluara dhe shpalosin botën imanente të autorit.
Kështu tërësia e konceptuar e librit “Kur ngjyrat vdesin”, të jep origjinalitetin krijues në formësim të procesit artistik, që bota e artit të bashkëjetojë me estetikën poetike. Të gjitha këto variacione japin të përbashkëtën dhe të veçantën brenda tekstit poetik.
Të gjitha ndarjet poetike kanë pamjet pasqyruese të përbashkëta të jetës së autorit, ato megjithatë, diku shënjojnë dritën më me shumë ndriçim, kështu në ciklin “Për ngjyrën e zezë, autori ka piketuar ngjyrën më të thellë të përjetimit përmes vargjeve, si në poezinë” Çafkat”, “ Në vigjilie të pavarësisë së Kosovës”, ”Hija ime’,”Frymëmarrje kallur”,’ Në krye motmoti”,” Vetmia”, “ Në këtë lojë nuk ka remi”, “Në fund të vetmisë” dhe në poezinë e fundit të librit ”Para se me u shtri”. Të gjitha këto poezi, kanë një kompozim të unifikuar dhe në poezinë e fundit ai shkruan “se është e vetmja poezi që është recituar na ai dhe ruajtur në telefonin e tij”.
Kjo poezi dhe të tjerat të bëjnë për vete, ai gjen forcën e dashurinë njerëzore, poetike dhe shkruan vargjet:
Testament fjalësh
Loçka e gjyshit
***
Ah, porosi si poezi,
po e vështirë për t`u shkruar vetë
Po i ruaj mendtë,nuk po çmendem krejt..
Fq.144
Kjo poezi dhe poezia “Çafkat” janë dashuria e dhembja e njeriut poet. Sherafedini fjalën e tij e forcon me dinjitet edhe kur ai e tejkalon dhembjen përmes vargjeve. Në këtë poezi testament, nuk kemi dilemën e vdekjes, këtu kemi mesazhin e forcës për të mundur dhembjen.
Çfarë flatrash paskëshit
Sa drejtimesh merrni
Përballë-kaloni,anashkaloni,parakaloni
Sa shpekt ktheheni, e se kur ndaleni
Niseni sërish
Si nuk ndesheni asnjëher;
Çfarë shoferësh!
Çafkat e mia
Atë ditë
Do të mërzitem edhe për bojën tuaj katran.
(Poezia “Çafkat”, Fq.132).
Brenda tekstit poetik në këtë cikël bota njerëzore dhe koha, sikur flasin me mitet nëpër kohë. Ato vijnë e krijojnë simbolikën jetësore të njeriut. Vetë ekzistenca njerëzore dhe veprimtaria e shkrimit janë zanafilla të bartura, si ndërveprime të miteve moderne, ato krijojnë e ruajnë periudha dhe epoka të civilizimit njerëzor. Kështu krijohen identitete, të cilat përfaqësojnë, traditën dhe kulturën e tyre nga lashtësia deri në ditët kur ata artikulojnë botën përmes shkrimeve.
Nga i gjithë ky erozion i brendshëm që punonte në trupin e tij, Sherafedini i dha frymëmarrje artit e jetës të tij.
Ai komunikoi lirshëm me të gjitha ngjyrat e jetës, duke i dhënë madhështinë krijimeve të shkuara, njëkohësisht, ato janë mesazh i brumosur me fuqinë e fjalës në figuracion të testamentit autentik.
Titulli i librit “Kur vdesin ngjyrat”, në realitet është metafora e jetës përmes ngjyrave, të cilat komunikojnë me vetë njeriun. Poeti komunikon me koloritin e ngjyrave që absorbojnë brenda tekstit idejshmërinë në mbështetje të .moralit, si katarsisë i ngjarjeve e njerëzve që kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme kohore, e të cilat kanë rrjedhën e lirë të tyre në vargje, si komunikim dhe si protestë, e dashuri për njeriun. Nëpër këto gjerësi të intonimit poetik poezia e Sherafedinit ka ndërlidhur subjektin lirik në modifikim të fjalës sa më përfaqësuese në fuqizim të tërësisë poetike.
Poezia e Sherafedinit ka shpalosje të botës shpirtërore, në disa poezi ato dialogojnë bukur dhe shënojnë vlerën e fjalën në identifikim të krijimit artistik, dhe njëkohësisht, ato pasqyrojnë në brendësi të identitetit vlerësues, e në ruajtje të kujtesës për sot e për nesër.
Pra, poezia si refleksion vëhet në mision të mesazhit, duke e dhënë shfaqjen e diskursit në artikulim të arritshëm, e në portretizim të vlerës artistike në ide sa më origjinale brenda tërësisë poetike.
Duke u njohur nga afërsia me mikun tonë Sherafedin Kadriun, dhe duke diskutuar për shumë probleme të jetës shoqërore, e sidomos të artit njerëzor dhe për halle e derte të jetës sonë shoqërore e familjare kemi shpalosur e dhënë ide të ndërsjellta për shumë fusha të artit dhe diskursit filozofik në fushën e letërsisë dhe fushave të tjera. . Njohja me njeriun poet, të krijon mundësi më të përafërta në botën artistike , edhe kur mendimi i sofistikuar tjetërsohet në figurën e metaforës apo të figurave tjera të artit të shkruar
Kështu, vlerat artistike, mesazhet dhe pikat reflektuese të krijojnë mundësinë e determinimit, formësimit të qenësisë së botës imagjinative krijuese të tij
Kemi interpretuar e dhënë mendime nga më të sinqertat për artin e botën shqiptare. Sherafedini na iku herët, po në kujtesën tonë, ai ka lënë në pasuri njerëzore që nuk peshohet me asgjë, sepse fjala e tij nuk lëndonte. Fjala e tij afronte. Fjala e mendimi i tij të jepte miqësinë e mendimin e thelluar për jetën dhe shkencën. Ai mbetet miku e njeriu që na la zbrazëti në jetën tonë. Mirëpo, fjala dhe vepra e tij mbeten testamenti, seꓽ “Sa të jemi të jemi bashkë dhe të njerëzishëm”. Vetëm një natë para të kalonte në amshim, i bëmë edhe këto fjalë në takimin e fundit shkruanim me të, pa e ditur se ky ishte komunikimi i një nate që paralajmëronte fundin e diçkaje që unë nuk e kuptoja. Edhe pse ai me bëri me dije se ky është finalizimi i diçkaje që troket për të jetuar fjala. ”Shoku im ti e dinë se unë edhe jam edhe s`jam më”. Unë i thash miku im ꓽ a jemi dakorduar shumë herë se ꓽSa të jemi të jemi bashkë, më tha “Dakord, Nexhat ashtu sa te jemi të jemi “….
Dhe të nesërmen mbrëma e kuptoja se vërtet fjala e tij ishte paralajmërim .Po që unë nuk e besoja. E prisja që të pinim kafe bashkë me miqtë tanë që takoheshim shpesh te Restorant “Sofra”, këtu në Gjilan..
Epo fjala e komunikimi si dhe fjalët e shkruar, mbeten vlera dhe kuptimi më i rëndësishëm në botën e të gjallëve, sepse ajo transmeton, të jep e të merr mesazhe, brenda vetes për të reflektuar ngjyrat e jetës në të gjitha kohët. /2LONLINE/
