E mira e debatit ka rezultuar shumë pozitive, sepse asnjë mësimdhënës nuk do mbetet pa punë, së paku pa pagë jo. Kjo për faktin se buxheti për klasët e trembëdhjeta është ndarë dhe mjetet për paga ekzistojnë. Një zyrtar i MASHT-it më tha krejt në përfundim të këtij shkrimi, se është biseduar çështja e problemit që është krijuar te mësimdhënësit me heqjen e klasës XIII, dhe se MASHT-i do ketë takim me drejtorët e DKA-ve në nivel vendi rreth këtij problemi.
Mua po më pëlqen ky debat që në formë të shkruar në Gjilan po bëhet vetëm në mes dy individëve, por ka edhe diçka të keqe këtu. E keqja e debatit është kur duke prekur problemin, duke analizuar atë, rrëshqitazi qëmtojmë në aspekte personale, që debatit ia zbehin qëllimin dhe porosinë. Gjuha e komunikimit pasqyron edhe pjekurinë intelektuale dhe diturore. E kur gjuha e shkrimit stërkeqet, atëherë në vend të debatit dhe dialogut na del se jemi duke bërë monolog me vetveten. Nëse gjuha është jotolerante, atëherë synimi është që mashtrimin dhe ofendimin ta konvertojmë në të vërtet. E kjo nuk i shërben debatit, dhe të tjerët nuk i besojnë.
Shkruan: Nexhat BUZUKU
(2LONLINE) – Nuk duhet të shtrembërohet tema e problemit. Nuk është thelbi i problemit heqja e klasave të trembëdhjeta. Përkundrazi, është shkarkim i shkollimit të mesëm nga një klasë e tepërt, e kotë, dhe e dështuar, e thënë edhe më herët. Problemi është humbja e vendeve të punës për mësimdhënësit që duan të jetojnë nga puna dhe djersa sikur ne që po teoretizojmë më shumë kundër njëri-tjetrit se sa për njerëzit që në vjeshtë do mbesin pa vende pune.
E këta zotërinjtë me dije të lakmueshme arsimore, eskpertët pra, nuk e di nëse e kanë trajtuar këtë problem apo përgjithësisht të klasave të trembëdhjeta, e ndoshta edhe të klasave të nënta, që po ashtu nuk dihet se cili do jetë fati i tyre, më saktë perspektiva e tyre pas ndonjë viti.
Këta ekspertët e arsimit është dashtë apo do të duhej që të merren me problemin, që të mos reduktojnë numrin e paraleleve në gjimnaz e mjekësi, ku ka më së shumti të punësuar, që numri i nxënësve në paralele të jetë midis 22-25 nxënës, në mënyrë që të mos paraqitej problemi i vendeve të punës. Kjo vlen edhe për shkollat tjera të mesme të qytetit.
Problemi nuk është prodhuar as nga partitë, as nga gazetarët, nuk ka rëndësi se si i quan dikush, bile u bën nder, sepse jeta është provë, e lëre me zeja a profesioni i gazetarit a mësuesit. Dikush provon tërë jetën të bëhet mësues i mirë, një tjetër gazetar, një tjetër diçka tjetër e kështu në pafundësi. Janë nxënësit, janë lexuesit, janë ekspertët ata që japin vlerësimet, sepse ndaj çdo gjëje ka një kriter vlerësues, që nuk mund ta bëjë akëcili me qasje subjektive dhe urrejtëse, pse është ky e nuk është ai. Por kjo nuk ka rëndësi.
Është mirë që ka debat, dhe njerëzit mund të pajtohen ose jo, ku akëcili mund të shpreh mendimin e tij. Ka kundërshtime individuale por edhe kolektive, siç ishte në SHME “Marin Barleti”, e siç është paralajmëruar edhe në Gjimnaz, ku mund të shprehen pikëpamjet për ose kundër problemit.
Është mirë që njerëzit po kundërshtojnë përmes debatesh, sepse kështu po kanalizohet mllefi a pakënaqësia, se sa kjo të manifestohej në ndonjë mënyrë tjetër.
Nuk është shqetësuese pse dikush del kundër të gjithëve. Nuk është dramatike pse dikush qasjen a qasjet dhe mendimin a mendimet, opinionin a opinionet e të tjerëve i quan të paarsyeshme, sepse edhe mund të përceptohen të tilla nga mentalitet i pavullnetshëm për ta pranuar edhe qasjen a këndvështrimin tjetër. Mirëpo, tendenca për të vendosur a instaluar monopolin mbi të vërtetën, apo edhe mbi të drejtën e tjetrit a të tjerëve për të shfaqur a shpërfaqur problemin a çështjen problemore, qoftë edhe dilematike, është shprehje e jotolerancës në një hapësirë debati, ku natyrshëm debati është i ndërtuar mbi qasje pro et contra, ndryshe debati del uniformist.
Për problemet në arsim është folur, debatuar e kundërshtuar edhe nën okupim, pastaj, sot e do ketë tutje, sepse problemet në arsim as kanë nisur me një parti e një kryetar komune, por kanë ekzistuar e do të ekzistojnë, por nuk duhet personalizuar.
Aspak nuk ka rëndësi kush vëzhgon e si vrojton, aq më pak gjykimet jo të vërteta se kush ku është dukur, sepse ka argumente të shkruara, jo supozime gojore se kush çfarë ka bërë në vazhdimësi. Por edhe kjo është histori.
Mua po më pëlqen ky debat që në formë të shkruar në Gjilan po bëhet vetëm në mes dy individëve, por ka edhe diçka të keqe këtu. E keqja e debatit është kur duke prekur problemin, duke analizuar atë, rrëshqitazi qëmtojmë në aspekte personale, që debatit ia zbehin qëllimin dhe porosinë. Gjuha e komunikimit pasqyron edhe pjekurinë intelektuale dhe diturore. E kur gjuha e shkrimit stërkeqet, atëherë në vend të debatit dhe dialogut na del se jemi duke bërë monolog me vetveten. Nëse gjuha është jotolerante, atëherë synimi është që mashtrimin dhe ofendimin ta konvertojmë në të vërtet. E kjo nuk i shërben debatit, dhe të tjerët nuk i besojnë.
Në fund, nuk më duket aspak e sinqertë të thuhet se shkolla nuk është institucion për zgjidhje të problemeve sociale në shoqëri. Sa mirë do të ishte sikur shkolla të ishte qindpërqind vetëm institucion edukues dhe arsimues, ku njerëzit që punojnë aty nuk do të mendonin për pagën që marrin aty dhe e kanë burim mbijetese. Do të ishte mirë të ishte kështu, por realiteti dëshmon diçka tjetër, atë tezën e parë.
Në shkolla punojnë njerëz të partive të ndryshme, të klaneve, të bindjeve e dijeve të caktuara.
Ata që kanë nisur vonë punën në arsim, sepse kanë lindur më vonë se debatuesit e problemit në fjalë, mund të presin derisa të vdesim ne të moshuarit, dikush nga sëmundja e dikush nga pleqëria. Edhe komunat tjera e kanë këtë problem, dhe atje nuk duhet të shpresohet se mund të sistemohet ndonjë që mbetet i papunë.
E studentët, prindërit e të cilëve nuk kanë punë, mund të udhëtojnë kahdo që dëshirojnë, sepse kufijtë janë të kalueshëm. Vetëm duhet ta dinë se për të udhëtuar deri në Prishtinë duhet mjaft para, e lëre për të kaluar kufijtë, se për universitete nuk është problem.
Pra, problem nuk do të jenë ata që do humbin vendet e punës, as ata studentë që duhet të studiojnë, e që nuk kanë kushte materiale, por problem janë ata që po e debatojnë këtë problem, se ky nuk është i vetmi, duke qenë se ekzistenca e dikujt është problem për dikë tjetër.
Prandaj, kundërshtimi është i arsyeshëm. Jo mërzia për heqjen e klasës XIII, se askujt nuk po i duhet, por kundërshtimi po bëhet e do të bëhet për mos bërjen me kohë të analizës nga ekspertët se çfarë do bëhet me ata që do humbin vendet e punës.
Sigurisht ekspertët dhe zyrtarët e arsimit në MASHT e DKA do të mendojnë në shtimin e fondit të orëve në lëndët përkatëse që janë prekur, duke hequr orë ose duke rrudhur nga 2 orë në 1 orë në javë. Si edhe paralelet me nga 22-25 nxënës.
E mira e debatit ka rezultuar shumë pozitive, sepse asnjë mësimdhënës nuk do mbetet pa punë, së paku pa pagë jo. Kjo për faktin se buxheti për klasët e trembëdhjeta është ndarë dhe mjetet për paga ekzistojnë. Një zyrtar i MASHT-it më tha krejt në përfundim të këtij shkrimi, se është biseduar çështja e problemit që është krijuar te mësimdhënësit me heqjen e klasës XIII, dhe se MASHT-i do ketë takim me drejtorët e DKA-ve në nivel vendi rreth këtij problemi.
Sikur ky problem të mos problematizohej, gjegjësisht alarmohej, dhe të mos ngritej në nivel debati, athua do të merrej MASHT-i me të. Mbetet të vlerësohet nga lexuesit dhe mësimdhënësit. /2lonline/