DYLON

Kumbonaret në diellin e një kohe

Kumbonaret në diellin e një kohe
Avatar photo Redaksia

/Ramadan Rexhepi, ” Kumbonaret”, botoi “Jeta e Re” , Prishtinë, 1963. Fq. 101. Ribotoi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2018/

Shkruan: Nexhat Rexha

Bashkëbisedimi në përditshmërinë e njeriut është si erërat e stinëve, ato fryjnë pastaj ndalen dhe kush e di se çfarë kanë bartur ato. Po kështu është edhe vetë jeta jonë, bashkëbisedojmë dhe në ato bashkëbisedime me miq, varet çfarë na bënë përshtypje fjala e leximi i njërit apo tjetrit. Sa e sa herë, kemi bashkëbiseduar me miq të asaj kohe kur letërsia shqipe në Kosovë ishte në fillimet e saj.

EkoHigjiena

Ndonjëri e zënte në gojë shkrimtarin e talentuar Ramadan Rexhepin, duke nënvizuar se ai ishte ndër më të mirët e asaj kohe. Këtu fillonte dhe mbaronte tregimi për të. Po në këtë vjeshtë nuk di as vetë pse më sillej në kokë një rilexim i këtij libri dhe veçova “Kumbonaret”, të Ramadan Rexhepit e mora për lexim këtë libër që sa e sa herë e kishim përfolur.

Pas disa ditëve fillova leximin e vëllimit më tregime “ Kumbonaret’, të botuar në vitin 1963 në Prishtinë, dhe unë po e rilexoja,por kësaj radhe më ndryshe Nuk e di përse ndodh kjo?. Leximi i librit që në fillim të rrëmben me fjalën e shkruar në të. Tregimet e librit janë të shkruara në dialektin e gegërishtes së kohës dhe në të autori ka përdorur gjuhën e vendit të folmen e krahinës së Preshevës të asaj kohe. Të lexohet një libër,sot dhe të kthehesh në retrospektivë do të thotë të njohësh rrethanat e kohës. Do të thotë të bashkëjetosh me njerëzit, atmosferën – klimën politike, gjendjen ekonomike të trevave shqiptare, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Këto rrethana kohe të parashtrojnë para vetit aktualitetin e kohës së një populli me aspirata për të mundur tingujt e kumbonareve të kohës njerkë për shqiptarët.

Ramadan Rexhepi në tregimet e këtij libri ka rrezatuar jetën reale të kohës, duke i dhënë të gjitha ngjyrimet e aktualitetit të vrazhdë të asaj periudhe. Brendia e tregimeve ka gërshetim të disa skenave të jetës së asaj kohe, në lexim të parë të duket se më shumë dominon elementi social i jetës së rëndë për këtë pjesë të atdheut tonë të copëtuar. Prozat kanë shtrirje nëpër lokalitetet shqiptare nga Konçuli e deri në Shkup, që e kanë ruajtur komunikimin e banimin këndej e andej bjeshkëve të Karadakut. Të gjitha ëndrrat për kumbonaret e tingujt e tyre zhvillohen në këtë diell. Duke pasur parasysh rrethanat e censurën e kohës, autori bukur ka përshkruar ngjarjet në të gjitha tregimet e librit.

Përmbajtja e tregimeve ka narracion të bukur në realizim të trajtimit tematikë, e të ruajtjes së botëkuptimit për shqiptarët dhe nga vetë shqiptarët. Pikëvrojtimet dominante specifikojnë, artikulojnë në tregime botëkuptimin e bartur nëpër kohë. Ngjarjet ndërlidhin kohën dhe karakterin e njeriut të atyre viteve, si: vrasjet ndër vete, jeta e rëndë sociale, martesat, botëkuptimi fetar, tradita tradicionale , si dhe heshtja e ndaj dhunës së egër nga ana e pushtuesit.

Në këto pikëtakime, e tërë vepra komunikon me gjuhën e njeriut të thjeshtë, e cila bartë e ruan në brendi mllefin e jetës së rëndë e të nëpërkëmbjes nga pushteti i kohës. Që në tregimin e parë “ Kur s`ka diell ndër zemra”, me të cilin edhe hapet libri, autori me elegancë e shkathtësi ka tejkaluar kodin e zbërthimit të ndjekjeve të censurës së kohës. Në tregim kemi shpërnguljen,dashurinë,varfërinë dhe në të autori ka vë pikën e dhembjes, si në : “Ndejtën gati nji javë në Shkup dhe, ma në fund, u nisën..”fq. 15. Krejt kjo ka një përzierje familjesh jevgjish dhe shqiptarësh të ndërrimit të vendbanimit nga Kosova Lindore. Fati i kryeprotagonistit të tregimit Saqipi si pesë vjeçar është bartës i tregimit, i cili përfundon me të këqijat në familjen e tij si pijanec.

Në tregimin “Konstantina”, paraqitet jeta e fshatit, jeta e rëndë sociale. Ajo punon punëtore krahu te djali i zotnisë Kola , ai ishte dashuruar në Konstatinën. Ngjarja zhvillohet në vitet 193.. edhe këtu me pak fjalë , autori përmend Shkupin, ajo ishte: “belhollë si lisi i Karadakut e ëmbël si qershija e Shkupit” fq. 27. Konfliktet në tregime paraqiten si raste e ndodhi, por nuk zhvillohen më tej, sepse Ramadan Rexhepi i ka dhënë mundësi lexuesit të kuptojë realitetin e kohës.

Në të shtatë tregimet e librit, autori ka paraqitur bukur të gjitha trajtimet e ngjarjeve, duke iu dhënë atyre frymën e kohës, të cilat me shpalosjen protagonistëve përmes narracionit dialogojnë me thjeshtësi në veprimet e tyre. Mirëpo, përmbajtje e tregimeve si tërësi e lidh tërësisht kompleksitetin e popullatës shqiptare të kësaj treve me qendrën urbane të tyre Preshevën. Në çdo tregim kur preket jeta e rëndë sociale , ajo bartë ne vete edhe dashurinë që krijon vështirësi në realizimin e saj.

Faktori që ka ndikuar në vrasjen, apo hakmarrjen e këtyre vrasjeve , më shumë i mbetet lexuesit për ta konstatuar, autori e lë të hapur kërkimin e këtyre damkosjeve që kanë marrë jetën e njeriut tonë nëpër rrethanat e kanunet që ka bartur e trashëguar njeriu i shtresave ndikuese. Dashuria si temë në vete, në tregimet e Ramadan Rexhepit,aktualizon përditshmërinë e tyre, ajo vjen e pastër, pa imponime dhe krijon mundësinë e të ardhmes për një botë të lirë, por ajo në të shumtën e rasteve nuk kurorëzon fatit e të dashuruarve.

Kështu, në tregimin “Letër vajzës Bonjare”, bukuria e Reqibes përshkruhet me pak fjalë si bukuria e Tanushës, ajo përkundër realizmit të dashurisë së të rinjve, nuk finalizon me martesë. Rrëfimi i komunikimit zhvillohet më shumë në formë të letërkëmbimit në mes tyre. Kjo dashuri nuk realizohet, sepse Reqibja vendoset në Shkup, e Shkupi si duket ka tretur dashurinë e kohës. Në tregimin e fundit “Udhëtarët”, përmbyllet edhe libri.

Në parashtrimet e këtij tregimi protagonisti Franjë dhe vajza e tij Zoga, bartin udhëtimet e gjata të banorëve të kësaj treve, duke i ruajtur e ndërlidhur edhe dy konfeksionet fetare ,atë katolike dhe myslimane të shqiptarëve të kësaj treve. Protagonistët e tregimeve jetojnë në një fshat të malësisë së Karadakut, ata janë në kërkim të shkollimit. Mesazhet e të gjitha tregimeve të librit mbeten të hapura, apo më mirë të vetëkuptohen nga lexuesi. Në këtë frymë artistike tregimet e Ramadan Rexhepit, kanë bartur e ruajtur fleksibilitetin dhëmbit të kohës. Ato edhe nga këndvështrimi i kohës së sotme, kanë ruajtur fuqinë artistike,sepse autori me shumë zotësi profesionale ka shkrirë ngjarjet në kohë, për t`i zhvilluar ato në perspektivën e realitetit në letërsi dhe në jetë.

Vepra si tërësi është e rëndësishme për disa fusha të studimit të saj: si në fushën e studimeve gjuhësore, të cilat ruajnë të folmen e kësaj treve të shqipes, pastaj ruajnë nivelin artistik të prozës shqipe në fillim të viteve të gjashtëdhjeta. Ndërkaq, ajo që ka peshë e rëndësi historike është vetë jeta shqiptare brenda dy periudhave kohore, të cilat ruajnë e pasqyrojnë relievin e hapësirës sonë kombëtare.

Vëllimi me tregime ” Kumbonaret”, nëse lexohet me kujdes e njohje të rrethanave të zhvillimit të letërsisë, e në suaza të kontekstit kohor, dëshmon në cilësi për fjalën artistike që i ka afruar lexuesit shqiptar të asaj kohe Ramadan Rexhepi. Fjalia ka rrjedhën e saj stilistike, origjinale dhe si e tillë ajo ka komunikuar lirshëm me lexuesin, duke i dhënë mundësinë e përjetimit më të thellë në të gjitha variantet e produktet zhvillimore të proceseve që kanë përjetuar e bartur njerëzit, ngjarjet e kohës përmes fatit të protagonistëve.

Konsideroj se tregimet e Ramadan Rexhepit, afrojnë mundësi për njohje të atyre rrethanave historike, njëkohësisht, të japin edhe kënaqësinë e leximit kur përfundon librin së lexuari. Lexuesi ndjen kënaqësi për mënyrën e të shkruarit të fjalës artistike. Kurse dielli e kumbonaret gjithnjë mbeten enigmë e të ardhmes, si kërkim e zbërthim të jehonës së kumbonareve, e shkëlqimit diellor të kësaj hapësire tokësore e njerëzore .

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.