Në përvjetorin e 15 të Masakrës së Reçakut, qytetarë të shumtë janë duke bërë homazhe te memoriali në Reçak. Më 15 janar 1999 forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Ish shefi i atëhershëm i misionit verifikues të OSBE në Kosovë, William Wallker, pas vizitës në këtë vend, ngjarjen e 15 janarit në Reçak e kishte cilësuar si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo deklaratë i parapriu fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe, që zgjatën 78 ditë, transmeto RTK.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, në përkujtim të viktimave të Masakrës së Reçakut, 15 vjet më parë, më 15 janar 1999.
Gjatë homazheve, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, udhëheqja komunale e Shtimes dhe qytetarë të shumtë.
Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar ngalideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varrezat në Reçak, duke vënë në secilin varr nga një trëndafil të bardhë.
Lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, ka thënë se kriminelet e kësaj masakre jo vetëm që janë të lirë, por ata shëtisin edhe nëpër Evropë, dhe shumë prej tyre kanë pozita të larta shtetërore në Serbi.
”Emrat e dëshmorëve dhe martireve të kombit nuk harrohen kurrë, ashtu sikurse gjaku i tyre. Institucionet e Kosovës u kanë borxh shumë dëshmorëve dhe martirëve të kombit para se të gjithash e mbi të gjitha duhet që të respektohen idealet e tyre në mënyrë që të jemi në nivel të detyrës sonë”, tha Kurti.
Edhe Kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe njëherësh ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, me bashkëpunëtorë, në pesëmbëdhjetë vjetorin e Masakrës së Reçakut, kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në këtë fshat.
Kryetari i PD-së, Agani, me këtë rast ka vlerësuar Masakra e Reçakut ishte dëshmi e qartë për gjenocidin serb të ushtruar mbi popullsinë civile në Kosovë. Ndërsa, shtoi se kjo ngjarje ishte fillimi i fundit të pushtimit serb mbi Kosovën.