Kujdes nga maskat, nuk janë protestë – mos e lejoni dhunën ta rrëmbejë protestën!
Shkruan: Isuf B.Bajrami
Protesta është e drejtë.
Në një shoqëri demokratike, qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë, revoltën dhe qëndrimin e tyre, të kërkojnë drejtësi dhe të kundërshtojnë vendimet me të cilat nuk pajtohen. Kjo e drejtë duhet respektuar dhe mbrojtur.
Por protesta përfundon aty ku fillon dhuna.
Sulmi ndaj institucioneve, vandalizmi, dëmtimi i pronës, përplasjet me policinë dhe çdo veprim që rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve nuk mund të arsyetohen si protestë. Aq më tepër kur gjatë një proteste shfaqen persona me fytyra të mbuluara, të cilët mund të shfrytëzojnë një grumbullim qytetar për të shkaktuar incidente dhe për ta devijuar qëllimin e protestës.
Prandaj duhet të jemi shumë më vigjilentë.
Maska nuk duhet të bëhet simbol i protestës.
Një qytetar që del në rrugë për të shprehur një qëndrim nuk ka nevojë ta fshehë fytyrën pas maskës, aq më pak kur pas saj mund të fshihet dikush që kërkon përplasje, vandalizëm apo kaos. Protestuesit paqësorë duhet ta ruajnë distancën nga këta individë dhe të mos lejojnë që askush ta përdorë zemërimin e tyre për qëllime të tjera.
Rreziku nuk është vetëm dëmtimi i një objekti apo i një institucioni. Rreziku është shumë më i madh. Një akt dhune mund të lëndojë një qytetar, një polic apo një protestues; mund të krijojë panik, të shkaktojë përplasje dhe të prodhojë pasoja që është shumë më vështirë të riparohen sesa të parandalohen.
Dhe Kosova nuk duhet të lejojë që tensionet e sotme ta kthejnë prapa.
Duhet të jemi të kujdesshëm edhe ndaj çdo mundësie të provokimeve në vendbanimet me qytetarë të kimunitetit tjetër. Nuk po them se një skenar i tillë po ndodh, e aq më pak duhet të akuzoj dikë pa prova. Por në një situatë të ndjeshme, duhet ta marrim seriozisht mundësinë që individë me interesa të tjera të tentojnë të shkaktojnë një incident dhe më pas ta paraqesin atë si veprim të shqiptarëve.
Një incident i tillë do të mund të përdorej për të nxitur tensione ndëretnike, për të dëmtuar sigurinë dhe për të goditur stabilitetin e Kosovës. Prandaj, në rast të çdo incidenti, duhet të mbizotërojnë faktet, hetimi profesional dhe përgjegjësia institucionale, jo thashethemet, emocionet dhe propaganda e rrjeteve sociale.
Në këto rrethana, përgjegjësi të madhe kanë edhe mediat.
Një fotografi, një video apo një titull i publikuar pa kontekst dhe pa verifikim mund të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve dhe të ushqejë tensione të panevojshme.
Fjala publike është përgjegjësi.
Pamja është përgjegjësi.
Informacioni është përgjegjësi.
Prandaj, qytetarë, protestoni. Shprehni mendimin e lirë. Kërkoni drejtësi. Mos heshtni. Por mos lejoni që dikush t’ju keq përdorë.
Mos ndiqni provokatorët. Mos u bashkoni me dhunën. Mos dëmtoni institucionet. Mos sulmoni policinë. Mos rrezikoni qytetarët. Mos bëni një veprim në një moment zemërimi, pasojat e të cilit mund t’i vuajë i gjithë vendi.
Kosova ka nevojë për protesta të fuqishme qytetare, por mbi të gjitha ka nevojë për qetësi, rend dhe përgjegjësi. Institucionet mund të kritikohen, vendimet mund të kundërshtohen dhe pushteti mund të mbahet përgjegjës. Por dobësimi i institucioneve përmes dhunës nuk e forcon qytetarin dhe nuk e mbron Kosovën.
Pikërisht tani duhet ta tregojmë pjekurinë tonë. Të mos lejojmë që disa persona me maska ta rrëmbejnë një protestë të tërë. Të mos lejojmë që provokimi të bëhet më i fortë se arsyeja. Të mos lejojmë që një incident i panevojshëm të na kushtojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Protesta po. Fjala e lirë po. Kundërshtimi po. Por dhuna jo. Vandalizmi jo. Maskat që fshehin provokatorët jo.
Sot më shumë se kurrë na duhet vigjilencë, qetësi dhe përgjegjësi.
Mos e lejoni dhunën ta rrëmbejë protestën. Mos e lejoni provokimin ta dëmtojë Kosovën. /2LONLINE/
